Albspirit

Media/News/Publishing

Xhovani Shyti: 2013, ZGJEDHJE APO SERISH KRIZE

Pas komisionerit të BE-së për integrimin ka qenë ambasadori i SHBA në Shqipëri ai që i ka apeluar qeverisë Berisha përgjegjësinë për cilësinë e procesit të pritshëm zgjedhor qershor 2013. Madje duke deklaruar edhe dhënien e një fondi një milion dollarësh, nga qeveria amerikane, si dhe pjesëmarrjen e grupit më të madh të amerikanëve mbikqyrës në këto votime. Apelin, ambasadori Aleksandër Arvizu, e lëshoi, vetëm dy ditë pas ikjes së komisionerit të BE-së, Stefan Fyle, i cili në ardhjen e tij të dytë, brenda një periudhe kohore të shkurtër, i ripërsëriti si thirrje kryeqeverisësit dhe klasës politike shqiptare të ulë konfliktualitetin.Të angazhohet për të realizuar zgjedhje të standartit, dmth të ngjashme me ato të vëndeve të tjera të bashkësisë europiane. Që do të thotë të zhvillojë në 23 qershor një proces votimi të rregullt e kushtetues, pra të lirë e të ndershëm. Por edhe të pakontestueshëm nga palët garuese, të cilat duhet të zotohen se do ta pranojë rezultatin. Standarti i mbajtjes së zgjedhjeve të 23 qershorit është për Shqipërinë një shans që nuk duhet humbur, për t’iu afruar bashkësisë europiane, artikuloi në thelb Shtefan Fyle, duke përdorur të njëjtën retorikë si edhe të tjerë përfaqësues të kësaj bashkësie.
Ajo çka është e dukshme në apelet e dy përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare ka të bëjë me impenjimin e tyre serioz për procesin zgjedhor 2013. Mirëpo a pritet diçka ndryshe nga më parë, qoftë nga kampi qeverisës qoftë nga ai politik? A janë ambasadori Arvizu, komisioneri Fyle, dhe bashkëkolegu i këtij të fundit, Kukan (i cili po ashtu artikuloi po të njejtin apel), të parët që i’a vënë si objektiv qeverisë dhe forcave politike shqiptarë alternativat e mësipërme? A do të jenë votimet e 23 qershorit 2013 zgjedhje të vërteta, të standarteve, që do i japin shoqërisë shqiptare zgjidhje të krizës politike,ekonomike e sociale, apo sërish ato do të jenë zgjedhë në qafën e demokracisë shqiptare? Për të dhënë përgjigje, vec duke respektuar secilin individ të nxjerrë konkluzione sipas shkallës intelektuale, nuk po merem me teorizime, por po i referohem fakteve të viteve të shkuara zgjedhore.Sepse interesimi i bashkësisë ndërkombëtare për fatin euroatlantik të Shqipërisë ka nisur që në fillimvitet ’90-të. Kur në krye të shtetit ishte Ramiz Alia, pasardhësi i drejtëpërdrejtë i Enver Hoxhës.
Përpara mbajtjes së procesit zgjedhor të 31 marsit 1991 edhe Alisë i’u bë thirrje nga KSBE-ja e atëherëshme, apo OSBE-ja e sotme etj., autoritete ndërkombëtare për të realizuar një proçes zgjedhor që do ta afronte vendin me shoqëritë demokratike. Gjë që u pranua nga Ramiz Alia, por që rezultoi me manipulime të votave, dmth rezultatit. Madje referuar burimeve opozitare të asaj kohe, konstatohet se thyerësi më i madh i ligjit elektoral të atij proçesi është vetë zotuesi para komunitetit ndërkombëtar ,pra Ramiz ALIA. Fjalimi programatik i të cilit u lejua të transmetohej edhe në kufirin kohor të ndaluar me ligj .Domethënë në periudhën kohore që sipas ligjit cilësohet “heshtja zgjedhore”. Por,në këto zgjedhje, përkundër garancive që i dha kreu i shtetit Alia, KSBE-së etj., ligji u thye edhe duke manipuluar me trupa sampistësh e ushtarësh që transportoheshin dhe votonin sa në një qendër votimi në tjetrën. Por edhe duke futur nëpër qëndrat e votimit kuti të mbushura, me fitoren e PPSH, nga punonjësit e policisë…
Por të njëjtën mënyrë sjelljeje si Ramiz Alia manifestoi edhe pasardhësi i tij, Sali Berisha, i cili i’u zotua, për të futur edukatën e zgjedhjeve të ndershme e të lira , jo vetë ndërkombëtarëve, por edhe shqiptarëve. Zotimin Berisha e dha publikisht gjatë fushatës elektorale të procesit zgjedhor të 22 marsit 1992 dhe vazhdoi ta artikuloj papagallshëm përgjatë gjithë proceseve pasardhëse, kur ishte në poste ndikuese për ta mbajtur fjalën. Herë me kostumin e Presidentit e herë me atë të Kryeministrit. Por çfarë realizoi? Sipas dëshmive shkresore të kohës, asgjë më shumë se paraardhësi i tij Ramiz Alia, megjithse, nga 1992-1997 ishte në krye të piramidës shtetërore si dirigjent i më shumë se shtatë proceseve zgjedhore. Madje të manipuluara, në favor të partisë së Berishës dalin të jenë edhe votimet e mbajtura në 22 mars të vitit 1992, kur më shumë se 65%, e 90.35 % të shqiptarëve pjesëmarrës në to, mezi prisnin të votonin për PD-në. Edhe në këto votime u regjistruan manipulime.Si psh në Drenovë të Korçës, ku rreth 200 votues pa nënshtetësi shqiptare rezultonin se kishin votuar per PD, por edhe në Këlcyrë,ku kryetari i Komisionit të votimeve, që i përkiste PD-së, një dite para zhvillimit të zgjedhjeve kishte vulosur të gjitha fletët e votimit, dhe po kështu kishte ndodhur edhe në Levan, në Zonën 26 Patos, në Zonën 29 Roskovec, në Zonën 58 të Matit etj. Por po e njejta edukatë u manifestua edhe në dy palë votimet e mbajtura përgjatë vitit 1994, ato vendore të majit dhe referendumin për projekt-kushtetutën Berisha, ku dhuna, manipulimi dhe terrori mbi opozitën, qenë sunduese, ndërkohë që në votimet e 26 majit 1996 dominoi dajaku dhe gjaku. ”Përgjaket opozita, përgjaken protestuesit, përgjaken deputetët, përgjaken gazetarët…”, ishte raportimi që sundoi këto zgjedhje,e që nuk doli të ishin të fundit e kësaj cilësie. Sepse ja si ka vazhduar avazi: Fushata zgjedhore për votimet e vitit 2000, nisi me atentat, ndaj Sali Berishës, kurse procesi votues vazhdoi me dhunën e manipulimin policor të votuesve. Në votimet e vitit 2001 ishte KQZ-ja në qendër të akuzave,por edhe prefektët që frymëzuan thyerjen e ligji zgjedhor.Në zgjedhjet e vitit 2005 u shënua vrasja e parë elektorale, kurse çertifikatat dhe biznesmenët do të trondisin procesin e votimit. Duke qenë kandidat për deputet, kryeministri Fatos Nano, ashtu siç bënte Berisha kur ishte president, shpërndante tapi pronësie për të marrë vota. Në votimet e mbajtura në shkurtin e vitit 2007 ishin çertifikatat e paregjistruara ato që bllokuan procesin dhe shtyn mbajtjen e votimeve në kufirin e përcaktuar ligjor… Më pas, proceset kanë patur si refren togfjalëshat: betejë për Kodin Zgjedhor, beteja e kartave, beteja e votave të parregullta, beteja e kutive të pahapura, beteja e projektligjeve,manipulimi i proces verbaleve, kriza. Krizat paszgjedhore që i ka humbur vendit kohën e integrimit në Bashkësinë Europiane. Kriza qe janë rikthyer në piken e nisjes, sapo është shpallur rerzultati i votimeve. “Ka patur, pak a shumë, tetë zgjedhje në Shqipëri, që nga mbarimi i periudhës komuniste dhe asnjëherë pala që ka humbur nuk e ka pranuar rezultatin e tyre. Ndaj dhe, deri më tani, kjo nuk përbën ndonjë gjë të re…”, ka vlerësuar Gert Ahrens, njëri nga Ambasadorët e OSBE-së në Shqipëri, ndërkohë që, tërësisht i kundërt me këtë realitet, ka qenë ai i pushtetarëve tanë. Për Berishën, Finon, Nanon, Majkon e Metën, zgjedhjet e mbajtura nën administrimin e qeverimit të tyre, kanë qenë: “…më të ndershmet e më paqësoret, që janë mbajtur, që nga 1991”.
” … Zgjedhjet dhe zgjidhjet, dy koncepte kyçe të politikës që në gjuhën shqip, si fjalë, dallohen nga vetëm një tingull, por që i ndajnë botë të tëra…”, do të vlerësonte Adelheit Feilche Tiemann, shefe e sektorit shqip të Radio “Deutche Welle”,pas përfundimit të proçesit mbajtës të zgjedhjeve vendore të vitit 2000.
“Nuk jam aspak i habitur që jo vetëm Misioni i Vëzhguesve, por edhe të gjithë përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar, që i ndoqën këto zgjedhje, i cilësuan ato si një shans i humbur. Mendoj se kjo pritej, duke pasur parasysh vonesat në organizimin e zgjedhjeve, mungesën e besimit mes kandidatëve dhe shumë gjëra të tjera, që nuk u bënë në kohën e duhur… Në fakt, unë do të isha habitur sikur zgjedhjet të përmbushnin standartet, sepse, që në fillim, ato nuk morën drejtimin e duhur…”. Është deklarata e këshilltarit të lartë të Komisionit të Helsinkit të Kongresit amerikan, Robert Hand, bërë pas përfundimit të zgjedhjeve vendore të 18 shkurtit 2007. Pas procesit që ligjërisht duhej të mbahej në tetor të vitit 2006 e që mezi u arrit të realizohej me 5 muaj vonesë pikërisht si rezultat i politikës së shejtanizuar të kryeministrit ngatërrestar në detyrë. Ka edhe dhjetra deklarata të tjera të bëra nga ndërkombëtarët, që kanë vëzhguar proceset zgjedhore shqiptare, por rreshtova në fund këtë të z.Hand për të vetmen arsye se ne zgjedhjet e pritshme të 23 qershorit 2013 janë prezentë, të njejtët aktorë kryesor politikë, por edhe qeverisës e administrues të tyre. Në proçesin ku, ndërkombëtarët duket të jenë më të mobilizuar se kurrë për ti monitoruar, por që mund të ketë të njejtin fat, përderisa të jenë prezente vonesat në organizimin e këtyre zgjedhjeve,mungesa e besimit dhe mes forcave politike dhe mbi gjithçka mekanizmi shejtanizues dhe mosdëshira e kryeministrit Sali Berisha për të mbajtur më në fund fjalën e dhënë shqiptarëve 21 vite më parë, për tu kultivuar kulturën e votimeve të lira e të ndershme.Që janë shtylla vertebrale mbi të cilën mbështetet trupi i demokracisë. I demokracisë së vërtetë dhe jo i llojit të gjertanishëm, që ca e quajnë tranzicion,ca të tjerë anarshi,ca të tjerë akoma komunizëm në fazën e kalbëzuar e kështu më tej. Por që është e sigurt se nuk ka asnjë lidhje me demokracinë dhe kapitalizmin demokratik.Sepse: “ Që nga ardhja e një regjimi më perëndimor, më demokratik, ajo që panë shqiptarët nuk ka qënë ana e mirë e botës perëndimore. Përkundrazi, ka qënë një karikaturë e botës perëndimore… Është kaluar nga një regjim i tmerrshëm, nga një diktaturë, në një regjim që, sinqerisht, nuk funksionon mire“. Konkluzioni është i Katerin Lalymier, kryesueses së grupit të vëzhduesve ndërkombëtar të zgjedhjeve 1997.Një konkluzion i dhimbshëm, por i vërtetë, dhe që vështirë se mund të tjetërsohet në procesin që pritet të finalizohet në 23 qershor 2013, vetëm me retorika, me thirrje e apele për bashkëpunim e konsesualitet midis qeverisë e forcave politike.
Please follow and like us: