Albspirit

Media/News/Publishing

Kreu i Vatrës, Elmi Berisha replikon me Adi Krastën

Në cilësinë e kryetarit të Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”, po ju drejtohem me këtë letër si përgjigjie dhe reagim ndaj disa pretendimeve të pabaza që u thanë në TV “Syri” në emisionin tuaj “A show” Krasta të datës 21.03.2023.Z. Krasta, Që nga zgjedhja ime në krye të Vatrës mund të konstatoj me mburrje se ka filluar një dinamikë e re e menaxhimit, zhvillimit dhe rritës së organizatës më të vjetër dhe më prestigjioze të komunitetit shqiptar që jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në trendet e kohës moderne, në rrethana të tjera politike, socio-ekonomike dhe dinamikës së globalizmit, ne vazhdojmë me mburrje rrugën e themeluesve të kësaj organizate Nolit dhe Konicës duke punuar në interes të komunitetit tonë në SHBA dhe duke mbështetur fuqishëm Shqipërinë, Kosovën dhe të gjitha trojet etnike ku jetojnë shqiptarët. Ne veprojmë në suaza të legjislacionit të SHBA-ve dhe Kanunores së Vatrës, duke i respektuar në përpikmëri. Kam kënaqësinë të ju informoj se që nga ardhja ime në krye të Vatrës ka një interesim dhe dinamikë të jashtëzakonshme të komunitetit tonë në SHBA për angazhime dhe aktivitete në interes të komunitetit tonë por edhe në interesin nacional të shqiptarëve kudo që janë. Janë themeluar tetë degë të reja, këto ditë do të themelohen edhe të tjera, janë kyqur mjaft të rinjë e të reja me pregaditje arsimore dhe ekspertizë të jashtëzakonshme, e në veçanti më gëzon fakti i angazhimit të madh të femrave shqiptare gjithandej SHBA-ve, shumë nga ato me grada akademike dhe me influencë të madhe në qarqet akademike, diplomatike dhe në opinionin publik në SHBA. Pretendimet e njerëzve pa peshë se “gjoja kemi informacione se Vatra do të nënshkruaj marrëveshje politike dhe për interesa ekonomike me Edvin Ramën” është një shpifje, e pavërtetë dhe tendencioze. Federata Panshqiptare “Vatra” ka nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, me pëlqimin e të gjitha grupeve politike në Kuvendin e shtetit të Kosovës, si institucion që reflekton vullnetin politik të popullit të Kosovës. Asnjë “lloj marrëveshje” nuk është bërë me asnjë institucion në Shqipëri. Ne do të vazhdojmë të punojmë me institucionet legjitime në Shqipëri, Kosovë, me të zgjedhurit shqiptarë në institucionet e Republikës së Maqedonisë Veriore, Malit të Zi dhe Luginës së Preshevës. Ne nuk ndërhyjmë dhe nuk anojmë politikisht në proceset elektorale kudo dhe kurdo që organizohen ato në trojet etnike. Ne jemi organizatë me koncept nacional dhe atdhetar dhe do jemi gjithmonë pranë institucioneve të Shqipërisë, Kosovës dhe trojeve etnike shqiptare gjithmonë në mbrojtje, avansim dhe prosperitet të gjithmbarshëm të kombit tonë. Angazhimet tona në institucionet e shtetit amerikan duke filluar nga Shtëpia e Bardhë, Departamenti i Shtetit, Senati dhe Kongresi i SHBA-ve janë të përditshme, permanente dhe tejet efikase në interesin kombëtar të të gjithë shqiptarëve. Kemi raporte dhe marrëdhënie të shkelqyeshme me të dy përfaqësitë diplomatike të SHBA-ve në Tiranë dhe Prishtinë. Në Prishtinë edhe kemi bërë aktivitete të përbashkëta që tregon për respektin dhe besimin që gëzon “Vatra” dhe lidershipi i saj te institucionet amerikane. Demokratizimi i mëtejmë i shtetit shqiptar, forcimi i shtetit ligjor dhe zhvillimi ekonomik mbeten angazhim permanent dhe është mision i Vatrës, mbështetja për shtetin e Kosovës në përmbylljen e etapës së fundit të shtetësisë dhe proceseve integruese është obligim dhe imperativ i veprimtarisë së organizatës sonë, gjithmonë me fokus të posaqëm për fatin dhe avansimin e pozitës dhe rolit të shqiptarëve në trojet etnike. Unë personalisht dhe “Vatra” nuk do të ndalemi së punuari për avansimin dhe zhvillimin e gjithmbarshëm të kombit tonë. Nuk ka person, grupacion, mjet, presion por as propagandë që na zmbraps nga ky mision.

Me konsideratë,

Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”,

Dr. Elmi Berisha

Please follow and like us: