Ilir Levonja: Arti ”modern” i Ramës dhe realiteti i shqiptarëve të humbur
Të shkosh në Greqi me pushtetin e kryeministrit dhe me sharmin e një piktori është dështimi më i madh i një qeveritari shqiptar. Për më tepër me pretendimin e një piktori modern përballë një fati të dhëmbshur historik, ku nga 1990-ta e deri sot, shqiptarët kanë qenë të nëmur atyre anëve. Shqiptarët kanë një botë vuajtjesh akoma të parrëfyera, në malet midis Shqipërisë dhe Greqisë, do duheshin me mijra murana si indekse të iks të riu, të reje, babai a nëne që kanë humbur jetën. Asnjëherë nuk u tha e vërteta e atyre tragjedive njerëzore, për më tepër edhe kur ka përpjekje ato i mbyt zhurma e njerëzve të pushtetshëm që gjoja bëjnë art të madh. Nuk e di se si u duket atyre që kanë lënë dinjitetin dhe nderin rrëpirave të kufirit, atyre që akoma nuk kanë letra, që nuk janë nytaralizuar edhe pse kanë tri dekada që punojnë aty. Me siguri një neveri. Pa përmendur firot pa fund të brezave që militojnë artet e bukura. Pasi ka vdekur shkolla, ka vdekur publikimi, ka vdekur shansi për karrierë a sukses. Pa prekur shpenzimet kolosale që mund të ketë përfitur nga posti që ka ky ”artist” beterr i artit vizual. Sikur një mijë tabllo me temën e emigrantëve të humbur të kishte, nuk do lehtësoheshin ato brenga malesh. Por nuk ka një të vetme, ka ca spruco muri që rrezik ia bëjnë të tjerët duke investuar pa pushim fonde për pak shkëlqim. Në Shqipëri arti është në pikën e një dështimi total, gati në shpërbërje, edhe për faktin e rrymave eksperimentale, politikave shteruese qeveritare etj. Megjithatë kryeministri i vendit ka luksin të hapi ekspozita pa fund. Nuk është i vetmi artist a autor i cili pushtetin e ka shfrytëzuar në maksimun për të rritur paralelisht edhe ”suksesin” në art. Ka një çmenduri totale në dhënie e marrjesh çmimesh, si qokat e së përditshmes, për shtëpinë e re a fejesat, martesat, vakitë mortore etj. Aq sot mendësia që dominon totalisht është ajo se fatin e një vepre të mirë e vendosin qokat dhe jo lexuesit apo gjindja tek dera e ekspozitave në artet e bukura. Nëse Edi Rama do ishte vërtet artist i mirëfilltë, më përpara se ekspozitat e tia, duhej të suportonte ato të artistëve të rinj dhe në nevojë. Pasi shumë syresh sot janë në një bllokadë totale, nga koha e ashpër e ekonomisë së tregut dhe publiciteti televiziv. Po ai nuk është i tillë, është një pushtetar i dhunshëm që po me dhunë do të imponohet edhe në art. Nëse Rama do ishte vërtet një artist i madh duhej pikë së pari tablot e tij të kishin një viktimë mali. Një allvanos që ikën me vrap. Një shqiptar që fle metrove. Një punëkërkues në sheshin Omonia. Një refugjat që i paguan para policisë greke. Grupeve të spastrimit Fshesa etj. Një të burgosur shqiptar që vdes nga të rrahurat. Ju kujtohet, besoj Ilia Kareli në prillin e 2014. Madje edhe vet mediat e Greqisë u skandalizuan. Por është fare e thjeshtë, kësi veprash duan artistë të mëdhenj, jo pushtetarë halabakë.