Albspirit

Media/News/Publishing

Avdulla Kënaçi: HIJA E GJAKMARRJES

Tregim
As vetë nuk di sesi u ndodha bosh dhe nuk e refuzova atë ftesë. Sa herë isha betuar të mos shkoja në jetë me mendjen e shoferëve. Isha me shërbim në Shkodër prej Televizionit Kombëtar, në krye të një ekipi prej tre vetësh; kameramani, shoferi dhe unë. Duheshin edhe dy vjet sa të mbyllej shekulli i njëzetë. Atdheu im ende lëngonte nga plagët e pambyllura të trazirave të tre vjetëve më parë. Jetët e njerzve ishin ende të pasigurta, por ngaqë trazirat kishin ndodhur në Jug të vendit, unë mendoja se Veriu duhet të kishte më shumë rend e qetësi, ndaj u nisa me shërbim në Shkodër, me një farë sigurie në vetvete. Kishte qenë dimër i thatë, pa reshje dhe hidrocentralet punonin me gjysmën e kapacitetit të tyre. Ne kishim shkuar të informoheshim mbi masat që ishin marrë për kursimin e energjisë elektrike. Kishim mbaruar punë dhe si kameramanit, ashtu edhe shoferit, u dhashë leje të bridhnin nëpër dyqane për nja dy orë. E sa për veten time kisha dëshirë të takoja miqtë e vjetër, letrarët shkodranë, ata që dikur më thonin: “Hidh grepin në Bunë për krap e të del një lab”. Por xhan-xhin. Prisja tjetër gjë. Ishte një realitet ndryshe, gati i panjohur për mua. Pse po më zhgënjente Shkodra ku dikur i bëja shërbimet me gëzim të madh?! Dukej sikur qytetarët sapo ishin grindur me njeri-tjetrin; shumica ecnin në rrugë kokulur. Nuk ishte ajo Shkodra që njihja unë, plot vajza të bukura, gjallëri e të qeshura gazmore. Këta të sotmit sikur sapo janë kthyer nga varrimi, mendova.
U futa në hotel “Turizmi -n” e vjetër, i cili ashtu, i palyer, dukej edhe më i vjetër. Hodha sytë në sallë se mos ndoshta ndeshja ndonjë fytyrë të njohur, por asgjë. Vetëm aty në fund, mbështetur pas murit, dy burra në moshë të thyer flisnin diçka nën zë. Jepnin e merrnim me duar e këmbë, disa herë të nervozuar. Për humor as që bëhej fjalë. Flisnin mbyturazi, sikur ishin zhytur në fund të pusit.
– Shumë e zbrazët salla, – i thashë një kamerieri të gjatë e truphollë, që priste qiri në këmbë për të marrë porosinë.
– Nuk ka më klientë si në kohën e artë të piramidave, – m’u përgjegj ai – ikin njerëzit tufa-tufa për në Perëndim, sikur dikush i ka vënë përpara me gurë. Kanë ikur edhe artistët e shkrimtarët, klientët tanë më të zgjedhur prej të cilëve kjo sallë gjithnjë ka qenë plot gaz e gjallëri.
– Kanë marrë me vete edhe humorin shkodran e të qeshurat? – i thashë unë me një fije shpotie.
– Allahile, i kanë marrë. Po, qe besa, nuk ka ma hajgare.
– Një konjak, të lutem, ndoshta më sjell në terezi, – porosita i menduar.
Kamerieri përplasi takat e këpucëve, ktheu krahët dhe eci me nxitim për nga banaku, por barmeni ishte zhdukur dhe ai u detyrua të përkulet para banakut si një drapër, hapi deriçkën dhe “mbiu” pas banakut, tek raftet e mbushura me gjithfarë lloj pijesh. E ndoqa me sy si hapi një qelqe të re konjaku dhe mbushi gotën time buzë më buzë. U kthye tek tavolina duke më vendosur pijen përpara. Vazhdova bisedën aty ku e kisha lënë:
– Në Itali ka përfunduar edhe banakieri, – bëra shaka unë duke vënë gotën e konjakut në buzë. Kamerieri nuk qeshi me shakanë time.
– Jo, – tha – ka dalë jashtë e po ngrohet në diell. Këtu në lokal është ende dimër, nuk kemi ngrohje dhe veç jush nuk ka kush të porosisë tjetër. Sa për ata dy pensionistët në fund sallës, veç kafes e ujit, ata nuk porositin asgjë tjetër. Aq iu mban xhepi. “Eeh, paratë e pensionit, qesja sa një kokërr hudhër”, mendova unë.
– Duket sikur grinden, – i thashë me një fije dyshimi.
– Jo, kanë një orë që bëjnë hamendje se kush mund ta ketë vrarë djalin që u gjet sot në mëngjes i vdekur mbi zallin e bardhë të lumit Kir.
– Ka pasur një të vrarë gjatë natës?
– Po, gjatë natës, një djalë 27-vjeçar e kanë eleminuar për borxhe, me sa duket. Janë futur shumë lekë në piramida nën garancinë e tij. Ai ishte ndërmjetës, një farë garanti.
– Domethënë ka nisur një gjakmarrje e re. Nuk mendoja se edhe këtu paskanë hedhur rrënjë piramidat.
– Nuk mund ta themi me siguri arsyen, jo më parë se pa marrë vesh kush ishte dora që shtini përmbi të. Ishte ekzekutuar vetëm me një plumb në kraharor. Duhet ta kenë gjuajtur nga shumë afër me revolver, sepse plumbi i kishte shpuar zemrën tej e tej.
U habita si nuk na tregoi kush se çfarë kishte ndodhur atë mëngjes. Ne kishim takuar edhe qytetarë të tjerë, plot njerëz. Mediat nuk kishin dhënë ndonjë njoftim të tillë. Me sa dukej policia nuk ishte e përgatitur të jepte një përgjigje. Ah, si nuk na u ndanë këto vrasje tinzare! Ndjeva mornica në trup. Ekzekutuar pa gjyq një djalë 27-vjeçar, në kulmin e jetës së tij, ndoshta ishte i martuar. Ndeza një cigare, pa pyetur nëse lejohej duhani në atë sallë.
Ishte mesi i prillit dhe “Turizmi” nuk kishte nxehje. Shkodra është mes lumenjve dhe liqenit dhe ka shumë lagështi, sidomos në muajin mars-prill. Kamerieri më shpjegoi se e kishin fikur para kohe kaldajën me qëllim të kursenin sadopak karburant. Papritur, jashtë, u dëgjua një krismë e fortë dhe dy burrat në fund të sallës u çuan si me komandë e dolën nga dera përfund.
– Do Zoti, ndoshta nuk ka ndonjë vrasje tjetër, – tha kamerieri i zbehur në fytyrë. Pas pak dy pensionistët u kthyen të qetë dhe njeri prej tyre, ai që kishte hedhur anash ballit një tufë flokësh ngjyrë eshke, i tha kamerierit:
– Asgjë, plasi një gomë makine, nuk ishte krismë arme.
– Lëvdue kjoftë Jezu Krishti, – tha kamerieri nën zë duke u kthyer në drejtimin tim.
Tej e tej sallës ra një heshtje si prej varri. Të gjithë ishim pushtuar nga mendime të trazuara. Edhe dy burrat në fund të sallës po tymosnin të menduar cigare nga ato të lirat. Për atë lloj marke thonin se duhani është i përzier me gjethe dushku. Po thithja me duf cigaren time të tretë, kur ja, njëri kanat i derës, afër banakut, u hap ngadalë, si me ndrojtje, pastaj u çel plotësisht. “Ja ku është shefi”, i tha shoferi im kameramanit dhe të dy së bashku ecën si në një paradë mode, drejt tavolinës ku kisha zënë vend.
– Uluni dhe merrni diçka për të pirë, – u propozova të dyve.
– Jo, shef, – tha kameramani me një zë si prej fajtori – një mik po na pret për drekë. Ai na u lut që të vini edhe ju.
– E njoh unë atë?
– Jo, po ti e di që malësorët janë mikpritës, nuk do që të na ndajë si grup.
– Ee, mor mashtrues, lëri këto manipulime, – i thashë me shaka dhe u ngrita. Isha mërzitur duke qëndruar vetëm.
Ecëm rreth pesë minuta me furgon prej qendrës së qytetit ku është “Turizmi”. Shtëpia ku bujtëm ishte në periferi të qytetit, afër shinave të hekurudhës që shkonin në drejtim të Malit të Zi. Sa u afrua makina jonë, kërcitën ca zinxhirë dhe u hap një portë e madhe hekuri, ngjyer në bojë jeshile. U duk sikur i zoti i shtëpisë na priste pas porte. Ishte një burrë me trup mesatar, rreth të dyzetave, zeshkan, hundën me samar, karakteristikë e tij e veçantë e cila binte në sy që atje tej. Dorën e majtë e mbante ngjeshur pas kraharorit dhe tjetrën na e zgjati të treve me radhë duke përsëritur: “Mirse ju ka prue Zoti!”
Në oborr ishin përhapur ca pupla shpendësh të spërkatura me pika të kuqe gjaku. Buzë murit të avllisë, nën një zjarr bubulak, diçka ziente në një tenxhere pis të zezë. Në atë shtëpi ishin tre vetë, një grua plakë dhe djali i saj me nusen, kjo e fundit një përzjerje qytetro-fshatare. U ulëm rreth oxhakut ku thëngjijtë, apo gacat e zjarrit, herë të mbuluar me hi e herë jo, skuqnin e shkëndijonin. Dielli kishte anuar për nga perëndimi duke ndriçuar gjethet e njoma të pemëve. Nën dritën e tij shkëlqenin si flutura të vogla lulet e bardha të mollëve, ndërsa qershitë kishin nxituar të lidhnin kokrra jeshile si sumbulla, në pritje të një dielli më të nxehtë. Ajo ditë prilli ishte e trazuar midis dimrit dhe pranverës, nuk merrej vesh, as ftohtë e as ngrohtë.
I zoti i shtëpisë, i cili quhej Pjetër, m’u drejtua mua të parit. Kërkoi të dinte nga isha me origjinë dhe çfarë njerëz kisha në familjen time. Ia rrëfeva me radhë ato që deshi të dinte. Ai ngriti gotën e rakisë, ndërroi temën e bisedës dhe mori një shëndet për mua, mysafirin e saponjohur. Më habiti kur më thirri shef, ashtu si vartësit e mi, por nuk bzana.
– E dini që sonte natën në Zall të Kirit ka ndodhur një ekzekutim, – thashë unë. Pa mbaruar fjalën, të zonjës së shtëpisë i ra një pjatë përdhe duke u thërrmuar e tëra. Djathi dhe qepët e njoma u shpërndanë në dysheme.
– Jo, nuk e dimë, – u nxitua të thotë i zoti i shtëpisë, pak i zbehtë në fytyrë – nga e more vesh? Çfarë moshe kishte i vrari? Ku? Si?
– Rreth të tridhjetave, ishte nga ata të piramidave. E mësova në kafen e madhe të “Turizmit”. Me sa kuptova ka qenë një ekzekutim i pastër, për larje hesapesh.
– Nga të Piramidave? E di si quhej? – pyeti e shoqja e të zotit të shtëpisë duke mbledhur copat e pjatës së porcelanit të thyer.
– Duhet të ketë qenë Zefi, – qetësoi të shoqen vetë i zoti i shtëpisë kur mësoi se ishte fjala për fajdexhinj të piramidave.
– Ia kanë bërë mirë, – tha shoferi im – rropën miletin me këto piramidat, kush dreqin i solli këtu këto metoda që paraja na pjellka paranë dhe ti mund të pasurohesh pa bërë asnjë punë.
– Duhet të veprojë ligji, – shtova unë – jo individi të bëjë vetëgjyqësi. Qarkullon paraja dorë më dorë pa asnjë lloj dokumenti. Është mashtrim i pastër, e merr goditjen pas kokës gjithmonë i fundit.
– Asgjë nuk të zgjidh shteti, – tha Pjetri duke u ngulur sytë si tyrjelë thëngjijve që sapo vinin e shuheshin – shteti këtu nuk ekziston. Dëgjo, or mik, ne si malësorë nuk i kemi kërkuar shtetit të zgjidhë mosmarrëveshjet tona me gjyq. I kemi zgjidhur vetë sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit. Kanuni është i drejtë për të gjithë, nuk pret sa të bëhen gjyqet dhe drejtësinë ta fitojë ai që ka më shumë para. Kanuni është i barabartë për të gjithë, si për të krishterin, si për muslimanin.
– Zoti Pjetër, – nuk m’u durua pa i kthyer përgjigje – Kanuni i përket patriarkalizmit dhe rendit fisnor. Ndryshe quhet edhe Kanuni i Maleve. Ti familjarisht ke zbritur në qytet. Këtu nuk ke as si mbrohesh, as ku të fshihesh, prandaj funksionojnë rregulla të tjera të bashkëjetesës. Individin duhet ta mbrojë ligji, shoqëria, ndryshe me kanun zinxhiri i hakmarrjes nuk shuhet kurrë. Të pyes unë çfarë faj ke ti për gabimet e gjyshit e stërgjyshit tënd?!
– E ke jangllëç, or mik, – e mori fjalën përsëri Pjetri duke e ngritur pak më lart zërin – Kanuni i parashikon të gjitha, është kulturë e lashtë juridike që u ka rezistuar shekujve. Kanuni përmban dymbëdhjetë libra në 24 krerë, 199 nene dhe 1263 paragrafë. Kanuni vendos rregull në bashkësi. Ja, të marrim librin numër 6, ku flitet për “Të dhanunat”, huatë, aty parashikohen të gjitha hapat që duhen bërë…
– Nuk e besoj që në Kanun huaja të zgjidhet me plumb e marrje jete, – kundërshtova unë – ndryshe kjo do të ishte mizore…
Ndërkohë, e zonja e shtëpisë, pasi ishte siguruar se i vrari në Zall të Kirit ishte Zefi, me të cilin ajo nuk kishte lidhje farefisnore, e mbushi sofrën me meze. Mua më vuri përpara gjoksin e pulës. Dy vartësit e mi, të mësuar me trapezë e dolli nga shërbimet nëpër Shqipëri, u gjallëruan. Ngrinin dolli një pas një dhe ishin gati t’ia nisnin këngës.
– Këngë jo, sidomos sot, – tha Pjetri, – jo vëlla Mark, ti ma din hallin, – i tha shoferit tonë.
– Më fal, – tha Marku dhe uli kryet.
– Ia thotë rakia, jo mëndja, – e mbrojti kameramani kolegun.
– Sa për raki ai ka pirë më pak se ju të dy duke pasur parasysh se ka timonin, – i doli në krah Pjetri.
Në faqen e murit përballë meje, në formë trekëndëshi, ishin varur tri fotografi. Në foton e sipërme ishin burrë, grua dhe dy djem 6-7 vjeçarë, ulur në gjunjë të tyre. Më poshtë, djemtë ishin më të rritur, por kishin pozuar veç e veç.
– Të kujt janë ata djem? – këmbeva unë temë bisede duke e ditur se nuk mund t’ia ndryshoja mendimet për Kanunin të zotit të shtëpisë vetëm gjatë asaj dreke.
– Tanët, – nxitoi të përgjigjej gruaja.
– Po ku janë? – pyeti kameramani.
– Në Itali, tek vëllai, – u përgjigj Pjetri me sy të rrëmbushur me lotë.
– Me ta është edhe nana e Pjetrit, – plotësoi e zonja e shtëpisë si për të zbutur mallin e vet.
– Po kjo gruaja tjetër këtu? – pyeti përsëri kameramani.
– Nana eme, – ka ardhur sot me na nimue për shkakun tuj, – u përgjegj ajo.
– Fëmijët aty në Itali janë të sigurt, – u hodh e tha Pjetri duke u kthyer tek fotografia në mur.
– Sa kohë keni pa i parë? – pyeta unë
– Trembëdhjetë muaj e shtatë ditë sot, – u përgjegj gruaja e përlotur.
– T’u vijnë shëndoshë, – uruan në një zë shoferi dhe kameramanin.
“Sa fjalë e aq të mira!”, urova unë duke i dhënë fund bisedës dhe drekës së bashku. Kishte shkuar vonë, duke falënderuar për pritjen, mora leje të ngriheshim për të dalë. Ishim për rrugë drejt Tiranës.
– Kam një lutje, – m’u drejtua mua Pjetri – a mund ta pimë kafen tek ish klubi i SMT-së?
– Posi jo – nxitoi të flasë para meje kameramani. Unë i hodha një sy flakërues si për t’i thënë se këtë e vendos unë, shefi. Ai e mori shpejt kthesën, m’u afrua afër veshit dhe kërkoi falje. Ma mbylli gojën, si gjithmonë.
***
Hijet e godinave dhe të pemëve ishin zgjatur edhe më shumë. Fasha drite përshkonin rrugët e ngushta e gjithë gropa. Dielli po i afrohej majës së Taraboshit. Qyteti kishte rënë në një qetësi tinzare. Çfarë lajmesh të tjera të kobshme do të mbulonte nata në qytetin tonë verior ku përzihej tradita dhe kultura e sojme shkodrane me Kanunin e Lekë Dukagjinit?
Për habinë time, sa hymë në klub, pronari zgurdulloi sytë duke i drejtuar mbi fytyrën e Pjetrit. Disa nga ata që pinin raki apo fërnet, dolën një nga një sikur ne të ishim policë që kërkonim kriminelin midis tyre. Pjetri nuk u përmbajt më:
– Askush nuk do të guxojë të shtjerë mbi mua. A nuk e shihni që unë jam në mbrojtje të ekipit të Televizionit Kombëtar, – deklaroi plot mburrje përpara atyre pak burrave që dilnin njëri pas tjetrit kokulur nga kafja e ish SMT-së. Kjo deklaratë e tij më la pa mend, ishte e pabesueshme, e papritur për mua. Ne nuk kishim marrë përsipër mbrojtjen e tij. Ai qenkishte në gjak për një vrasje që kishte bërë para më shumë se një viti dhe ishte e para herë që dilte nga shtëpia. Paskishte qenë i ngujuar. Nuk iu durua të rrinte për muaj të tërë pa dalë jashtë, mbyllur me portën jeshile prej hekuri. I vetburgosur. Gjithë ai stres i grumbulluar për muaj të tërë do të shpërthentë diku. Dhe mori guximin të dalë së bashku me ne, edhe pse e dinte se kjo ishte e rrezikshme. Mburoja jonë ishte jusifikim, e rreme. Pimë kafen në heshtje, si në një ditë zie. Ama sytë nuk ia ndanim rrugës jashtë dritares, sidomos kameramani që e kishte vështrimin më të mprehtë.
Dolëm jashtë lokalit duke hedhur hapat si gjuetarët në pyll. Hipëm të gjithë në furgon. E lëshuam Pjetrin brenda portës së tij me hekura dhe u larguam drejt Tiranës, pa folur asnjë fjalë. Zieja pëbrenda. Deri aty nga mesi i rrugës, bëra si bëra, e mbajta zemërimin. Nuk e hapa gojën për të bërë ndonjë qortim, si zakonisht kur vartësit e djallosnin punën. Ishim në mes të autostradës dhe Marku e kishte shkelur gazin deri në fund. Ecte mbi shpejtësinë e lejuar, sikur fajin t’ia kishte pasur furgoni. Kameramani më njihte mirë dhe e kishte kuptuar me kohë se unë isha bërë vrer. Më afrohet tek veshi.
– Për kokë të Erikut, unë nuk dija asgjë se i zoti i shtëpisë ishte në gjak, – më tha me një zë të përvuajtur. Nuk i ktheva përgjigje. Zieja ende nga inati; si ishte e mundur të kisha rënë pre, me gjithë atë përvojë që unë kisha në profesionin e gazetarit?! Kurth? Jo me qëllim, mendova. Këtë farë tensioni dhe frike se mos hanim ndonjë plumb qorr, e kishim “peshqesh” nga idiotësia e shoferit tonë, Markut, patriot dhe mik i Pjetrit. Ende nuk e kam të qartë pse duhet të na zhyste në këtë situatë të pakëndshme, më e pakta skandal në Televizion. Lavdi Zotit që nuk na ndodhi asgjë. Por edhe mund të ndodhte.
Please follow and like us: