Dr. Vlora Obertinca: Bëni gjithmonë atë që e do shpirti…
“Nuk predikohet askund sekreti se si të jetohet jeta në mënyrën më të mirë të mundshme apo si të zbatohet mendimi pozitiv. Kështu njeriu, sikurse bateria, konsumohet dhe harxhohet, deri në djegie (burn out). Nuk gjen mbushës për baterinë e quajtur njeri” – Dr. Vlora Obertinca.
Kjo jetë u takon njerëzve të guximshëm, që e kuptojnë se kanë vetëm një jetë për të jetuar në formë fizike, sepse ne jemi qenie shpirtërore që jetojmë në trupin e njeriut dhe në këtë trup, në këtë kohë, në këtë moment, nuk kthehemi më dhe, kur ikim nga kjo jetë, marrim me vete vetëm ato kujtime që janë më të bukura, që realisht janë kujtime që i kemi përjetuar, kur e kemi dëgjuar thirrjen e shpirtit, që të jetojmë në hap me pasionet e shpirtit tonë, momente që mund t’i numërojmë me gishta, sa të pakta janë.
Secili nga ne duhet të ndjek pasionin e jetës – që do të thotë të bëjmë çdo gjë që na bënë të lumtur. Kjo sepse çdo punë që bëhet me dëshirë dhe vullnet përcillet në ndërdije me dritën e dashurisë e cila e përjeton frekuencën më të lartë të saj me pasion, që në fakt është njëkohësisht edhe lumturimi i shpirtit tonë.
Bëni gjithmonë atë që e do shpirti, sepse kur e do shpirti e do edhe zemra, e kur e do zemra e do edhe trupi dhe mendja jonë, e me këtë realizohet jeta e jonë e lumtur në baza ditore.
Fragment nga libri “Vera e shpirtit”. Librin mund ta porositni online brenda Kosovës tek Libraria Artini – Toena, si dhe jashtë Kosovës në librarinë Dukagjini.