Dr. Vlora Obertinca: Mbi dashuritë e djeshme dhe të sotme
“Karma nuk është asgjë më shumë se sa, përjetimi i dhimbjes së njëjtë që ia shkaktojmë dikujt”, Dr. Vlora Obertinca.
Çdo gjeneneratë ka mënyrën e vet të krijimit të rrethanave jetësore. Aty nënkuptojmë rregullat e aplikimit të asaj që e quajmë tradicionale, kulturore apo edhe konvencionale.
Gjeneratat e vjetra dikur martoheshin sipas traditave dhe zakoneve shqiptare që, në përgjithësi mund të vlerësohet si ruajtje e traditës dhe kulturës shekullore por, njëkohësisht edhe ruajtje e shëndetit mendor dhe emocional.
E them këte sepse, atëherë bashkimet e çifteve dhe krijimi i familjeve është bërë në baza shumë më të shëndosha se sa sot. Madje, edhe fëmijët në këto martesa janë lindur dhe rritur në një rreth natyral shumë më të shëndoshë dhe pritshmëria e arriturjeve të atyre fëmijëve rezulton të jetë më e madhe se sa e fëmijëve të sotëm.
Sot, bie fjala kur një çift bëhet bashkë është sikurse vajtja në treg me mallra pa fund. Vështirë të vendos njeriu të blejë në një mall të caktuar, kur ka aq shumë ofertë konkuruese me mallra të ndryshme deri te ato më të lirat sikurse malli kinez. Kuantatitet (sasi) sa të dush, e kualitet (cilësi) shumë pak.
Tani, nën këto rrethana edhe jeta në çift luhatet nga tregu agresiv dhe pa rregulla. Kohëra të trubullta për rininë e sotme!
Sot, rinia jonë e të dy gjinive nën këto rrethana duhet t’ia bëjë vetes pyetjen se, cila është kostoja e hyrjes në një lidhje intime, meqë nuk garantohet kurorëzimi me martesë si në kohërat e prindërve të tyre?
Rini e dashur, nëse kostoja e një lidhjeje intime është e barabartë me vënien në pyetje të dinjitetin tuaj, shëndetit tuaj, respektit për veten tuaj, vlerësimit për personalitetin tuaj, si dhe të qetësisë së mendjes tuaj, atëherë thuani JO që në fillim dhe kurseni veten nga thyerjet emocionale, sepse thënë figurativisht çdo tullë e hequr ngadalë rrëzon edhe kalanë.
Mos u ngutni të futeni në një labirint të komplikuar. Njeriu i duhur do vijë patjetër kur keni kritere, vendosshmëri dhe durim. Duke e ruajtur secili veten e vet, e ruan edhe tjetrin si dhe tërë shoqërinë ku jeton. Duajeni veten mbi të gjitha, aq sa t’i bëni zgjedhjet më të mira të mundshme për veten tuaj dhe gjeneratat e ardhshme.
Atë që ia bëni dikujt, tanimë ja keni bërë vetes suaj!
Please follow and like us: