Albspirit

Media/News/Publishing

Mbi dosjen e polifonisë popullore me iso te Shqiperise, në UNESCO!

Vaso Tole
Marrë shkas nga një emision televiziv i ngritur mbi të pavërteta absolute, në respekt të opinionit publik sqaroj se:
1. Aplikimi për në UNESCO i muzikës popullore të Shqipërisë së Jugut u mundësua në vitin 2003, pas aprovimit nga “UNESCO” të konventës “Për ruajtjen e trashëgimisë kulturore jomateriale” ku u jepej mundësia shteteve anëtare të regjistronin dukuri jo materiale.
2. Dosja u përgatit nga një grup pune i përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, Institutit të Folklorit, Universitetit të Arteve dhe ekspertë të pavarur. Para dërgimit zyrtarisht të dosjes në emër të qeverisë shqiptare, në qytetin e Vlorës u organizua një seminar për prezantimin e dosjes dhe rëndësinë e kandidimit të saj në UNESCO.
3. Synimi i dosjes ishte që në UNESCO të regjistrohej trashëgimia me shumë zëra e Shqipërisë që përfshin Toskërinë dhe Labërinë, në qindra fshatra e dhjetra qytete, muzike pa vegla dhe muzikë me vegla e në valle, qytetare me saze dhe fshatare “a capella” që përfshin me dhjetra gjini muzikore nga më të larmishmet. Me sa kuptoj, tendeca e kundërshtuesve është që të rrudhin e zvogëlojnë shtrirjen gjeografike që përfshin kjo traditë e jashtëzakonshme vetëm në një zonë të caktuar, kurse qëllimi i aplikimit të shtetit shqiptar në UNESCO në 2005 ishte që e gjithë zona natyrale e këndimit me shumë zëra në Shqiperinë e Jugut të ishte e përfshirë, gjë që u njoh nga UNESCO me vendimin e saj të 25 nëntorit 2005 me emrin: “Polifonia popullore me iso e Shqipërisë”.
4. Në asnjë rresht të dosjes nuk ka shprehje “që polifonia jonë rrjedh nga muzika bizantine” dhe të arrish konkluzion të tillë duke u nisur nga kjo është qartazi abuzive dhe keqdashëse. Dosja dhe formulari i aplikimit kanë në fokus kryesor dokumentimin, shtrirjen, llojet, stilet, vlerat e dukurisë dhe rëndësinë e saj për komunitetin. Pra dokumentimin e gjendjes faktike. Për këtë mjafton të shihni sitin zyrtar të UNESCO-s: Albanian folk iso-polyphony – intangible heritage – Culture Sector – UNESCO
5. Nga ana tjetër, etnomuzikologjia jonë dhe studimet e profesorëve të nderuar Ramadan Sokoli, Beniamin Kruta, Spiro Shetuni etj, dhe pas tyre edhe unë, ndajmë të njëjtin mendim se kënga popullore e Shqipërisë së Jugut është shumë më e vjetër se kultura e re muzikore bizantine, e për më tepër, nuk mundet as teorikisht e as praktikisht që origjina e një tradite me shumë zëra sic është polifonia jonë me iso, të burojë nga një traditë një zërëshe me shoqërim siç është këndimi muzikor bizantin, për të cilin kanë dhënë kontribut edhe emra të mëdhenj si Jan Kukuzeli nga Durrësi etj. Nga ana tjetër, në dosje janë shënuar te gjitha emërtimet e dukurisë me shumë zëra që populli dhe studimet kanë evidentuar gjatë procesit të kendimit dhe studimit të saj, duke mos pasur asnjë kufizim në përdorimin e tyre në realitetin faktik.
Së fundi, ajo që ka rëndesi, muzika shumëzërëshe e Shqipërisë, prej 18 vitesh është aty ku e ka vendin e saj të nderit, krahas kulturave më të rëndësishme të popujve të tjerë, në UNESCO.
Please follow and like us: