Kolegji AAB organizon panel diskutimi në Ditën Botërore të Personave me Sindromën Down
21 Mars 2023
Në shënim të Ditës Botërore të Personave me Sindromën Down, është zhvilluar një aktivitet në kampusin e Kolegjit AAB në Gjakovë, ku pati të ftuar profesorë dhe studentë të Fakultetit të Shkencave Sociale.
Me iniciativën e dekanatit të Fakultetit të Shkencave Sociale, në bashkëpunim me drejtorin e kampusit të Kolegjit AAB në Gjakovë, Rifat Haxhija, udhëhequr nga dy profesoreshat Violeta Buza dhe Diana Qarkaxhija, u realizua një panel diskutimi me temën “Sfidat dhe të arriturat e integrimit të personave me Sindromën Down në shoqërinë tonë”.
Të ftuar në këtë panel ishin koordinatorja e shërbimeve në Handikos – Gjakovë, Ilirjana Qehaja Luzha, e cila tregoi për shërbimet profesionale që u ofrojnë fëmijëve dhe të rriturve në këtë institucion, Suzana Shala Xharra mësimdhënëse në pension, kontribuese për shumë vite në klasën e bashkangjitur me fëmijë me nevoja të veçanta, e cila vazhdon të ndihmojë në mënyrë vullnetare.
Gjithashtu morën pjesë edhe prindërit e fëmijëve me Sindromën Down, Gjylfidane Çela Rraci, Advije Vokshi Hoxha, Florije Zeqiri, Ferdinaze Gola, bashkë me të rinjtë Meriton Rraci, Era Mamusha dhe Vlera Gola të cilët treguan sfidat dhe arritjet në periudha të ndryshme.
Të pranishëm ishin dhe nxënësit e shkollës së mesme të mjekësisë “Hysni Zajmi” të Gjakovës, me drejtorin Gjokë Tahiri dhe mësimdhënësen Eldita Mullahasani, poashtu edhe studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale, që treguan përvojat dhe mbështetjen e tyre për fëmijët me Sindromën Down.
Kolegji AAB organizon panel diskutimi në Ditën Botërore të Personave me Sindromën Down