Saimir Z. Kadiu: Homazh për FERENC PUSKAS!
Homazh për FERENC PUSKAS (1 PRILL 1927– 17 nëntor 2006) në përvjetorin e 96 të lindjes.
Futbollisti më i madh hungarez i të gjitha kohërave dhe një nga më të mëdhenjtë e historisë së futbollit….
E kam shikuar për herë të parë në TV në finalen e Kupës së Kampioneve të vitit 1971 midis Ajaks Amsterdam dhe Panathinaikos të Athinës (Londër – 2 qershor 1971).
Një burrë i shkurtër dhe i shëndoshë. Nuk të jepte përshtypjen e një ish futbollisti. Ishte 45 vjeç…
Skuadra greke e drejtuar prej tij dha maksimumin duke shkuar në finale. Përballë “holandezëve fluturues” të udhëhequr nga Cruyff çdo gjë ishte e pamundur.
Pas futbollit të luajtur vazhdonte të ishte “refugjat” nëpër Evropë, Amerikën Latine, Afrikë dhe më gjerë duke trainuar klube dhe skuadra kombëtare të vendeve të tjera.
Atdheu i tij Hungaria e kishte konsideruar “tradhëtar” pas braktisjes së vitit 1956. Por ai nuk e harroi kurrë Hungarinë dhe Budapestin…
Puskas ishte padyshim një nga hungarezët më të famshëm…
Loja e tij kishte madhështinë e muzikës së Liszt dhe Bela Bartok, vrullin poetik të Shandor Petef si dhe sfidën ala Puskas ndaj regjimit komunist hungarez të mbështetur nga tanket sovjetike.
Kthehet në Hungari për herë të parë në vitin 1981, pas 25 vjetësh dhe vendoset përfundimisht në Budapest në vitin 1990 pas rënies së komunizmit.
▪ Arkitekti i humbjes së parë të anglezëve në fushën e tyre në vitin 1953 ( Angli-Hungari 3-6).
▪ Lojtari që ka shënuar më shumë gola (4) në një finale të Kupës së Kampioneve ( Real Madrid – Eintracht Frankfurt 7-3 në vitin 1960).
Në këtë ndeshje të luajtur në Hampden Park te Glasgout në prani të 135 mijë spektatorëve ka ndodhur diçka që nuk është përsëritur më… Tifozët skocezë të impresionuar nga Puskas dhe Di Stefano nuk pushonin duartrokitjet edhe pas perfundimit të ndeshjes. Lojtarët e Real Madrid u kthyen tre në fushë të përshëndetuar nga publiku i zjarrtë skocez.
▪ Sipas World Soccer (1999) konsiderohet lojtari i 7 më i mirë i shekullit, pas Pele, Maradona, Cruyff, Beckenbauer, Platini dhe Di Stefano.
▪ Lindi si Ferenc Purczeld më 1 prill 1927 në një familje me rrënjë gjermane (Danube Swabian) në Budapest.
▪ Debutoi me ekipin përfaqësues hungarez me 20 gusht 1945 në një fitore kundër Austrisë 5-2.
▪ Një sulmues i jashtëzakonshëm… 84 gola në 85 ndeshje me Hungarinë ( 1945-1956)
▪ Vetëm një herë ka shënuar 4 gola me përfaqësuesen …. kundër Shqipërisë ( 12-0) më 24 shtator 1950.
▪ Mori shtetësinë spanjolle në vitin 1961 dhe luajti më pas 4 ndeshje me përfaqësuesen spanjolle .
▪ Ka luajtur 6 ndeshje në 2 Kupa të Botës me dy skuadra të ndryshme. Me Hungarinë (1954; 3 ndeshje dhe 4 gola)) dhe me Spanjën (1962; 3 ndeshje)
▪ 514 gola në 529 ndeshje në Ligat hungareze dhe spanjolle ( vetëm për kampionatët respektivë)
▪ 324 goals në 372 ndeshje (1958-1967) me Real Madrid në të gjitha kompeticionet.
▪ Sipas IFFHS (1995), Puskas ishte shënuesi më i madh i shekullit XX.
▪ Kampion Olimpik me Hungarinë në Lojrat Olimpike të Helsinkit (1952).
▪ Nënkampion bote me Hungarinë në Kupën e Botës 1954.
▪ Lojtari më i mirë i Kupës së Botës 1954.
▪ 3 tituj të Kupës së Kampioneve me Real Madrid ( 1959,1960,1966).
▪ 5 herë Kampion i Hungarisë me Honved Budapest.
▪ 5 herë kampion i Spanjës me Real Madrid.
▪ I dyti në Ballon d’Or 1960 pas Luis Suares.
▪ 4 herë shënuesi më i mirë në ligën hungareze.
▪ 4 herë shënuesi më i mirë i ligës spanjolle.
▪Vdiq më 17 nëntor 2006 në Budapest nga pneumonia.
▪Për në banesën e fundit iu rezervua një funeral shtetëror. Trupi i tij nga Stadiumi Puskas u vendos në Sheshin e Heronjve ku homazhet u kryen si të ishte një udhëheqës ushtarak.
▪ Majori “renegat” i vitit 1956 u përcoll nga një popull i tërë si një gjeneral i lavdishëm…
Tregonte George Best: “Po trajnonim lojtarë të rinj në një akademi futbolli në Australi bashkë me Bobby Charlton, Denis Law dhe Ferenc Puskás. Të rinjtë nisën të talleshin me këtë të fundit sepse ndër ne ishte më i vjetri në moshë dhe më i rëndi në peshë. Law atëherë vendosi të vinte një bast me lojtarët e vegjël duke i kërkuar të zgjidhnin njërin prej trajnerëve për të goditur traversën 10 herë rresht (sfidë pothuajse e pamundur). Natyrisht australianët zgjodhën trajnerin e shëndoshë dhe u shprehën se topi i goditur prej tij do e prekë më pak se pesë herë shtyllën horizontale. Puskás e goditi atë 9 herë me radhë dhe të dhjetën e palloi topin në ajër, e stopoi dy herë me supe e ngriti me takë dhe teksa ishte akoma në ajër i dha goditjen e fundit duke e tronditur traversën 10 herë rresht. Të gjithë mbetën gojëhapur dhe njëri u afrua e pyeti se me kë kishin të bënin.
PËR TY DHE GJITHË TË TJERËT KËTU… AI ËSHTË MISTER PUSKAS”!