Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: SFIDA E LUIZA XHUVANIT

Edhe pse LUIZA PAPATHANASI (Xhuvani)  është nga Saranda dhe figuronte fillimisht, si aktore e estradës së atjeshme, kur unë sapo dola në “jetën e lire” të të gjallëve, në vitin 1985 hyra me droje në një salIë kinemaje të Tiranës, me një kapele rrasur në kokën e qethur (që të mos më njihnin!), për të parë filmin “Flutura në kabinën time” dhe për herë të para do të mësoja se nga ishte ajo që lozte atje, nëpër skeçe, se ç’kishte njëfarë magjie si aktore filmi. Hedhja e saj nga kabina e një SKODE rrangallë dhe ngritja në këmbë e spektatorëve të tmerruar prej aktit trimëror të kësaj vajze, (të xhiruar me vërtetësi),  tek në timon  “përralliste” shoferi  simpatik i Ndriçim Xhepës, nuk do më shlyhej nga kujtesa edhe kur ajo u duk befas edhe në skenën  e Athinës, 10 vite më vonë! Mirëpo, LUIZA XHUVANI, bëri “zap” spektatorët e një salIe  athinjote, më të madhe teatri, sa të mos merrnin frymë për më shumë se një orë dhe pa u mbyllur perdja e aktit final, ata  u ngritën në këmbë, për të thirrur “ BRAVO”, me ngazëllimin ekstrem. Midis tyre edhe nga Aktorja e Madhe e Greqisë Titika Sariguli. Luiza Xhuvani, sikur i tha të gjitha ‘leksionet’ e ‘nenet’ që sugjeron arti, jeta dhe politika… Bota që shpalosi ajo, përmes artit, në të dya gjuhët (shqip e greqisht) qe si një sfidë e prioritetit të artit mbi politikën dhe njëherësh, afirmim i personalitetit artistik e njerëzor.

Gjatë kohës që Margarita Xhepa, do të delte në pension pleqërie dhe që është e mbetet një nga paradokset e “ligjeve” tona për artistët(!), që pikërisht atëhere e kanë pjekurinë e lulëzimin e talentit të tyre, i bëra pyetjen sugjestive se kë shihte, nga aktoret tona, si vazhduese e trashëguese të atij “ brezi të artë” që ngritën e mbajten “çatinë” e Teatrit Shqiptar(?). Ajo, menjëherë, përmendi Luiza Xhuvanin e Yllka Mujon. Duke e parë edhe shfaqjen që ajo dha në Athinë (“Zonjushe Margarita” të Robert Ataide), si një kulminacion të Artit të Aktrimit, kur, pas mbylljes së perdes, spektatorët grekë e shqiptarë, nuk largoheshin dot pa e përshëndetur aktoren tonë, atëhere do të vijmë në përfundimin llogjik se Luiza Xhuvani, përbën një fenomen artistik dhe akoma: personaliteti i saj, bënë disa sfida njëherësh! Me këtë shfaqje ajo sfidon të gjithë “aktorët e stolave” të teatrit që mezi duken në skenë një herë në vit a në pesë vite! Luiza Xhuvani është gjithmonë e pranishme në skenën e ekranit shqiptar, jo thjesht për sytë e bukur e shtatin e hijshëm (e, shyqyr qe i ka edhe ato!), po për talentin e saj, qe nuk e lë të “vyshket” pa punë sistematike e te vazhdueshme, edhe pse me halle e probleme ekstreme që nuk t’I ”rrok mëndja”! Repertori i saj përfshin Euripidin, Shekspirin, Molierin, Bomershenë, Ioneskon, Çehovin, Ibsenin, Strinbergun e shumë të tjerë. Kineastët nuk e lënë “të marrë fryme” nga roli në rol dhe ka realizuar mbi 20 filma artistikë, njëri më i mirë se tjetri. Monodramën “Zonjusha Margaritë” ajo e ka përgatitur individualisht, para tetë vjetësh se të vinte në Athinë (më 2014) dhe e ka pjesë të repertorit të saj, si një “intermexo”, midis xhirimeve të filmave , përgatitjes së veprave të plota skenike dhe të seancave, paksa “teatrale”, parlamentare, kur atë e zgjodhën edhe si debutete të Sarandës dhe ku nuk e gjejmë gjëkundi figurën e saj të hijshme, të artikulonte fjalë, jashtë etikës njerëzore dhe të asaj skenike.

Arti i aktrimit të aktores Xhuvani është arritur me talent, vërtetësi, po edhe me një punë  sistematike interpretuese: me fjalën, me nëntekstin, me llogjikën e përsosur të frazës, me plastikën e zhdërvelltë, me ecjen, qëndrimin  dhe etikën e figurës. Ajo, aktoria Luiza, e zgjodhi kete monodramë tragji-komike nga Amerika Latine, prej një dramaturgu kolumbian, të quajtur Robert Ataide, pa bërë stërhollime e zbukurime, duke shpalosur natyrën komplekse të njeriut, herë e qetë e herë me temperament, ashtu sikundër është e zhveshur një femër, siç e ka bërë natyra, apo sikundër do ta shohim në skenë, më përtej jetës së zakonshme, me një skelet anatomie njeriu, që ajo e mban pranë katedrës së vet, për t’ua rrëfyer nxënësve. Kjo “ngasje emocionale”, nuk e ka lënë të qetë artisten, Zonjën e Skenës Xhuvani, qysh kur luajti Figueiredon Brazilian, me një Klea të përsosur, përball Ezopit të Kadri Roshit, ku sugjestioni i dashurise së saj për njeriun më të mençur e më të shëmtuar, është në shkallën maksimale, vetëm në saj të talentit superior të aktores për të cilën flasim, si një tundim shpartallues. Me afeksionin mjeshtëror të një gruaje të bukur dhe të një aktoreje, që e ka brenda vetes, embrionin përndezës të sensualitetit…

Ndërsa “Zonjusha Margaritë” e Luiza Xhuvanit është një sentencë e pastër njerëzore, e mbarsur me prakticizmin amerikan dhe me filozofinë reale të egzistencës. Ndryshe nga mësueset strikte, që kemi njohur ne, të futura në kuadratet e didaskalisë shkollereske, sipas normave “të ngurta” të moralit, kjo mësuese e Ataides dhe e Xhuvanit, ka në palcën e vet, emancipimin e plot të mësim-dhënies, të prirur nga njëfarë revolucioni  për “ndryshimin e botës”. Sipas saj, gjërat duhen filluar të njihen që në embrionin e vet të qënies njerëzore, me fjalorin e vet, me bëmat konkrete, me dëshirat sensuale që ndizen dhe shuhen, derisa afron vdekja e pashmangshme. Në këtë “trajektore”, nga ku kalon jeta e njeriut, kjo mësuese sheh edhe poezinë e botës reale, po edhe vuajtjet e dhimbjet që shkakton padrejtësia, dhuna, droga e krimi. Kemi përpara nesh një mësuese krejt ndryshe, të thjeshtë e të madhërishme njëherësh, e cila është e mbetet njerëzore, e vërtetë, sensuale, e bukur, edhe kur flet për organet gjenitale, para nxënësve, edhe kur spjegon “të fshehtat e seksit”, edhe kur e paraqet , krejt “të xhveshur”, natyrën e burrit e te gruas, mandej edhe natyrën e homoseksualëve dhe të atyre që mastrubojnë qosheve, tërë jetën e tyre dhe të tjera si  këto aspekte “mardhëniesh tabu”, për skenën e dramaturgjinë e djeshme.

Unë besoj se Robert Ataide e ka shkruar këtë pjesë, per ta interpretuar Luiza Xhuvani, se çdo aktore tjetër, mund edhe të dështonte (duke qëndruar e dhënë një orë e gjysmë “leksion”, para katedrës!), ashtu sikundër jam i bindur që kjo aktore e fuqishme e me botë të pasur shpirtërore doli përmbi mesazhet që përcjellin Figueiredo dhe Ataide, për lirinë e njeriut dhe dashurinë njerëzore. Aktoria Xhuvani, me potencën, vrullin e sugjestionin e dashurisë  njerëzore, u jep horizont e kuptim të thellë, mesazheve bashkëkohore të këtyre autorëve të AMERIKËS  LATINE, si ndjenjë konkrete, si psikologji, po edhe si sentencë filozofike! Se, t’u thuash njerëzve që ke përpara: “që të gjithë ju do të vdisni (!)” dhe pastaj t’u vërtetosh që nuk duhet të vdisni, pa i provuar të gjitha kënaqësit e jetës, është përpjekja me e mundimshme për cilindo aktor, regjisor, filozof e politikan. Margarita e saj është vetëm e saj, me tërë thjeshtësinë e kompleksitetin e vërtetë e të vrullshme të ndijesive të “mishit dhe të gjakut”, po edhe të mendjes, me dritëhijet e vazhdueshme, me sensualitetin e ndjeshëm të kënaqësive të pafundme, me konkretësinë lIogjike e vërtetësinë e të gjitha marrëdhënieve, me “njëfarë vulgariteti” të paraqitur çuditërisht me finesë e elegancë, me “planin intim e të fshehur, përbrenda qënies”, me kapërcime aktoreske që kanë me vete natyrësinë e tyre të vazhdueshme. Ajo krijon marrëdhënie të vërteta e intime njëherësh, edhe me një skelet njeriu të vdekur, edhe me gjymtyrët e tij, me të cilat ajo lodron natyrshëm, herë-herë tallet, e hera- herës, bënë seks me “të vdekurin”!… Qëndrimet shpotitëse të saj, detajet, “thumbimet” në adresë te auditorit, mësimet e moralit dhe të “edukatës seksuale”, befasimet e luhatjet, nëpërmjet një interpretimi të çliruar nga të gjitha tabutë, ngurimet e moralit strikt, ngërçet që shpesh mbërrthejnë, edhe  “Aktorët e DIONISIT”, shndërrohen te Luiza  Xhuvani, në njëfarë  “striptize magjepsëse”, por edhe në modele vyrtyti, pa u shmangur nga paraqitja e një shëmbëlltyre të lartë interpretimi në ARTIN E AKTRIMIT SHQIPTAR, që ka të bëjë edhe me PËRSOSJEN, si në rastin fatlum  të kësaj figure artistike skenike! Që është duartrokitur, jo vetëm në qytetin e saj, në anfiteatrin e Butritit, të Bylysit e të Tiranës, po edhe në skenën e Athinës, ku “zë fillin” e vet edhe teatri si gjini, duke u veçuar e spikatur si artiste me talent edhe në festivalet prestigjioze të Filmit në Kanë e Bestilie të Francës, po edhe në Japoni dhe kudo e kurdoherë e vlerësuar si “aktoria më e mirë”. Sidomos me filmin e tre Xhuvanëve (Dhimitrit, Gjergjit e Luizës) “DASHURIA E FUNDIT”, një tjetër kryevepër, mbi dramën e një prostitute që ka nisur të kuptoje neverinë e shitjes së trupit e që përpiqet të rikthehet përsëri tek vetja, “krijesa më e bukur që ka krijuar mëma natyrë”, sikundër e përkufizonte edhe Shekspiri i madh, natyrën e saj!

Luiza Papathanasi, një vajzë imcake nga fshatrat e Vurgut që ishte vendosur me të atit elektriçit në Sarandë dhe që e ëndërronte aktrimin, andej nga fundi  i vitit të katërt të gjimnazit, i qe afruar ndërtesës së Pallatit të Kulturës dhe me faqet e tejskuqura, kërkoi ta dëgjonte aktori Karafil Shena, me një rrëfim të Mitrush Kutelit, me zërin që i vibronte nga frika e turpi, për guximin që kishte marrë , e vetme, ajo me Luizën e që do ta bënin aktorin nga Mesopotami të hesht e të ngrihej ai në këmbë, i emocionuar prej saj e do të befasohej! Kishte përpara një vajzë të talentuar që Hyu vet e ndihte… E mbaroi dhe shkollën  e lartë, nga ku e “rrëmbyen” natyrën e pastër të saj në dy filma dhe “Fluturën” e soIIën përsëri ne Sarandë që të lozte në skeçet e estradës (?!). Ndofta, dikujt prej zyrtarëve profanë të asaj kohe, nuk i ishte mbushur akoma mëndja se “Vurkarja” do të bëhej nje aktore e ndritur paskëtaj! Po ajo, nuk i kishte përbuzur as skeçet, si edhe të përcillte me elegancë nje koncert të Limoz Dizdarit, po në vendlindjen e saj, gjithmonë e thjeshtë dhe e vërtetë. Gjersa “e rrëmbeu” Teatri Popullor në Tiranë dhe do të kurorëzohej dhe me të birin e shkrimtarit Dhimitër Xhuvani, Gjergjin, regjisorin e filmave e shokun e jetës së saj… Duke e perfeksionuar talentin e mjeshtërinë e aktrimit nga viti në vit, nga drama në komedi e nga pjesa lirike në pjesët satirike, groteske e farseske. Si të ishte një aktore prej plasteline, po me shpirt, për të na befasuar me karakteret e ndryshme dhe me natyrën njerëzore të profileve të krijuara me mjeshtëri, si edhe me stilin çudibërës të aktores  me shtrirje të pafundme!

Dhe vijmë tani në të VËRTETËN E MADHE se, për regjisorët, është kënaqësi, lehtësi dhe njëherësh, përgjegjësi e madhe, të punosh me një artiste si Luiza Xhuvani. Këtë mund të na i thoshte, mësëmiri, bashkëshorti i saj, regjisori i kinematografisë, Gjergji Xhuvani, i cili u nda nga jeta në lulëzimin e krijimtarisë së tij dinjitoze, që e ka “angazhuar” bashkëshorten, thuajse në të gjitha filmat e tij. Po edhe regjisori Kiço Londo, që ka mundur ta angazhojë aktoren, në disa vepra të suksesëshme të dramaturgjisë së huaj: nga Cikliropulos, Dorfman, Uajlld, Çehov etj. E kështu me rradhë, me regjisorë të tjerë, si: Vladimir Prifti te filmi “Flutura në kabinën time”, Kristaq Mitro në filmin “Apasionata”, Spartak Pecani në filmin “Fjalë pa fund”, Esat Mysliu në filmin “Rrethi i Kujtesës”, Muharem Fejzo në filmin “Muri i Gjallë”, Kastriot Çipi në shfaqjen e komedisë së Eduardo De Filipos “Cilindri”, Mehmet Xhelili në shfaqjen e komedisë romantike “Kapituli i dytë” të Neil Simenonit”, ku shquhet për vlera të larta interpretative aktrimi.  E lehtë nga pamja, po e trazuar e finoke nga brenda vetes, me veprime plot finesë e me kalime plot shkathtësi e natyrësi me partner Ndriçim Xhepën, në një përditshmëri jete, me çaste erotike të pabërballueshme, kur dashuria lind e shkrep nga rastësia e mund edhe të fiksohet po aq “çmendurisht” e  të mbetet e përjetshme,- tek keqkuptimet, sado të dhimbshme, që edhe mbeten, por edhe fashiten, me disa kalime befasuese psikologjke e botë shpirtërore, duke fituar kështu edhe çmimin si “Aktorja më  e mirë“ në Festivalin e Aktrimit të vitit 2004 në Fier. Luiza Xhuvani është këtu një aktore profesioniste inteligjente, me botën e saj të pavarur, me jetën e saj të lirë, me personalitetin që e kanë artistët si veçori vetiake, me vlerat, bukurinë e forcën e tyre tërheqëse. Kur e gjithe skena e i gjithë publiku janë të saj, në atë ndjeshmëri të lartë e përjetim të rolit, në atë ecje të shpërfillur, në ato mori detajesh që krijojnë intimitetin e kur “sikuri skenik” përbën një magji të pa tjetërsuar! Për të përfunduar në spektaklin e regjisorit Francez Eric Vigner, e cila u shfaq në Festivalin Botëror të Adonis Filipit në Elbasan, ku pati si dekracion muret e lashta të kalasë “Skampa”, brenda së cilës aktorja Xhuvani, me një partner me dinjitet si Vasjan Lami, zbërtheu vetveten, gjer në skutat më të “errëta” të një dashurie të humbur, kur jeta bashkëshortore merrë rrëkëllimën… Me dhimbjet që rrjedhin pas zhgënjimeve vrastare e kur divorci shkatërron ekuilibrat e shpirtit. Si një pasqyrë e vetvetes, me të tjera strese e trauma, kur edhe vetvetja e kësaj aktoreje me nivel europian është e përmbysur tragjikisht, sidomos pas arrestimit e burgosjes së të birit, të mpleksur në një vepër kriminale, që e detyroi edhe aktoren-deputete të bëjë gjestin e lartë moral të dorëzimit të mandatit të deputetes, që do pasohej dhe nga vdekja e papritur e të shoqit. Goditje tepër të rënda mbi shpatullat elegante të kësaj artisteje fort të ndjeshme. Po i ndodhte, gjithçka e përmbysur, si në trgjeditë e lashta greke, kur gurët vinin nga “Olimpi” e po e zinin të mjerën nënë, gurët nënvete, nga të bëmat e të birit! Që i iku duarsh! Heroina e skenës dhe e ekranit do të pësonte kështu godijen e traumës fatale, që të shkundej përfundimisht, po jo dhe që të hiqte dorë edhe nga puna e saj krijuese, brenda tempullt hyjnor të Teatrit, ku ajo do të gjente ngushëllimin qiellor, pas “hapje-mbylljes” të perdes së zezë!…

Luiza Xhuvani është e mbetet, megjithatë, një aktore e madhe, bashkë me FATIN TRAGJIK, me një ndjeshmëri të rrallë, me trajektore të gjerë, në të gjitha gjinite e artit skenik, me nje sesibilitet të hollë në filmat e saj, ku gjithçka rrjedhë natyrshëm para kamerës, me detaje e përjetime organike në çdo karakter e personazh që i besohet… Di që të jetë një vajzë e hareshme si Era (në filmin “Unë e dua Erën), një grua joshëse si Klea (“Dhelpëra e rrushtë”), një prostitutë si Miriam Golemi (“Dashuria e fundit”), një Margaritë klasike (te “Unë dhe Mefistofeli”), një Zina Zareçnaja lirike e dashuruar, “Pulëbardhë” e pa fat (“Pulëbardha” e Çehovit), një Ledi e oborrit mbretëror (“Rikardi III”), një grua komplekse e pasionante te “Vallja e Vdekjes” së Strinbergut, një nënë e rrethuar nga kompleksi i ndëshkimit fatal e makabriteti i vdekjes, në një film të realizuar sipas një tregimi të Ylljet Aliçkës, në rrethanat kur të  birit të një nëne të persekuptuar  nga regjimi i mëparshëm, nuk i gjënden as eshtrat… (O ZOT! ç’farë përfytyrimi!), për të arritur një figurë tërësisht tragjike, si Andromaka e tragjedisë “Trojanët”, që ajo interpretoi po vetë, para rrënimit total e qindra trupave të pa jetë!

Një aktore e majave të artit tënë teatror. “Flukset dramatike e tragjike të Luiza Xhuvanit,-shkruan kritiku Josiif Papagjoni, bëhen më të drejtpërdrejta, kurse natyra e përjetimit të saj aktorial begatohen me thyerje psikike emocionale, duke fituar dimensione të reja edhe në pikëpamje stilistike dhe të individualitetit artistikë”. “Që në rolin e parë me të, në filmin “Flutura në kabinën time”,-më shkruan partneri i saj NDRIÇIM XHEPA, më kryesori e më i rëndësishmi, ndjeva finesën, sytë që përcillnin komunikim dhe emocion… E pas dy vitesh në filmat e Gjergjit (“I dashuri Armik” e “Në kërkim të kujt”), po kështu. Në role të përbashkëta edhe në teatër (“Dasmë Gjaku” e Lorkës, “Nata e trokitjeve në xhama” të Anagnostit, “Vdekja dhe Virgjëresha” e Dorfman etj.), me sinqeritet e vërtetësinë  ku ndjehej interpretimi i saj i rrallë e plot freski, që përcillte figura të besueshme e komplekse. Me shumë temperament dhe impulse. Gjithmonë në një proçes analitik, të mënçur e koloristik. Njera nga ato pak “maja të larta” të aktoreve shqiptare…”. Jo më kot, edhe regjisorët tanë të skenës e të ekranit, kanë shpresuar, besuar e arritur me të, ato hapësira qiellore të interpretimeve të saj të magjishme. E megjithatë, e pangushëllueshmja LUIZA XHUVANI, si nesër ka lindur, më 26 mars të vitit 1964 dhe sapo i mbushi të 60 vitet e egzistencës njerëzore. E unë kritiku nuk mund të bëja ndryshe, pa e kujtuar, që është e mbetet e jona, këtë nënë, këtë grua artiste të madhe, që është e mbetet e jona, së toku edhe me dhimbjen e saj, po aq të madhe…

 Sipas librit tim “Shpirti Artistik”, 2014… Athinë 25 mars 2023.

Please follow and like us: