Bledar Koçi: PA TITULL
Atje ku doja,
s’e pashë Pranverën.
Ku grerëzat zukasin
kërcejve të gjallë pjalmuar me erën.
S’i pashë të bardhat e mollës
shkurrishtës gjëmbaçe
tek hidhte burbuqe.
Dhe gjumit, si nuse më qesh
një kumbull në vello të kuqe…
Këtu mes një dhome
një stinë aq e zbrazët,
e akullt troket,
e unë s’ia hap derën.
Vetmoj i harbuar
në ikje trillimesh
përpirë horizontesh
si shpend i tërbuar,
dhe ulem atje ku doja vërtetë,
të shihja Pranverën.
Please follow and like us: