Albspirit

Media/News/Publishing

Ilirjan Gjika: Mbi vdekjen e Skënderbeut…

Nga se vdiq Skënderbeu?! A vdiq nga ethet e malarjes? Deri tani historografia jonë kësaj pyetjeje nuk i është ‘përgjigjur’ saktë. Vdekja e Heroit është trajtuar në mënyrë ‘tangenciale’ pa u specifikuar saktë dhe në mënyrë të hollësishme. Në tekstet zyrtare nuk jepet shkaku i vdekjes. Ndërkohë që autorë të ndryshëm na japin përshkrime më të plota. Pjesa më e madhe e tyre theksojnë se Skënderbeu vdiq nga ethet. Por cilat ethe i shkaktuan vdekjen Skënderbeut? Ato të malarjes?! Le t’i japim përgjigje kësaj pyetjeje duke i ‘rreshtuar’ faktet dhe argumentet njëri pas tjetrit.

***

Skënderbeu vdiq në Lezhë në 17 janar të vitit 1468 dhe u varros në katedralen e Shën Kollit. Për këtë ngjarje të dy tekstet zyrtare të ‘’Historisë së Shqipërisë’’, të botuara nga Instituti i Historisë dhe Akademia e Shkencave, janë shumë të ’kufizuara’ në përshkrime. Duke mos u futur në hollësi rreth këtij problem, ato nuk e theksojnë sëmundjen dhe shkaqet që e shkaktuan atë. Në botimin e parë, atë të vitit 1959, të titulluar ‘’Historia e Shqipërisë’’, për vdekjen e Heroit thuhet: ‘’Në pragun e kuvendit një ushtri turke, duke ardhur nga Kosova, sulmoi Shkodrën. Skënderbeu, i cili atë ditë ndodhej i sëmurë në Lezhë, nuk mundi të merrte pjesë në luftime. Ushtria shqiptare këtë radhë luftoi pa komandantin e vet dhe korri mbi turqit një fitore tjetër. Pas pak ditësh, më 17 janar 1468, i mbuluar me lavdi të përjetshme, Gjergj Kastriot Skënderbeu, vdiq në Lezhë (Selim Islami-Kristo Frashëri, Historia e Shqipërisë, I, Tiranë 1959, f. 308). Po kështu edhe në botimin e vitit 2002, të titulluar ‘’Historia e Popullit Shqiptar’’, vdekja e Skënderbeut trajtohet në të njëjtën mënyrë. ‘’…Në janar 1468 Skënderbeu thirri në Lezhë kuvendin e fisnikëve të vendit. Ndërkohë një ushtri osmane e ardhur nga Kosova, sulmoi viset e Shkodrës. Ushtria shqiptare u mobilizua menjëherë, u doli përpara forcave armike dhe korri fitore në betejën që u zhvillua pranë lumit Kir. Këtë herë shqiptarët luftuan pa komandantin e tyre, Skënderbeun i cili në atë kohë u sëmur’’ (Grup autorësh, Historia e Popullit Shqiptar, I, Toena, Tiranë 2002, f. 456). Ndërkohë që burimet e ndryshme, dokumentet dhe tekstet historike, na japin informacion më të bollshëm rreth vdekjes së Skëndërbeut.

I pari dokument zyrtar që na njofton vdekjen e tij është letra e ambasadorit të Milanos në Venecia, Girardo De Collis. Pasi lajmi për vdekjen e Heroit mbërriti në Venedik, në 12 shkurt të vitit 1468, ambasadori milanez nuk nguroi, por i shkroi një letër urgjente dukës së Milanos, Galeazzo Maria Sforza, pikërisht atë ditë, duke njoftuar se: ‘’Skënderbeu u nda nga kjo jetë. Kish ethe dhe, meqë vendin po e përshkonin turqit, deshi t’i hipte kalit, e vdiq brenda tre ditëve, (Monumenta Hungaria e Historica, Nagy-Nyary, 1466-1490, nr 59, f. 93).

Më pas lajmi u ‘mori dhenë’ në të gjithë Europën. Njoftimin e përhapur në territoret venedikase e mësoi në Santa Maura, në ishullin e Jonit edhe historiani bizantin, Sfrances, i cili në ’kronikën’ e tij shkroi: “Në vitin 1467, në muajin nëntor edhe unë shkova në Santa Maura… Kurse në muajin janar po të njëjtit vit (1468) vdiq prej vdekjes natyrale sundimtari i Shqipërisë i quajturi Skënderbe (Koço Bozhori, Lufta Shqiptaro-Turke në shekullin e XV, burime bizantine, Tiranë 1967, f. 108).

Edhe bashkëkohësi i Heroit, Gjon Muzaka, i cili ishte i pranishëm në Shqipëri në vitin 1468 kur vdiq Skënderbeu, kohë më vonë, pikërisht në vitin 1510, do të shkruante në testamentin e tij, se: “Vetë Skënderbeun e cfilitur nga armiqtë e gati të pashpresë e zunë ethet në Lezhë, ku edhe vdiq…”. (Kronika e Gjon Muzakës, cituar te Pëllumb Xhufi, Nga Paleologët te Muzakajt, SH.B. 55, Tiranë 209, f. 419). Po kështu edhe Dhimitër Frëngu (1443-1525), një nga bashkëpuntorët e ngushtë të Skënderbeut dhe dëshmitar okular i kësaj ngjarjeje, shkruan kështu në veprën e tij “Komentar për punët e turqve dhe të Gjergj Kastriotit, princ i Epirit”, se heroi: “…u detyrua të ndalej për një kohë të gjatë në atë vend, sepse e zuri një ethe e fortë”, (Komentar për bëmat e turqve dhe të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, princ i Epirit, cituar te Kristo Frashëri, Skëndërbeu dhe Lufta Shqiptaro-Turke në Shekullin e XV, I, Toena, Tiranë 2005, f. 348).

Por autori që e përshkrun më gjerësisht vdekjen e Skënderbeut është biografi i tij, Marin Barleti. Në historinë e tij, të botuar në vitin 1510, 44 vjet pas kësaj ngjarjeje, Marin Barleti shkruan se “në kohën kur ai e kish shëtitur me kalë të tërë krahinën për të shikuar ushtrinë dhe kishte arritur më në fund në Lisos, për të thirrur atje në mbledhje shokët dhe të konfederuarit… e zunë një palë ethe të rënda” (Marin Barleti, Histori e Skënderbeut, Tiranë 1964, f. 489).

Më pas në librat e ndryshëm të historisë vijojnë pohimet për një vdekje natyrore të Heroit. Dhe të gjithë i referohen të dhënave të para, se Skënderbeu vdiq nga ethet por pa e përcaktuar se cila sëmundje i shkaktoi ato. Biemi ose siç quhet ndryshe edhe Tivarasi, thekson se Skënderbeun “e zunë një palë ethe të forta që e detyruan të zinte shtratin”, (Giovanni Maria Biemmi, Istoria di Giorgio Castrioto detto Scander-Begh, G. M. Rizzardi, Brescia 1756). Kështu Zhan Klod Faverial, një tjetër autor shkruan se “më në fund, një palë ethe të larta e ndajnë nga kjo botë, në kohën kur ai po hartonte planet për operacione të reja bashkë me fisnikët shqiptarë, të mbledhur në Lezhë”, (Zhan Klod Faverial, Historia e Shqipërisë, Plejad, Tiranë 2004, f. 284). Edhe Fan Nolin në të gjitha botimet e tij për historinë e Skënderbeut e pranon faktin se Skënderbeu vdiq nga ethet.

Në botimine parë të vitit 1921, të titulluar ‘’Histori e Skënderbeut’’, Noli shkruan midis të tjerave se “atje (në Lezhë) u sëmur nga ethet dhe u shtri në shtrat nga i cili su ngrit më”, (Noli, Vepra IV, Tiranë 1989, f. 194). Ndërkohë që këtë gjë ai e pohon edhe tek botimi dytë, ai i vitit 1947, i titulluar ‘’Gjegj Kastrioti Skënderbeu’’ (Po aty, f. 388).

Edhe Abas Ermenji shkruan për këtë rast se “…Skënderbeu u sëmuar nga ethet”, (Abas Ermenji, Vendi që zë Skënderbeu në historinë e Shqipërisë, Çabej, Tiranë 1996, f. 86).

Ndërsa publicisti dhe shkrimtari Tajar Zavalani, në veprën e tij të botuar në Londër “Histori e Shqipnis”, përveç pranimit të këtij fakti bën edhe një përshkrim të letrarizuar. Ai shkruan se Skënderbeu “…u mposht nga një ethe e mallkuar që nuk i gjendej dermani”, (Tajar Zavalani, Histori e Shqipnis, Phoenix e Shtëpia e Librit, 1998, f. 133).

Vdekjen e Skënderbeut nga ethet e pranon si fakt edhe historiani Kristo Frashëri. Tek libri i tij ‘Skëndërbeu, jeta dhe vepra’, ai citon për këtë rast, autorë të tillë si Marin Barletin, Gjon Muzakën, apo ambasadorin e Milanos Girardo De Collis (Kristo Frashëri, ‘’Skënderbeu, jeta dhe vepra’’, Toena, Tiranë 2002, f. 476).

***

Deri më sot, bashkëkohësit e Skëndërbeut dhe shumica e autorëve të vjetër dhe të rinj, të cilët janë marrë me studimin e historisë së jetës dhe veprimtarisë së tij, pohojnë faktin se shkaku i vdekjes së Heroit ishin ethet e forta. Të bazuar këtu të tjerë studjues argumentuan se këto edhe erdhën prej sëmundjes së malarjes.

Fillimisht ishte Ernest Koliqi, ai që e theksoi një gjë të tillë. Si njohës i mirë i traditave të arbëreshëve të Italisë së Jugut, shkrimtari i njohur e gjeti këtë të dhënë në komunitetet e tyre, të cilat i kishte vizituar shumë herë përgjatë viteve që jetoi në Itali. “Dyndja e shqiptarëve drejt Italisë u ba ma e dendun mbas vdekjes së Skanderbegut prej etheve malarikë në Lezhë, kallndorin e vitit 1468”, referonte dikur Koliqi, në një koferencë për Skënderbeun, të mbajtur në Kozencë, në vitin 1964 (Ernest Koliqi, Vepra 4, Sh. B. Faik Konica, Prishtinë 2003, f. 119).

Autori tjetër që e pohon këtë gjë është Edwin Jacques. Në librin e tij ‘Shqiptarët’, ai pohon se Skënderbeu vdiq nga malarja (Edwin Jacques, Shqiptarët, Kartë e Pendë, 1995, f. 212).

Ndërkohë që pranimi i faktit se Skënderbeu vdiq nga sëmundja e malarjes vjen edhe nga fusha e mjekësisë. Do të ishte Anton Ashta, mjeku që u mor gjatë gjithë jetës së tij me studimin dhe luftën kundër sëmundjes së malarjes në Shqipëri, i cili do të theksonte se “malarja këputi edhe jetën e Herojt tone, Skëndërbeut”, (A. Ashta, Malarja në Shqipni, U. SH. T, Tiranë 1961, f. 80). Dhe për treguar dëmet që sillte kjo sëmundje dr. Ashta e ilustron në këtë mënyrë situatën. “Në vendin tonë malarja ka qenë sëmundja që prej kohnave ma të lashta ka damtue randë shëndetin e popullit me të gjitha pasojat shkatërrimtare”, shkruan dr. Ashta në studimin e tij ‘Malarja në Shqipni’. “Shumë qytete bregdetare të vendit tonë plot gjallni dhe tregti në shekujt e kaluem sot janë gërmadha, e nji ndër shkaqet e rrënimit ka qenë malarja. Mjafton me i lëshue nji sy rretheve të Butrintos, Durrësit dhe Shkodrës për të pa damet e shkaktueme nga epidemitë malarike. Në 1470 sa për të paraqit një shembull, nji epidemi e randë malarike u zhvillue në Shkodër e ushtrija turke që rrethonte Shkodrën pësoi prej malarjes nji humbje prej 20 000 vetash”, (Po aty, f. 7). Nëse do t’i referohej këtij autori, shohim se Lezha, vendi ku vdiq Heroi përfshihej në zonën me infeksion të rëndë malarik. Po t’i referohet statisikave të vitit 1945 indeksi i njerëzve me shpretkë të zmadhuar në këtë zonë arrinte në shifrën 20.6 %, (Po aty, f. 86). Ndërkohë që në të kaluarën nuk ishte vetëm rajoni i Ultësirës Perëndimore që vuante nga malarja. Në një shkallë më të vogël, malarja ishte ekzistente edhe në zona të tjera të Shqipërisë, si në Krujë, Mat dhe Dibër, të cilat dikur ishin pjesë përbërëse e principatës së Kastriotëve dhe shtetit të Skënderbeut. Në këto territore, Heroi, ushtroi një veprimtari të dendur në vitet e fundit të jetës dhe sipas të gjitha gjasave kishte qenë i ekspozuar ndaj kësaj sëmundjeje. Kështu sipas dr. Ashtës, në vitit 1927 në Burrel, statistikat tregojnë se indeksi i popullsisë së infektuar nga ky virus arrinte në shifrën 21% të popullsisë, (Po aty, f. 106). Ndërsa në Peshkopi ky indeks pas çlirimit (viti 1945) ishte 21%, (Po aty, f. 38), kurse në zonën e Krujës, në vitet 1929-1939, indeksi arrinte shifrën 6.1 % (Po aty, f. 113). Nga këto të dhëna mund të themi se Heroi mund të jetë infektuar virusi i malarjes, i cili në vitin 1467 e gjeti organizmin e tij të lodhur dhe të drobitur nga luftërat pa fund, ecejaket diplomatike dhe gjendja kritike e shtetit të tij përballë turqve osmanë. Në atë kohë Skënderbeu 63 vjeçar, ia kishte kushtuar jetën një shërbimi intensiv ushtarak, i cili e kishte bërë të vetën. Ndeshjet e stërzgjatura me osmanët, impenjimi fizik, angazhimi i drejtëpërdrejtë në luftime, rrethimet e Krujës, jeta në fushim e kishin rrënuar shëndetin e tij. Kjo gjë dëshmohet edhe nga të pranishmit dhe dëshmitarët që e panë atë gjatë vizitës që Skënderbeu bëri në Romë te Papa në vitin 1467. “Kështu i sëmurë rëndë nga malarja, Skënderbeu, ra në shtrat dhe e ndjeu fundin. Në këto kushte ai thirri të gjithë bashkëpuntorët dhe njerëzit e afërt duke i dhënë këshillat dhe porositë e fundit. Pasi qëndroi në këtë gjendje për tre ditë, Heroi vdiq duke mbyllur kështu, një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë së Shqipërisë.

***

Në historiografi ekzistojnë edhe disa hipoteza të tjera të cilat theksojnë se Skënderbeu vdiq nga shkaqe të tjera. Ndër to, më kryesorja dhe më intriguesja është ajo që thekson se Heroi vdiq nga helmi. Autori i saj është Rafael Volaterrano i cili tek ‘Komentarët’ e tij shkruan se Skënderbeu “vdiq i helmuar”, (Rafael Volaterrano, Comentari, libri III, f. 188). Interesantja e kësaj teze është se ajo ka nxitur herë pas here autorë të ndryshëm, të cilët në shkrimet e tyre e kanë trajtuar idenë se Skënderbeu mund të jetë helmuar nga fuqitë perëndimore, të cilat kërkonin që në këtë rajon të mos kishte konflikt me osmanët.

Ndërkohë që një tezë tjetër ka qenë edhe ajo që theksonte se Heroi ra në shtrat dhe vdiq pasi u plagos në betejë. Pavarësisht se teza të tilla janë intriguese për publikun, ato kanë rënë për disa arsye. Edhe nëse Skënderbeu do të ishte helmuar siç ka ndodhur shpesh edhe me personazhe të tjerë të historisë, një gjë e tillë nuk mund të vërtetohet. Kjo sepse eshtrat e Heroit nuk ekzistojnë dhe në mungesë të varrit të tij të zhdukur nuk mund të bëhet asnjë lloj analize laboratorike, praktikë e njohur dhe e aplikuar tashmë. Po kështu, edhe Volaterrano nuk është shumë i besueshëm si autor, për disa trajtime që i bën historisë së Skënderbeut. Jo vetëm kjo, por hipoteza nga një vdekje prej helmit nuk mbështetet nga autorët e hershëm bashkëkohës apo dëshmitarët okularë. Duhet theksuar se nëse do të kishte dyshime për një gjë të tillë, denoncimet apo dyshimet do të hisheshin fillimisht prej vetë familjes së Heroit. Gjatë gjithë kohës, kur jetoi në oborrin napolitan, Donika Kastrioti nuk e përmendi një dyshim të mundshëm. Jo vetëm ajo por edhe i biri, Gjoni. Po kështu edhe princat shqiptarë dhe bashkëpuntorët e Heroit që asistuan në çastet e fundit të jetës së tij, rreth kësaj ngjarjeje nuk hodhën asnjë hije të vetme dyshimi. Edhe vetë Skënderbeu, një njeri me inteligjencë të jashtëzakonshme nuk e përmendi kurrë një ndjesi të tillë, që mund t’i jepte një helmim i mundshëm. Gjatë tre ditëve që lëngoi në shtrat ai ishte aq i kthjellët dhe pasi e kuptoi se do të vdiste la amanetet dhe porositë e fundit. Edhe llogjika e zhvillimit të ngjarjeve të kohës e kundërshton një helmim të mundshëm, jo vetëm nga ana e Venedikut, por edhe prej mbretërisë së Napolit. Por nëse ai do të ishte helmuar sot do të kishte dalë qoftë edhe një dokument apo shënim që do ta pohonte një gjë të tillë. Ky ishte edhe fundi i Skënderbeut. I pamposhtur asnjëherë në fushën e betejës ai vdiq në shtrat i mposhtur prej sëmundjes që nuk bënte diferencime midis njerëzve të thjeshtë apo heronjve.

Please follow and like us: