Albspirit

Media/News/Publishing

Shefqet Meko: Diktatura në familje, ‘bekim’ që na duhet

-Pse kudo dhe ngado, kushdo që vjen nga familje hebre, në shumicë, njohin rrugën e suksesit?-

 

Në shkollë të mesme kishim një pedadog, që dallonte nga kushdotjetër. Ishte ndryshe dhe spikaste. Emri i tij: Mojsi Mozali. Ishte i jashtëzakonshëm. Në katin e parë, sapo futeshim në shkollë, ishte një laborator, ku përditë do të ndesheshe me befasi të punës kërkuese dhe eksperimantale të pedagog Mojsi Mozalit.”Pushteti” i tij i vetëm ishte puna dhe vetëm puna. Kush ka kaluar nëpër bankat e shkollës së mesme veterinare në Shkodër, jam i sigurt se mund të rrëfejë edhe më shumë. Mozali ishte një befasi e punës dhe kërkimit shkencor të kohës. E dinim të gjithë: ishte hebre që “fliste” me punë dhe ishte “diktator” në lëndën që na mësonte. E kishte nga fëmijëria…

Një komshiu im në Amerikë, jetoi për gati 10 vite përbri shtëpisë sime. Herë pas here, ai do t’i linte tek shtëpia ime dy  djemtë e tij të vegjël, si përkujdesje e përkohshme e komshiut për komshiun. Ishin fëmijë model. Komshiu i sillte me libra dhe fletore duke u thënë: “Mos bëni zhurmë. Kur të kthehem, dua t’i keni lexuar këto faqe dhe të keni shënuar në fletore atë që ju pëlqeu dhe atë që nuk u pëlqeu nga leximi…”. Ishte i prerë si komshi dhe si prind. Kurrë nuk bërtiste, por pa ledhatime “i diktonte” fëmijët e vet si ta kalonin kohën… Ishte një model edhe për mua. Ishte amerikan hebre.

Kur punoja në një kompani që mblidhte borxhet financiare, një kolegu im afrikano-amerikan, ndërsa do i rrëfeja për “betejat” me çunat e mi, që përpiqesha t’i ruaja nga “vërshimet në rrugë” në mënyrë befasuese do më thoshte: “Meko, ne i kemi besuar njerëzit e bardhë më shumë se ç’duhet…”. Duke e parë në sy e pyeta: “Ku e ke fjalën, Amo? Nuk kuptoj…”. Ai foli krejt i sinqertë: “Po ja, ne të zinjtë, do dëgjonim “këshillat” e njerëzve të llojit tënd: “Mos i  rrihni fëmijët… Jepuni lirinë që duan. Mos përdorni dhunë kurrë…”. Kjo ka qenë këshilla më hipokrite që kam dëgjuar, sepse unë e di mirë, në çdo familje të bardhë ka një lloj diktature ndaj fëmijëve, ka shputa mbi fytyrë kur bëhen gabime, por ne nuk i shohim sepse ndodhin “pas kuintave” dhe besoj kjo “shuplakë” e padeklaruar ju bën më të sukseshëm… Ne besuam se vërtet “fëmija nuk meriton shputë” dhe i lamë të lirë, gati në çmenduri dhimbëse…Shiko  kush është shumicë nëpër burgje dhe krime tani. Ne, sepse  “dëgjuam këshilla hipokrite”: Lerini fëmijët të lirë. Fëmija duhet “struguar” para se të dalë në jetën publike…”. Kujtoj këtë moment prindëror dhe ndiej dhimbje. Amo kishte të drejtë.

Mua mu kujtua fëmijëria ime. As nëna, as babai nuk më linin krejt të lirë. “Eja të ujitim piperkat tek fusha” do më urdhëronte nëna, pas shkollës, duke më marrë për dore dhe duke më torturuar  me kova me ujë. Më dukej një fëmijëri “e skallëvruar”, “e diktuar”  dhe dëshpërohesha. Babai ndërkohë, kur nuk  kishte punë vaditëse apo prashitje në arë, do  më thoshte: “Merr gomarin dhe të shkojmë në mal për dru…”. Ishin urdhëra që nuk mund t’i thyeja. Kurrë nuk më pëlqenin këto “urdhra”, por nuk mund të revoltohesha. Përgjigja ishte stilemë e gatshme: “Do të hash, puno… Detyrat bëji në darkë. Ka natë sa të duash”. Ishte një “kalitje” e hershme. Nëse do isha “i lirë” në fëmijëri mund të kisha vetëm “edukatën  e rrugës”…

Rrëfenjat e mësipërme duken një lloj gjullurdie gazetareske, por në thelb rrëfejnë një të vërtetë universale: Drama dhe suksesi fillojnë në familje. Ajo është “kupola” ku piqet e ardhmja e një shoqërije. Sa më e shëndetshme dhe “diktatoriale” të jetë një familje, aq të mirë do  të  jenë qytetarët që vijnë prej andej. Kjo në fakt është një “aksiomë” që nuk ka nevojë për diskutim. Shkurt siç thuhet, përmes dramës kupton paqen…

I solla këto shembuj disi  çoroditës për të vënë theksin tek “pushteti” i vërtetë që fillon tek familja, si “qelia” e parë e lirisë sonë. Në  shoqëritë e perëndimit kjo merret shumë seriozisht dhe ka shumë shembuj se si një familje e mirë është si një koshere që ofron “mjaltë” dhe “pite plot”, sikurse ka mjaft demonstrime të ekstremit tjetër kriminal, që shpesh mbeten enigmë sociale.

Nuk ka gjë më tragjike se sa kur “rrënohet” pushteti i prindërit në familje. Aty fillon “saga” dëshpëruese dhe tmerri i  papërshkruar. Nuk ka nevojë të gërmojmë aq shumë: Le ta shohim Shqipërinë tonë “në liri dhe demokraci”: Një fidanishte “krimi” si kjo e sotmja nuk është imagjinuar kurrë. Si është e mundur? Çfarë humbi shoqëria shqiptare? A nuk kemi qënë ne që deri dje ishim “shoqëria e shëndoshë”? Pa krime. Pa vrasje. Pa vjedhje lemeritëse… Kot kërkoni t’i shihni këto radhë si “nostalgji” ndaj diktaturës. As që dua t’ia di për sharamanët e kohës. Më dhemb realiteti që jetojmë, sepse e gjitha ka ardhur nga “shurrimi” kombëtar që i bëmë diktaturës.  Nuk ditëm të merrnim asgjë të mirë, që në fund të fundit ishte “investim kombëtar”, ishte mundi ynë shoqëror… Ne, përbindshëm mohuam çdo gjë duke kujtuar se shoqëria “ndërtohet nga zero”. Asnjë shoqëri nuk ka mundur të ndërtohet nga zero dhe kurrë nuk mund të ndodhë. Çdo organizim shoqëror “huazon” nga e shkuara duke krijuar një shtresim vlerash të pakundërshtueshme. Ne nuk e bëmë këtë kurrë. Ne jemi kombi që “shkelmojmë” çdo vlerë tonën dhe “fillojmë  nga e para”. Kështu bënë “shokët e Enverit” duke filluar nga zero dhe duke injoruar çdo të mirë që  mund të kishte krijuar shoqëria shqiptare para pushtimit fashist më 1939. Kështu bënë “pardesytë e bardha” kur diktatura “lëngonte” duke  ofruar “çekun bardhë” që nuk u pa kurrë…

Nuk vihet në dyshim se diktaturat krijojnë një “alergji universale”, por një errësim i arsyes, krijon boshllëkun e frikshëm që ngjall “mungesa e frikës”. Jo më kot ne kemi  shprehjen “Frika i ruan vreshtat”, por bashkë me frikën, ne “vramë edhe vreshtarët”. Mjafton t’i hedhësh një sy “hartës së krimit” në Shqipëri dhe do lebetitesh. Të etur për liri, nën efektin “novokainë” ne shkatërruam çdo vlerë që kishim ndërtuar si shoqëri dhe bashkëekzistencë duke e quajtur “të kohës së Enverit” dhe harruam se ishte fryt i punës sonë. Ne, përmes furtunave të kohës, përmes dhimbjes dhe moskamjes, ruajtëm një “rend në familje”. Kishte një respekt të brendshëm, kishte britma dhe klithma, por të gjitha për një qëllim: të ruhet vlera e moralit. Por ne ishim histerikë në urrejtjen tonë ndaj çdo gjëje që kishim mundur të krijonim. Siç thoshin filozofët idealistë në dyluftim  me materialistët marksistë ne “bashkë me ujin plaçentar hodhëm edhe beben” që ishte vlera jonë shoqërore. Familja u ç’bë. “Liria pa kufi” kudo dhe në çdo familje. Etja për fitim, një epsh i pakontrolluar dhe sot shoqëria shqipare çdo ditë më shumë dëgjon vrasje, krime, prita, atentate, bomba dhe shpërthime si kurrë më parë…

Pse humbëm paqen dhe vlerat që kishim? Pse rrënuam çdo gjë që ishte “fryti ynë”?… Sepse nga “lart”, shembulli i anarshisë, mosbindjes, klithmave dhe urretjes “mes vedit” ishte “qumështi” i bebeve që lindën pas viteve 90-të. Tashmë pas 3 dekadash, ne “korrim sukseset” e demokracisë që deshëm.

Diktatura nuk është  në çdo gjë e keqe. Ne kemi keqkuptuar shumë gjëra dhe me sa duket  çdo gjë është bërë “në emër të tregut”. Rënimi i çdo gjëje është “fitim i tjetrit” dhe siç ka ndodhur historikisht shqiptarët janë “myshterinj të adoptueshëm”. Ne u adoptuam për të humbur çdo vlerë dhe për të zhbërë familjen, që është “tulla” sociale ndërtuese e çdo shoqërije. Të  gjitha të çjerrat se çdo gjë diktatoriale “është e keqe”, rrëzohen thjesht duke parë të tashmen ku çdo politikan kërkon pushtet sepse e di “fuqinë e diktaturës” që do të thotë zotërim i pushtetit. Pse motua e çdo politike mbetet pushteti? Sepse pushteti është “biznesi më i madh” përmes të cilit bëhen të gjitha. Le ta themi, çdo lloj pushteti është një “lloj diktature” por varet se si ajo aplikohet tek qytetari.

Në Amerikë,  qeveria nuk të dikton në asgjë, por nuk të fal po nuk  paguan taksat çdo vit. Evazionet fiskale janë krimet më të dënueshme në demokracitë perëndimore, ku “diktatura” është përkthyer në fuqi detyruese paguese me një pafundësi ligjesh dhe rregullash që janë “rrjeta” ku nuk kalon dot asnjë  “cironkë”. Nëse nuk paguan detyrimet ndaj qeverisë, nuk je i lirë, madje nëse nuk paguan taksat e shtëpisë që ke në pronësi, edhe po ta kesh paguar bankën, qevereria të “shpronëson” duke ta marrë shtëpinë dhe duke të bërë të jetosh në rrugë… A  mund të quhet kjo “diktarurë” apo një realitet që nuk mohohet? Pse të “shpronëson” qeveria në demokraci po nuk pagove taksat? Sepse ajo ka pushtet dhe dikton sipas interesave të veta. Nuk do kishte qeveri të fuqishme pa “taksat nga populli”…

Zhurma rreth diktaturës është  shurdhuese, sidomos për ata që nuk e njohin realisht “pushtetin e dollarit” në  perëndim. Por duke u kthyer tek rrëfenjëzat në fillim të këtij shënimi: A është vërtet diktatura aq “gjë e keqe”? Natyrisht kur ajo  kalon kufijtë, është e dëmshmë dhe po aq e dhimbshme, madje e neveritshme. Por ajo ka “vlerat e veta”. Secili nga ne harron një të vërtetë universale që ne ekzistojmë si rezultat i një “diktature biologjike”. Çdo qënie njerëzore është rezultat ekzistencial i “diktaturës bio-fiziologjike”. Edhe ata që bërtasin më shumë “poshtë diktatura” janë  një “shembull diktature”  i trurit të tyre. Ne, unë, ti, ai, ajo, ata, ato të gjithë, madje duke filluar nga milingonat, pa harruar viruset e padukshme, jemi “dëshmitarë” të “mrekullisë së diktaturës”. Ne të gjitha veprimet dhe të gjitha mendimet tona i kemi si rezultat i “diktaturës” së trurit tonë. Mendoni një çast kur truri “humb kontrollin” mbi fizikun tonë…(Mos i ndodhtë askujt).

Ja pra, diktatura nuk është thjesht ai “tmerri” i rrëfyer e i “zhgërryer” në mediumet shqiptare. Ajo është një bashkëudhëtare e çdo qënie biologjike e shoqërore. Abuzimet me të janë të dëmshme, por në vetvete ajo është  edhe e dobishme. Çdo qeveri ka frymën “diktatoriale” ndaj nëpunësve të vet, ndryshe ajo nuk qeveris dot.

Një shprehje e urtë thotë “Druri ka dalë nga xheneti…”, por varet si përdoret. Duket se hebernjtë dinë ta përdorin mençurisht që në “shqytkat” e bebeve të tyre. Ndaj edhe kudo i ke të suksesshëm…

Diktatura, një “bekim” që përgjithësisht mallkohet edhe pse jetojmë në “saj të saj”.

 

Minneapolis, 21  Mars 2023.

 

 

Please follow and like us: