Albspirit

Media/News/Publishing

Edmond Vlashaj: Transporti Publik Falas në Tiranë?

Transporti Publik Falas në Tiranë?

Apo Transport Publik i Dinjitetshëm dhe Dinjitoz?

 

Në fakt në kushtet e valëvitjes nga kriza në krizë, në këtë rroposje të madhe të krizës ekonomike sociale, në këto dallgë të krizës së besimit në Shtetin si garantues i të drejtave dhe lirive themelore njerëzore, e njëkohësisht në Shtetin si rregullator i funksionimit social-ekonomik, në këto mjegullnaja e tymnaja ku nuk arrihet të shquhet mirë se kush është busulla orientuese në këtë dynja, në këtë botë, ku edhe “bota na qenka me rrota”, me patjetër duhen ndërmarrë disa vendime të drejta për rrethanat dhe momentin, edhe pse do të paragjykoheshin si populistë, social-komunistë, apo të papërputhshme me logjikën e qëndrueshmërisë ideologjike apo qoftë edhe të duken si jo të qëndrueshme ekonomikisht dhe financiarisht.

Transport Publik Falas në Tiranë?

Po. Jam krejt dakord.

Përse?

  1. Sepse është një prej mënyrave që të respektohen, të nderohen dhe të shpërblehen disi, por gjithsesi dinjitetshëm prindërit dhe gjyshërit tanë.

Them dinjitetshëm pasi duke u sanksionuar në vendim të Këshillit Bashkiak, duke u sanksionuar në rregull dhe në ligj, tashmë kjo gjë nuk varet prej humorit të mirë ose jo të mirë të fatorinos,  apo të kompanisë së transportit, të Kryetarit të Bashkisë apo Kryeministrit, porse kjo tashmë është një e drejtë e prindërve dhe e gjyshërve tanë dhe pikë.

Transport Publik Falas në Tiranë?

Po. Jam krejt dakord.

Përse?

  1. Sepse është një prej mënyrave që të nderohen dhe të respektohen gratë shtatzëna, nënat shqiptare dhe të çdo perkatësie tjetër që jetojnë dhe udhëtojnë në këtë qytet.

Transport Publik Falas në Tiranë?

Po. Jam krejt dakord.

Përse?

  1. Sepse është një prej mënyrave që të respektohen të drejtat e studentëve pa pasur nevojë për “Triskat e Frontit”, pa pasur nevoje për radhët e gjata dhe marifetet për ‘ futur në listat e kartës së studentit dhe aboneve të famshme për…minimalisht mungesë eficience dhe efikasiteti.

Transport Publik Falas në Tiranë?

Po. Jam krejt dakord.

Përse?

  1. Sepse është një mënyrë për të ngritur dhe fuqizuar njerëzit e shtresës së varfër të këtij qyteti që rropaten gjithë ditën e tyre me nga dy a tre punë për të përballuar kompleksitetin e krizave në këtë qytet.

Transporti Falas për këta njerëz do të thoshte shumë, shumë. Kursimi I këtyre lekëve të transportit të përditshëm do të thoshte minimalisht sigurimi i ushqimit të përditshëm për ata dhe familjet e tyre.

Transport Publik Falas në Tiranë?

  1. Po. Jam krejt dakord.

Përse?

Sepse mirëfilli edhe administrimi ekonomik për kompanitë e transportit do të ishte më i kollajtë dhe më rentabël nëse:

  1. Pagesa e transportit publik do të bëhej nga Bashkia duke u bazuar në të drejtë me kilometrat e përshkuara, duke u bazuar te itineraret e përshkuara dhe sa herë janë përshkuar këto itinerare varësisht prej orareve dhe itinerareve të mirëpërcaktuara nga Bashkia më parë.
  2. I gjithë ky shërbim i transportit publik duhet të shkëputet njëherë e mirë nga pagesa prej numrit të udhëtarëve në autobus, krejt ndryshe siç ka ndodhur më parë kur njerëzit rrasen si “thasë me patate”, apo si ‘specat në magazinë”, pasi veç në këtë mënyrë kompanitë e transportit mbulonin kostot dhe nxirrnin fitimet e tyre. (Vështirësia e madhe dhe kostot e tepërta në vjeljen e të ardhurave përmes shitjes së biletave, është muhabet aq i gjatë dhe i koklavitur sa nuk ia vlen fare të merremi me të tani).

Vetëm duke qenë e garantuar pagesa për itineraret dhe oraret e udhëtimit nga Bashkia, ky Transport do të fillonte të stabilizohej me respektimin e përpiktë të orareve dhe itinerareve.

Ku do t’i gjejë paratë bashkia, nëse transporti publik do të ishte Falas?

Çdo makinë private që lëviz, udhëton, apo qëndron në Tiranë, duhet të paguajë taksë 1000 lekë të reja në muaj.  Me këtë taksë do të sistemohej njëherë e mirë Transporti Publik në Tiranë. (Çdo muhabet tjetër në lidhje me burimin e financimit të transportit publik Falas do të ishte i mjegullt, i paqartë, populist dhe i pasaktë).

Transport Publik Falas?

Po. Por më shumë se Falas na duhet Transport Publik Dinjitoz dhe i Dinjitetshëm.

Çfare do të thotë Transport Publik Dinjitoz dhe i Dinjitetshëm?

Transport Publik Dinjitoz dhe i Dinjitetshëm do të thotë:

  1. Autobusi do të udhëtojë në itineraret dhe oraret e tij vetëm me aq njerëz sa ka vende ulur. Asnjë më tepër. Nëse gjendet një njeri në këmbë, detyrimin e pagesës së gjobës e ka udhëtari që ka zgjedhur të qëndrojë në këmbë në këtë autobus dhe të mos presë autobusin tjetër.
  1. Autobusi duhet të jetë i larë, i pastruar dhe i dizinfektuar menjëherë pas çdo itinerari të kryer.
  2. Autobusi duhet të jetë çdo ditë “i vizituar” dhe i kontrolluar në detaje me kontroll të dokumentuar të përditshëm në Ofiçinën e Bashkisë.
  3. Njëjtë edhe shoferët duhet të vizitohen dhe kontrollohen çdo ditë para se të fillojnë punën e tyre në Qendrën Klinike të Bashkisë, kontroll i cili duhet të jetë i standardizuar dhe i dokumentuar në detaje.
  4. Autobusat duhet të jenë të pajisur me sistem funksional ajrimi, ventilimi dhe ajër të kondicionuar për feskim në verë dhe ngrohje në dimër. Nëse nuk i kanë këto kondita më mirë të mos dalin fare në qarkullim.
  5. Autobusit duhet të kenë pajisjet, shkallët dhe vendet e posaçme për njerëzit me nevoja të veçanta. Nese nuk i kanë këto kondita, më mirë të mos dalin fare në qarkullim.
Please follow and like us: