Albspirit

Media/News/Publishing

REXHEP SHAHU: UNË JAM BARBARI, UNË JAM VANDALI!

Pas protestës së 31 marsit 2018 në Kukës të banorëve vendas, demokratë e socialistë, jo dylbera, pranë tunelit të Kalimashit, pas djegies së kioskave ku paguhet taksa, pronë private e kompanive koncensionare, pas ngjalljes së një entusiazmi popullor se u pohua që ende nuk ka vdekë protesta dhe as demokracia në Shqipëri, doli dhe volli plumba urrjetje kundër kuksianëve ministri i brendshëm duke i quajtur protestuesit, barbarë dhe kryeministri duke i quajtur, vandalë.

Unë nuk munda të hesht. Unë nuk jam trim. Por unë nuk dua konflikt mes njerzve të mi të gjakut dhe qeverisë së zgjedhur të vendit tim. Dua paqe.

Unë jam barbari, unë jam vandali z. Kryeministër, z. ministër!

Po, unë biri, vëllai, prindi, daja, nipi, miku, shoku i atyre protestuesve në Kukës jam barbari, jam vandali !

Unë jam barbari, unë jam vandali e ti z. Kryeministër duhet të krenohesh me mua barbarin, me mua vandalin që nuk rri si ai miku nën këmishë.

Sepse unë barbari, unë vandali, i dhashë dinjitet e krenari shqiptarit kudo ku është derdhë nëpër planet.

Unë barbari pohova e tregova faqe botës së madhe e të vogël, faqe miqve e armiqve, faqe ambasadorëve që u hutuan e ulën kokat e mbyllën sytë e gojët, se nuk ta kthej faqen tjetër nëse më godet në njërën faqe.

Unë barbari pohova se në këtë Shqipërinë tonë nuk ka vetëm lopë por ka edhe njerëz që ngrihen, njerëz që nuk janë si “ai miku” i kryeministrit që nuk ngrihet e as ta hedhë shurrën më larg se maja e këpucës së tij.

Unë barbari pohova e tregova shqiptarët që nuk pranojnë të fyhen tej çdo caku, që nuk dinë vetem të ikin me vrap, që nuk janë vetëm frikacakë.

Unë barbari e vandali pohova e tregova se këtu në këtë vend është vrarë frika njëherë e mirë, pohova e tregova se nuk ka më Enver e diktator që më vret a më var në litar siç ka vrarë qindra lumjanë, hasjanë, tropojanë, dibranë kur nuk kishte as italianë as gjermanë përballë.

Unë barbari e vandali pohova e tregova se nëse më shpërfill njëherë, do të shpërfillesh dy herë.

Ministri i rendit doli si trimi pas beteje duke lexuar trakt urrejtje kundër meje barbarit, trakt të shkruar në zyrat e Komitetit të dikurshëm qëndror, duke treguar dobësi, dhe më quajti barbar!

Barbar mund të jetë vetë ai ministër, unë nuk jam barbar. Unë jam qytetar i këtij vendi, jam rrënjë e këtij vendi, rrënjë e pashkulshme. Barbar mundet të jetë ai ministër.

Mua barbarin më ka lindë nëna nga vrima e shurrës, ndërsa ata që më urrejnë kaq shumë e më quajnë barbar mund t’i ketë pjellë nëna e tyre nga vrima e mutit.

Unë barbari, unë vandali reagova sepse më ftoi, më nxiti policia speciale me anë të gazit lotsjellës që të reagoj, që të mbroj sytë e mi. Po të mos më lëshonte policia gazlotsjellës, të jesh i bindur se nuk do ndodhte asgjë. Duhej ta provoje që të bindesh për këtë dhe që nuk e provove nuk është faji im por yti.

Se sa barbar e vandal jam unë, e dinë mirë ata që më njohin nga afër, ata që kanë ndenjur qoftë dhe njëherë me mua. Ndaj kur më quani ju barbar e vandal, ju shpikni urrejtje, nxisni urrejtje, nxisni përçarje e ndasi që nuk ekzistojnë mes shqiptarëve pa pushtet e karrige.

Dijeni të dy, kurrë kuksianët nuk kanë qenë njerëz të refuzuar, të përbuzur nga askush, përkundrazi janë nderuar e pse jo, janë admiruar nga të tjerët.

Sepse kuksianët janë vetja e tyre, gjithmonë vetja e tyre, nuk të tradhëtojnë, nuk të shesin, nuk dinë të përbuzin, dhe durojnë sa Pikëllima dhimbjen e Gjalica dimrat…

Unë barbari, unë vandali nuk do ta shaloj historinë se ju zhvlerësoj shumë me historinë time, por dua tu kujtoj se po bëni keq, po e menaxhoni keq situatën.

Hiqi policët z. kryeministër, mos i bëj kuaj urrejtje se nuk zgjidh asgjë me policë. Mos i burgos njerzit se ata dalin nga burgu sado i gjatë, pasi kanë dalë edhe nga burgjet e Enverit e të Ramizit. Mos bëj terror policor se mbjell hakmarrje e urrjetje të verbër. Urrejtja juaj nuk ngre ura. Mos përdor spiunë e bij spiunësh të hershëm e rishtarë se njerzit atje e dinë dhe njohin mirë njëri – tjetrin.

Mos e përbuzni kaq shumë Kukësin që e lidh vetëm një urë me Shqipërinë. A e keni parë urën mbi Drinin e Zi kur hyni në Kukës. Vetëm ajo urë na lidh me Shqipërinë. Mos i fusni policët në kurthin e urrejtjes, mos e armiqësoni Kukësin me policinë sepse çdo herë në Kukës ka dalë e humbur policia sado speciale që ka qenë e është. Sepse gjithmonë ka më pak policë se sa qytetarë.

Një Kukës është në Kukës, një është në Tiranë e Durrës, një është në Angli, një është në Gjermani, Belgjikë e Zvicër. Je qeveri shumë e vogël dhe shumë e përkohëshme të matesh me gjithë këto Kukësa. Ulu me njerzit sy më sy e mos mashtroni e kuvendoni me ta nga ekrani i televizionit. Mos mendo se do të kuvendosh me të pavarurit që nuk ekzistojnë askund. As me ata që e mendojnë se po bëhen të rëndësishm e po spikaten në këto protesta, mos shaloni kuajt e vegjël të inateve e konfliteve të vogla të njerzve të vegjël që gjenden dhe aty si kudo ku ka njerëz.

Po i josh barbarët e vandalët me abone, me mashtrime e privilegje që janë dyer e deriçka për vjedhje. Ato 120 mijë eurot që koncensionari do u japë atyre që kanë nevojë në bashkitë lokale, mbaji për vete e ha një drekë princërore me to.

Nëse don zgjidhje që ta pranojnë të gjithë, cakto taksë fikse më të ulët 200 lekë/ 2 euro, për çdo veturë, 500 lekë / 5 euro për çdo mikrobuz, 1000 lekë/ 10 euro për çdo autobuz e maune.

Nëse është pak për koncensionarin sot, le të bëje pak mirëmbajtje tani, e nesër kur të hyjnë makinat e Serbisë e më gjërë në atë udhë, e koncensionari të fitojë shumë, le të bëjë më shumë mirëmbajtje.

Kuptoji ato njerëz, mos ushtro forcë dhune se nuk je i fituar edhe pse të duket ashtu. Shtoje buxhetin për Kukësin sepse nga pasuritë që janë në atë rajon, bashkia nuk fiton asgjë.

Ja një shembull: 23 hidrocentrale lokale që ke dhenë me koncension në Kukës, që janë natyrisht me shumë fitim se ndryshe do mbylleshin, a duhet ta derdhin 1 përqind të fitimit të tyre në bashkinë Kukës ku ushtrojnë veprimtarinë e tyre.

Kukësi është ura mes tri kryeqendrave shqiptare, Shkup, Prishtinë, Tiranë. Është fat.

Këta barbarë e vandalë z. Kryeministër, kanë flijuar qytetin e fshatrat e tyre, kanë flijuar tokat e trojet e tyre, kane flijuar fëmijërinë, ëndrrat, që të ndërtohej hidrocentrali i Fierzës që prodhon energjinë elektrike për gjithë vendin.

Është e vështirë ta kuptoni flijimin e një qyteti.

Ne barbarët e vandalët e kemi bërë. Në emër të dritës e të zhvillimit.

1 prill 2018.

Please follow and like us: