Iris Shurdhi: Im at, skulptori monumental, Maksim Shurdhi
Po shkruaj këtë homazh për të nderuar jetën dhe trashëgiminë e jashtëzakonshme të babait tim Maksim Shurdhi si skulptor monumental në Shqipëri. Ai ia kushtoi jetën e tij krijimit të veprave të mrekullueshme të artit që frymëzojnë dhe njerëzit sot.
Skulpturat e babait tim nuk ishin thjesht objekte të bukura. Ato ishin shprehje të fuqishme të vlerave dhe besimeve të tij më të thella. Ai besonte se arti kishte fuqinë për të ndryshuar botën dhe e përdori punën e tij për të shprehur pikëpamjet e tij ndaj dinjitetit njerëzor.
Maksi kishte gjetur frymëzim te heronjtë dhe figurat kombëtare shqiptarë, pasi këta individë mishërojnë vlera dhe ideale të rëndësishme kulturore. Duke kapur thelbin e këtyre individëve në bronz, ai ka ndihmuar në përjetësimin e kontributeve të tyre në shoqëri dhe për të forcuar vendin e tyre në imagjinatën publike.
Një nga skupturat e tij më të rëndësishme në karrierën tij artistike ishte realizimi i shtatores së “Heroit të Popullit” Myslim Peza, e cila qysh prej 38 vjetësh, vazhdon të zbukurojë mjedisin në hyrje të qendrës së Pezës. Përmes një konkursi kombëtar, zhvilluar menjëherë pas vdekjes së Babë Myslimit, afro 38 vite më parë, Maksi është shpallur fitues i një konkursi dhe pak më vonë, ka realizuar shtatoren e famshme. Jo vetëm kaq, por ka pasur edhe kënaqësinë të shijonte “notën më maksimale”: Është shpallur fitues i “Çmimit të Republikës”. Në intervistën e tij për gazetën “Telegraf”, ai rrëfen detajet e kësaj sfide të dikurshme artistike.
Trashëgimia e babait tim jeton në skulpturat fizike anembanë vendit. Punët e tij krijuese shihen në Tiranë, si dhe në Burrel:
- Sulejman Pasha Bargjini, themeluesi i Tiranës i cili ishte një gjeneral, fisnik dhe guvernator etnik shqiptar i Perandorisë Osmane.
- Hafiz Ibrahim Dalliu –shkrimtar, edukator dhe veprimtar shqiptar i çështjes kombëtare shqiptare. Ai mbahet mend si një nga myfasirët më të mirë në Shqipëri. Monumenti ndodhet para Medresesë.
- Monumenti i Zogut I të Shqipërisë në Burrel- ndodhet në qendër të qytetit të Burrelit në Shqipëri.
Përveç monumenteve, Maksi ka bërë skulptura ku shpesh ka përfshirë elemente të stilit të August Rodinit dhe Edga Degas. Maksi është përpjekur të kapte thelbin e formës dhe shpirtit njerëzor përmes skulpturave të tij, shpesh duke përdorur trupin si një mjet për të eksploruar çështje më të thella filozofike ose ekzistenciale.
Si skulptor, ai vuri zemrën e tij në krijimin e një busti të mbesës së tij të dashur Chloe. Ai e vëzhgoi me kujdes, duke kapur çdo detaj të tipareve dhe personalitetit të saj. Me duart e tij të afta dhe dashurinë e thellë për mbesën e tij ai solli në jetë ngjashmërinë e saj në mënyre mahnitëse duke kapur bukurinë dhe shpirtin e saj unik. Për babin tim ishte një punë dashurie, një dëshmi e fuqisë së artit për të kapur thelbin e atyre që duam më shumë.
Si vajza e tij, unë e kam parë atë duke punuar pa u lodhur me orë të tëra, duke derdhur zemrën dhe shpirtin e tij në çdo pjesë që krijoi. Ka qenë mbresëlënëse të shoh pasionin dhe përkushtimin e tij ndaj zanatit. Të rritesh me një baba që ishte një artist kaq i talentuar ishte një dhuratë e pabesueshme. Jo vetëm që më dha një vlerësim të përjetshëm për artin dhe bukurinë, por më dha edhe mësime të vlefshme për kreativitetin, vendosmërinë dhe fuqinë e punës së palodhur. Ndërsa shikoj prapa në jetën dhe punën e tij, jam lumtur për dashurinë dhe frymëzimin që ai solli në jetën time dhe me ka frymëzuar për të vazhduar trashëgiminë e tij në mënyrën time.
Si skulptor miqtë e tij do të kujtojnë talentin e tij unik për të kapur thelbin e një subjekti në çdo pjesë që ai krijoi. Miqtë e tij do ta kujtojnë gëzimin kur shihnin teksa ai e formonte me kujdes një vepër arti që gjallërohej para syve të tyre.
———————————
Më poshtë një intervistë e Maks Shurdhit në gazetën ‘Telegraf’
INTERVISTA/ Flet Maksim Shurdhi, skulptori që realizoi shtatoren e “Heroit të Popullit” Myslim Peza
Zoti Maksim, kur ju ka lindur ideja për të bërë shtatoren e Myslim Pezës?
Kur sapo kisha mbaruar Fakultetin e Arteve, doli një njoftim për konkurs. Kish pak kohë që ishte ndarë nga jeta “Heroi i Popullit” Myslim Peza. Në fakt, pata një nxitje të natyrshme: Im atë kish qenë partizan në Çetën e Pezës të drejtuar nga Myslim Peza. Ishte çeta e parë antifashiste në Europë. Nuk ishte pak ky fakt. Mbaj mend, shkuam në katin e dytë të Pallatit të Kulturës dhe paraqita bocetin. Fitova. Dhe nisa menjëherë punën.
Kaq lehtë?
Lehtë the? Për atë shtatore kam bërë mijëra vizatime. Qindra grafika. Qindra foto. Jam zgjuar shpesh herë natën. Figura e Myslim Pezës më ishte kthyer gati në një fiksacion. Kaq shumë më joshte. Dhe nuk dola keq me atë vepër: Fitova “Çmimin e Republikës”. Mbaj mend që çmimin ma ka dhënë i madhi Çesk Zadeja. Si tani e kujtoj, kur tha: “Shumë mirë që fitoi ky djali, ne duhet t’i përkrahim të rinjtë”.
Më pas, si “u ballafaqove” me popullin e Pezës, kur u vendos shtatorja e Babë Myslimit?
Ka qenë një moment i jashtëzakonshëm: Kisha kaluar gjithë provat e profesorëve të famshëm të kohës, atje në Tiranë, dhe po dridhesha përpara fshatarëve që do të shihnin shtatoren e Babë Myslimit, kur ajo do të zbulohej. Më rrëmbyen emocione të forta.
Dhe ç’ndodhi?
Kurrë nuk do t’i harroj ato minuta torture… Kishin ardhur nxënës shkolle, fshatarë, pleq e plaka. Ishin disa nëna pezake aty afër meje. U hoq ngadalë mbulesa në çastin e inaugurimit. Tani shtatorja ishte aty, para të gjithëve. Nënave pezake, iu qeshi fytyra menjëherë. Mprehën shikimin te fytyra e Babë Myslimit; u përqendruan fort aty dhe thanë urtë-urtë: “Po, po… ky është Baba jonë…O Zot sa bukur e paska bërë ky djali. Ty të lumshin duart, o bir. Si i gjallë duket”. Dhe filluan të lotojnë, duke më puthur duart. “Të lumtë, o djalë, të lumtë…”.
A mund të sillni ndonjë detaj, se çfarë ju frymëzoi në ato vite, kur i hytë punës për realizimin e shtatores së Myslim Pezës?
E kam të vështirë të precizoj tani, se cilët ishin faktorët që më shtynë për të bërë një shtatore të këtij heroi. Ishin shumë syresh… Isha në një moshë kur tiparet thelbësore të heronjve të rrëmbejnë si me magji. Mua më vinin ndërmend gjithë ato orvatje që ishin bërë ndaj këtij heroi në kohë të vështira lufte. Myslim Pezës, çfarë nuk i kishin ofruar njerëzit e regjimit të kohës së Zogut, si dhe ato të qeverisë së atëhershme kuislinge. E kishin joshur me para, e kishin joshur me qese me florinj, e kishin joshur me grada e ofiqe, e kishin joshur me karrierë, për veten dhe familjen e tij… Me gjithçka, me gjithçka. Dhe ai nuk ishte tunduar asnjëherë. I kish qëndruar besnik moralit të tij të pastër prej shqiptari të vërtetë, prej atdhetari, prej patrioti të madh. Ai nuk e tradhtoi asnjëherë kauzën e luftës pa kompromis kundër pushtuesve e kolaboracionistëve. I qëndroi besnik pezakëve të tij, gjithë shqiptarëve, popullit të vet, të cilin edhe e udhëhoqi trimërisht në sa e sa beteja të luftës për liri.
A keni menduar ndonjëherë se, ndoshta me kalimin e kohës, të viteve, dekadave, shtatorja edhe mund të shembej?
Jo, kurrë nuk menduar se kjo shtatore mund të shembej një ditë. E di, ndryshimi i sistemit ishte një moment stresues, si për gjithë shqiptarët, edhe për ne artistët. Por, për asnjë çast të vetëm s’më ka shkuar mendja se do dilnin njerëz e do rrëzonin këtë monument. Gjithmonë kam menduar të kundërtën: Që, jo vetëm pezakët, por gjithë shqiptarët kishin respekt për këtë figurë, për këtë hero kaq popullor.
A e kishit takuar më parë Mysim Pezën?
Nuk më ishte dhënë rasti t’i kisha dhënë ndonjëherë dorën atij Heroi, por e kisha parë nga afër disa herë. Në çdo 16 shtator, unë shkoja në Pezë dhe festoja si gjithë të rinjtë e atëhershëm. Shihja se si pezakët e rrethonin Myslim Pezën, si të ishte perëndi. Kjo ishte ndjesia ime, por së brendshmi kuptova se ai ishte tërësisht “i shkrirë” me pezakët, me popullin në përgjithësi. Ai fliste me ta për çdo gjë. Siç më thonin njerëzit e thjeshtë të Pezës, Myslim Peza dinte gjendjen ekonomike të çdo familje fshatare të zonës së Pezës. Si dikur në luftë, ashtu edhe pas lufte, ai jetonte shpirtërisht me bashkëfshatarët e tij. Pyeste për gjithë ish-luftëtarët e tij, një për një me emër. “Ku është Myrt Karai? Po Lez Zgura, s’paska dalë sot a? Mos është pa qejf ai….?” Mua kjo sjellje e tij, më dukej gati-gati si një sugjestion. Kurse në fakt, ishte një lidhje natyrale e Heroit me popullin e tij, të cilin nuk e tradhton asnjëherë, gjithë jetën e vet.
Nuk qenkeni i mirë informuar më duket, zoti Maksi. Le t’ju kthej paksa prapa në kohë: Në vitin 1990, pati fjalë se do vinin një grup njerëzish dhe do rrëzonin shtatoren e Babë Myslimit… Ju, e dini këtë?
Në vitin 1990? Po… e kam dëgjuar këtë histori. Por disa vite më vonë. E thashë më lart, në kohë përmbysjesh të mëdha, si ato të ‘90-ës, artistët bëhen të ndjeshëm në maksimum. Dihet, bëhet fjalë për fate njerëzore. Si për gjithë popullin, për familjet, për karrierën e ardhshme artistike, etj., etj.. Një nga këto aspekte, natyrisht janë edhe veprat e tyre të artit. Disa, dihet, “i shkërmoq” koha menjëherë, madje pa mëshirë. E dimë, se si kanë përfunduar shumë vepra arti në vitet ‘90-‘92… Askush nuk mund ta ndalë furtunën e historisë. Sidomos kur ajo “gllabëron” asete të të gjithë llojeve, të natyrave nga më të ndryshmet, deri edhe jetë njerëzish. Kuptohet… E fundit gjë që të shkon ndërmend në këto raste, është fati i një vepre arti, që ti si artist, ke bërë me aq shumë merak. Dhe ajo të dhimbset, natyrisht. Madje, të dhimbset fort. Sepse ke derdhur aty shpirtin tënd krijues. E kam dëgjuar, sigurisht, edhe historinë e tentativës për “shembjen” e shtatores së Babë Myslimit, në vitin ‘90. Dhe e kotë të të tregoj ty, se çfarë bënë pezakët, sepse them që e di: Ata, pezakët, njëlloj si dikur në luftë, edhe në atë kohë të vështirë të përplasjeve social-politike, “u mblodhën rreth Babë Myslimit”, tashmë jo njeri i gjallë, por thjeshtë një shtatore prej bronzi. Dhe ç’bënë? Bënë roje. Shërbim-roje, them ore, me orar, “me ndërresë”; me javë të tëra. Ata kishin bindjen e plotë se do të ngrinin në alarm gjithë zonën, dhe nuk do lejonin kurrë që dikush t’ua prekte shtatoren e Myslim Pezës. A nuk ju duket prekëse kjo? Për mua si skulptor, nuk ka sadisfaksion më të madh.
Nga këndvështrimi i një artisti, si ju është dukur figura e Myslim Pezës?
Tepër joshëse për një skulptor, tepër frymëzuese. Fisnikëria e tipareve, shtati i gjatë, i krahasueshëm me atë të heronjve mitikë. E thotë bukur studiuesi e historiani Hazis Gjergji tek libri “Myslim Peza, dëshmitar dhe protagonist, 1912-1939”, e quan “Robin Hudi i Shqipërisë”. Natyrisht, ai i referohet përcaktimit të kësaj figure nga studiuesi anglez Xhulian Emeri, që thotë për Babë Myslimin se “…ishin dy grupe të forta në krahinat e Pezës e të Martaneshit. I pari dhe më i forti i këtyre grupeve udhëhiqej nga Myslim Peza, Robin Hudi veteran i Shqipërisë”. Dihet se kush ishte Robin Hudi: Një hero legjendar i popullit anglo-sakson, një komit trim e rebel, mbrojtës i njerëzve të varfër e punëtorë prej dhunimeve e padrejtësive të mbretërve gjakësorë. Ashtu si për heroin mitik “Robin Hud”, edhe për Mysim Pezën, flet vetë vepra e tij e guximshme, flasin këngët pa fund, etj. Kam dëgjuar me veshët e mi, se si në shumë dasma jo vetëm të trevës së Tiranës, por dhe në qytete të tjera të Shqipërisë këndohen këngë për Babë Myslimin. Kjo është impresionuese.