Albspirit

Media/News/Publishing

Edmond Vlashaj: Akoma koshat e mbeturinave në qytet?

 

Akoma koshat e mbeturinave në qytet?

Jo!

Sytë tanë nuk duan të shohin më kosha mbeturinash në qytet!

Hundët tona nuk duhet të mbyllen, përdhunshëm sa herë dëgjojnë lloj-lloj kundërmimesh sa herë u kalojmë afër trotuareve “armatosur” me kosha mbeturinash.

Makinat tona nuk kanë pse zihen ngushtë sa herë koshat e mbetjeve, ngushtojnë rrugët duke “dhuruar” falas aksidente të shtrenjta.

Njerëzit tanë nuk kanë pse vendosen në rresht për një, sa herë u duhet të kalojnë në trotuaret që për peshqesh nuk kanë veç erën e rëndë, por edhe ngushticën.

A thua se ngushtica dhe të ngushtuarit gjithandej paska mbetur si subliminal “edukues” për të pabindurit e kësaj bote?

Kolonitë e mikrobeve, baktereve, viruseve etj, etj si këto, nuk kanë pse të gjejnë strehë dhe stacione ndërzimi në koshat e mbeturinave mu poshtë shtëpive tona, mu në rrugët, trotuaret dhe sheshet tona!

Koshat e mbeturinave të palara dhe të padizinfektuara asnjëherë, i sëmurin njerëzit!

Eeeej a dëgjuat? Po i sëmurin njerëzit!

Jo kosha mbeturinash mbi tokë!

Jo kosha mbeturinash nën tokë!

Riciklimi është zgjidhja!

Banorët duhet t’i vendosini mbeturinat e tyre në thasë plastike, të ndara në mënyrë standarte sipas grupeve të mbetjeve, letër, plastike, qelq, organike, metalike, si dhe të tjera.

Në çdo brendësi të lagjes, për shembull për çdo grup 10 deri 20 pallatesh qëndron një punonjës përgjegjës për pastrimin e territorit, nga një në çdo turn, i cili pret me furgonin e tij të mbyllur, për të marrë thasët e mbetjeve, të cilat grumbullohen në një orar të caktuar përgjithësisht nga ora 23.00 deri në ora 7.00.

Mbetjet e qelqit, rrobat, mbetjet metalike lihet një ditë e veçantë çdo javë për grumbullimin e tyre, ndoshta dita e hënë ose e mërkurë.

Ky furgon i transporton mbetjet nga lagja në periferi, në pikën e grumbullimit dhe riciklimit.

Këto mbetje shiten aty për aty. 50% të vlerës i merr punëtori dhe 50% i merr ndërmarrja e Bashkisë dhe Bashkia.

Furgoni duhet të lahet dhe dizinfektohet pas çdo rruge me ngarkesë nga qyteti në pikën e grumbullimit dhe të riciklimit.

Le ta provojmë ti përngjasojmë Zvicrës, Italisë së Veriut dhe Austrisë në këtë drejtim, sepse është më me leverdi se çdo nakatosje tipike e deritanishme në trajtimin e mbetjeve urbane në qytetet tona.

Please follow and like us: