Albspirit

Media/News/Publishing

Mehmetali Rexhepi: DITËLINDJA E HEROIT TONË REXHEP MALA

 

Sot, më 29 mars 1951: Rexhep Mala (1951-1984) po të ishte gjallë, do t`i rrumbullakonte 72 vjet! Por, edhe pse nuk është në mesin tonë sikurse ne, që frymojmë, ai është i pranishëm në trajta guximi, në trajtat më të mira e më të çiltra të atdhedashurisë: si njëri nga kryengritësit e përjetshëm kundër  robërisë, krimeve shekullore të armiqve të kombit tij. Nuk ishte burrëruar për të kënaqur vetën, jeta e tij i përkiste At-Dheut, kryesisht pa asnjë fije përfitimi për vetën e vet a të ndonjë klani. Ishte fjalë pak  e krejtësisht veprues.  Nuk e duronte dot demagogjinë… Ishte njeri që vishej me sedrën e konkretizimit të idesë, që në dukje të parë dukej e pamundshme, e tmerrshme, e pathyeshme!  E veçanta e karakterit të tij ishte drejtëpërdrejta…

Rexhep Mala nuk i takonte kategorisë së premtuesve; ishte tërësisht realizues përpjekjesh nga ato më të thjeshtat deri tek më të ndërlikuarat… Rexhep Mala çante akullin e trashë  të vetëdijesimit e të veprimit, të demaskimit ndaj figurave të urryera  shqip-folësish, që i shërbenin verbërisht ortodoksisë shtetërore serbe-sllave. Ai nuk ngurronte t`iu jepte epitete satirike, me zë të lartë ballë përballë, ndjekësve të inteligjencës së pakët shqiptare të kontekstit kur jetoi e veproi.

Rrethanat nuk ishin të favorshme për shtrirjen e fushë-veprimit të tij, por ai nuk i priste “kohët më të mira”! Ne, disa shokë të tij e dinim, që  Rexhës nuk do t`i shkonte gjatë mësymja… Mirëpo, ai nuk kishte të ndalur. Padyshim, ishte pararendësi  i njësiteve guerile urbane…  Ishte i vetëdijshëm për kapjen e tij nga ndjekjet policore serbe-jugosllave, andaj përgatitej për përballimin, së pari shpirtëror e pastaj dhe fizik të torturave të tmerrshme, që do ta prisnin në burgjet e kamp-përqendrimeve jugosllave për shqiptarë, veçmas për karakterin dhe kalibrin e një atdhetari të tillë, si e kam njohur dhe si kam dëgjuar nga dëshmitarë të përafërt me të, për të,  për Heroin Rexhep Mala dhe bëmat e tij në kasaphanat e  hetuesisë jugosllave! Asnjëherë nuk u ndal, që nga demonstratat e para të Njëmijë e Nëntëqind e Gjashtëdhjetë e Tetës kur ishte fare i ri, adoleshent.

Përpjekjet e tij me shokë, që nga “Grupi revolucionar”, deri tek Projekti për Krijimin e Partisë së Luftës, edhe pas daljes nga burgjet e rënda rrënuese, të cilat nuk kishin arritur ta gjunjëzonin Heroin tonë kombëtar Rexhep Malaj, e shpien deri tek mosdorëzimi dhe, bashkë me si-veprimtarin tjetër, dhjetë vjet më të ri, Nuhi Berisha, bënë Epopenë e “Kodrës së Trimave”, atëbotë periferi e Prishtinës!… Dy kundruall dhjetëra udbashësh e qindra policë në përballje të pabarabarta… Dhe bien me këngë në buzë në agminë  e ftohtë të kallnorit 1984! Ngjarja e”Kodrës së Trimave” ishte pararendësja e pak më vonshme e UÇK-s. Rexhep Mala, i tillë do të ishte edhe po të shpëtonte nga Lufta e UÇK-s, ngase nuk mund të pajtohej me padrejtësi dhe zgjidhje gjysmake të trojeve autoktone shqiptare. Gjithsesi, atij do t`i ngriheshin gracka nga shërbimet e fshehta, nga klanet e pushteteve… Me përcaktimet e tij jetike, si e njihnim Rexhep Malajn, ai kurrë nuk mëtoi të shfaqte qëllime karrieriste për vete, as për familjarët e tij të dashur!

NË VEND TË PËRFUNDIMIT

Ishim gjimnazistë dhe verës shkonim të rreziteshim dhe të laheshim në liqenin artificial tek Livoçi i Epërm. Rexha, Nijazi Korça, Sylë Sylejmani, Nijazi Musmurati e ndonjë tjetër, që ka filluar të më shlyhej nga kujtesa. Rreziteshim nën rrezet përvëluese të korrikut dhe gushtit mbi digën prej betoni të liqenit.  Atëbotë ujët e liqenit nuk ishte i ndotur. Rexha kishte një thikë në dorë. Dhe e pyeta: –  Rexhë çka po të duhet këtu në liqe kjo thikë? Buzëqeshi.

Tha: – Për prerje shalqini, bostani Memet! – Sërish buzëqeshi. Por, unë e shihja se si e ngulte thikën në pjesë të ndryshme të trupit të tij! Sërish e bezdisa me pyetjen tjetër

– Rexhë çka po bën më këtë thikë? Pas një hezitimi për përgjigje: U përgjigj:

-Po provoj sa po mund t“iu qëndroj trupi nguljeve të thikës!

Një mungesë vizioni për një kohë relativisht, jo të shkurtë më kishte mbajtur në përgjumjen e një naiviteti… Më pastaj e kam kuptuar qëllimin e parapërgatitjes të tij për Mësymjet e Tij të Madhërishme, përballja me sadistët e UDB-s! Jeta e këtij Heroi kishte plot e përplot episode të këtilla… Ndaj, të gjitha këto bëma meritojnë t`i spikasim dhe, si të këtilla paraqesin figurën e këtillë si  frymoi,  si mëtoi dhe, si e përmbylli jetën heroike, i Madhërishmi ynë Rexhep Mala!

Lavdi përvjetorit të ditëlindjes së Heroit Rexhep Mala!

 

Gjilan, më 29 mars 2023.

Please follow and like us: