Albspirit

Media/News/Publishing

Struan Stevenson: Një vit jo i lumtur për Iranin

Novruz, Viti i Ri Persian, fjalë për fjalë do të thotë “Ditë e Re”. Ardhja e pranverës dhe rizgjimi i natyrës është një periudhë frymëzimi për të gjithë iranianët. Fatkeqësisht, për 85 milionë iranianë, një shoqëri e tillë nuk ekziston. Regjimi teokratiko-fashist i mullahëve ofron vetëm represion, mizori, padrejtësi, torturë, korrupsion dhe eksport të terrorit. Fakti që ata e bëjnë këtë në emër të Islamit është fyerje dhe turp. Këtë vit iranianët do të luten që Novruzi të sjellë lulëzimin e një të ardhmeje të re dhe më të mirë për Iranin dhe t’i japë fund vuajtjeve prej dekadash nën diktaturën tiranike të mullahëve dhe para saj, nën despotizmin e egër të Shahut.

Ndërsa kryengritja mbarëkombëtare vazhdon në muajin e saj të shtatë, që nga vrasja shtatorin e kaluar të vajzës së re kurde Mahsa Amini në duart e ‘policisë së moralit’, më shumë se 750 protestues janë vrarë dhe mbi 30,000 të tjerë janë arrestuar. Njësitë e guximshme të Rezistencës të Muxhahedinëve të Popullit të Iranit, Mojahedin-e Khalq (PMOI/MEK), lëvizja kryesore opozitare demokratike, janë përhapur në qytetet në mbarë vendin, duke koordinuar kryengritjen, e cila po shkon vazhdimisht drejt një revolucioni të plotë. Ndryshe nga protestat masive të mëparshme, të cilat u nxitën nga shqetësimet ekonomike dhe zemërimi për zgjedhjet e falsifikuara, këtë herë turmat po kërkojnë ndryshimin e regjimit. “Vdekje liderit suprem. Vdekje mullahëve”, janë thirrjet e vazhdueshme të protestuesve.

Sanksionet paralizuese të Perëndimit dhe dekada të keqmenaxhimit ekonomik e kanë zhytur Republikën Islamike në një krizë të rëndë. Monedha e Iranit, riali, kohët e fundit ka rënë në një nivel rekord të ulët, duke zhdukur kursimet e jetës të njerëzve dhe duke i bërë edhe disa artikuj bazë të papërballueshëm. Riali tani vlerësohet në 600,000 për një dollar amerikan, nga 32,000 për dollar që ishte në kohën kur u nënshkrua marrëveshja e mangët bërthamore e Obamës në vitin 2015. Do të duhej pothuajse një karrocë me rialë për të blerë një bukë. Pak njerëz do të jenë në gjendje të përballojnë koston e lartë të ushqimit dhe artikujve të festave, të cilat janë një pjesë e zakonshme e Novruzit. Zyrtarët iranianë pranojnë se inflacioni është rritur mes 40 dhe 50 për qind, megjithëse disa ekonomistë besojnë se norma e vërtetë e tij është shumë më e lartë. Arrat, ëmbëlsirat dhe produktet e tjera kryesore për festën e Novruzit tani janë të papërballueshme.

Mullahët shpresonin që sanksionet e perëndimit të hiqeshin në këmbim të pajtueshmërisë së tyre të përtërirë me marrëveshjen bërthamore. Por shtypja e tyre brutale ndaj demonstratave paqësore, ekzekutimi i protestuesve të rinj dhe furnizimi skandaloz me dronë të armatosur i Vladimir Putinit për luftën e tij të paligjshme në Ukrainë, kanë zgjeruar përçarjet me Perëndimin dhe kanë minuar çdo mundësi për një ringjallje. Të irrituar, mullahët kanë çmontuar kamerat e vëzhgimit të vendosura nga Autoriteti Ndërkombëtar i Energjisë Atomike (IAEA) për të monitoruar objektet e tyre bërthamore dhe pretendojnë se kanë pasuruar uranium në 83.7 përqind pastërti, një hap i shkurtër larg pastërtisë 90 përqind që kërkohet për të krijuar një bombë bërthamore. Gjithsesi, ka prova gjithnjë e më të forta se regjimi teokratik ka përdorur petkun e marrëveshjes bërthamore që në fillim si një hile për të kamufluar përpjekjet e tij për të zhvilluar një armë bërthamore.

Zyrtarët e regjimit kanë fajësuar sanksionet e ‘presionit maksimal’ të Presidentit Trump për problemet e tyre ekonomike, por sanksionet nuk janë të vetmit fajtorë. Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), Gestapoja e mullahëve, kontrollon mbi 70 për qind të ekonomisë, nuk paguan taksa dhe i përgjigjet vetëm Udhëheqësit Suprem, Ajatollah Ali Khameneit. Që nga revolucioni islamik në vitin 1979 i cili solli mullahët në pushtet, IRGC-ja ka shtrydhur sistematikisht sektorin privat, duke penguar rritjen ekonomike. Korrupsioni i tyre flagrant ka bërë që zyrtarët e lartë të IRGC-së të jetojnë në luks, shumë prej tyre me vila luksoze në Turqi dhe vende të tjera në Lindjen e Mesme, ndërsa iranianët e zakonshëm vdesin nga uria. Por varësia e tyre nga të ardhurat e naftës është reduktuar tej mase nga sanksionet, duke ua kufizuar aftësinë për të financuar Bashar al-Assad në Siri, rebelët Houthi në Jemen, Hezbollah në Liban, Hamas në Gaza dhe militantët Shi’ia në Irak.

Arsyeja e ekzistencës së IRGC-së përmblidhet ekskluzivisht në shtypjen e popullit dhe ndërhyrjen në punët e vendeve të tjera me qëllim zgjerimin e ndikimit keqdashës të regjimit iranian. Ndërhyrja në punët e brendshme të vendeve të tjera dhe veçanërisht eksportimi i terrorizmit dhe fondamentalizmit, ka qenë për vite me radhë një shtyllë strategjike për mbijetesën e Teheranit. Ekspansionizmi luftarak i IRGC-së në Lindjen e Mesme çoi në listimin e saj si një organizatë e huaj terroriste nga SHBA. Megjithatë, ndonëse figura të larta të lidhura me IRGC-në janë sanksionuar nga BE dhe Mbretëria e Bashkuar, ka pasur rezistencë të vazhdueshme ndaj futjes në listën e zezë të të gjithë organizatës.

Për një kohë tepër të gjatë, Irani dhe IRGC kanë përfituar nga politika e paqësimit e Perëndimit, jo vetëm duke i vënë flakën gjithë Lindjes së Mesme, por gjithashtu duke shtypur popullin iranian përmes shkeljeve mizore dhe të përsëritura të të drejtave të njeriut dhe krimeve kundër njerëzimit. Vendosja e IRGC-së në listën e zezë në Evropë është tejet e vonuar dhe do të jetë një hap i parë dhe i domosdoshëm në frenimin e mizorive iraniane. Dhe vërtet, lëshimi i një urdhër-arresti për Vladimir Putin nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) ka krijuar një precedent interesant. Nëse ICC mund të lëshojë një urdhër arresti për një kryetar shteti aktual për krime lufte dhe shkelje të të drejtave të njeriut, atëherë ata mund të ndërmarrin veprime të ngjashme kundër Ajatollah Khameneit dhe Presidentit iranian, Ebrahim Raisit, i ashtuquajturi ‘Kasapi i Teheranit’, te cilët të dy kanë histori të njollosura me gjak. Regjimi i Khameneit dhe Raisit lejon torturat dhe burgosjet arbitrare, diskriminon gratë dhe inkurajon rrahjet publike me kamxhik, nxjerrjen e syve, amputimet dhe varjen si mjete për të terrorizuar popullsinë e vet në mënyrë që ajo të nënshtrohet. Ata duhet të mbahen përgjegjës për krimet e tyre.

Është padyshim e qartë se politika e Perëndimit për marrëdhënie të vazhdueshme me regjimin iranian, duke i mbyllur për vite të tëra sytë ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe sponsorizimit gjithnjë e më të madh të terrorizmit, është një politikë që ka dështuar. Në të vërtetë, ajo thjesht i inkurajoi mullahët për represion të mëtejshëm në vend dhe terrorizem jashtë vendit. Nuk mund të ketë asnjë shpresë për reformë brenda kësaj diktature teokratike. Siç e dinë 85 milionë iranianë, e vetmja zgjidhje për Iranin dhe gjithashtu për paqen dhe stabilitetin në rajon, është ndryshimi i regjimit në Teheran. Le të shpresojmë që ky Novruz të jetë i fundit nën tiraninë fashiste të mullahëve.

Please follow and like us: