Odise Kote: Mbi librin e Zija Vukaj – “Labirinteve të fjalës”
Shënim i shkurtër për librin e Zija Vukaj – “Labirinteve të fjalës”
– ese, përsiatje, fejtone –
“Labirinteve të fjalës” e lexova me kujdes, ngadalë, sepse që në fillim lexuesi e ndjen se ajo është një gjë mjaft e mirë, serioze, e këndshme, dëfryese, dijedhënëse, e pahasur më parë në letrat shqipe, ndaj kërkon që ta shijojë deri në thërmijën e fundit kënaqësinë që të fal. “Një lexues që nuk ka lexuar asgjë për tri ditë – thotë poeti Huang Shanku, dallohet ngaqë kuvendimi i tij nuk ka shije dhe deri edhe fytyra e tij bëhet për të mos u parë në pasqyrë’. Me këtë ka dashur të thotë që “leximi i jep njeriut një hir dhe një shije të veçantë, çfarë në fund të fundit është edhe vetë synimi përfundimtar i leximit. Vetëm të lexuarit me këtë objektiv mund të quhet art. Nuk duhet lexuar për të përmirësuar kulturën vetjake, sepse kur fillon të mendosh për të përmirësuar kulturën tënde gjithë kënaqësinë e leximit e ka marrë lumi. Përkundrazi, të lexosh për të zhvilluar njëfarë hiri vetjak dhe njëfarë shijeje në të kuvenduarit është, sipas Huangut, e vetmja metodë e pranueshme leximi”.
Në mbarim të leximit të librit të Z.Vukajt, dy ishin përfytyrimet e mia për autorin: një plak mençurak me një thes të rëndë diturish e refleksionesh të mbledhura me kujdes gjatë jetës, që i ngjitet vetmohueshëm malit të Olimpit dhe së dyti një Bibliotekë enciklopedike shëtitëse që dëshiron t’ju dhurojë bujarisht lexuesve mësime e dije të sofistikuara e plot finesë.
Si rrallë kush sot në letrat kulturologjike shqiptare, Zija Vukaj shquan për shije sipërore në përzgjedhje e trajtim, elegancë e sqimë konceptuale, gjuhë të zhdërvjellët dhe tejet të shkrifët, mbi të gjitha për ide të qarta, koherente e paraprijëse. Eseistika, shënimet e profilet kulturore të botuara herë pas here, kanë dhënë sinjalet e duhura se kemi të bëjmë me një autor që leximin, reflektimin, përsiatjen dhe procesin kriues e ka ajër të pastër të frymëmarrjes kulturologjike e letrare. E ka nisur jetën me librin, si mësues, ka vijuar studiues i përkorë, pedagog e analizues i fenomeneve letrare, autor e kërkues shkencor në lëmi të gjuhësisë, kritikës, metodikës, vëzhgimeve pedagogjike, krijues tekstesh letrare me një vijueshmëri të admirueshme dhe passion shkencëtari. E gjithë kjo materie e përzgjedhur me shumë kujdes redaktorial është plazmuar në gjashtë kapituj në librin e ri që po i vjen lexuesit.
Gjashtë kapitujt e librit, REFLEKSE LETRARE, CESHTJE GJUHE DHE STILISTIKE, PERSIATJE, GALERI, REFLEKSE PEDAGOGJIKE, KULTUROLOGJI mund të ishin edhe libra të mëveçëm (sipas gjinive) pasi kanë të gjithë lëndën, stilin e të shkruarit, bukurinë dhe “xhevahiret” e duhura për të “mahnitur” çdo lexues, por të vendosura në të njëjtin Tekst Letrar ato sjellin risi për kulturologjinë shqiptare. Teoria e gjinive dihet se është parim i prejardhjes, lirika, epika, eseistika dhe dramatika, arkigjinite e triadës, por të përmbledhura në të njëjtin Tekst ato marrin formë dominante letrare, ku brenda tyre është edhe metafora, analiza, drama, kërkimet shkencore, analizat krahasuese, vizatimet, informacionet nga tekste të ndryshme shkencore, politike,sociale etj. Kjo formë e afishimit kulturologjik shënon edhe fillimin e një ndjeshmërie të re, sikundër fundin e një të vjetre. Për analizë mund të përdoret Teksti (Postlexim Cabej). I pari Goethe (Gete) si rrebel romantik nuk i përfilli rregullat e gjinive me arsyetimin se kombinimi i tyre mund të prodhojë variante pakufi të gjinive letrare. As Aristoteli nuk ishte ithtar i pastërtisë së gjinive.
I prirur drejt kësaj rruge, librit të Z. Vukajt si Tekst i kanë ikur ngjashmërisë me Tekstet e traditës, por pa e humbur magjinë e perceptimeve unike të tyre. Pa e humbur as mahnitjen estetike që shkaktojnë. Secili ecën në rrugën që shtron vetë. Pol Verleni do ta sqaronte “Nese lexuesit do pëlqejnë këto Tekste, heret a vonë do të duan librat e pas librave, njeriun…”.
Tekstet e Z.Vukajt ngjajnë të tilla, janë plot Vizione e Imagjinata, ndërsa struktura e ndërtimit të tyre shpesh ngjan siç thotë Umerto Ecco, kombinatorike. Vizioni dhe imagjinata pa strukturë të ndërtuar janë vetëm halucinacione.
Po mar hua një perifrazim të autorit Zija Vukaj nga Xhorxh Steiner: “Nje kritikë letrare nuk është gjë tjetër veçse një borxh dashurie”. Do të duhej shumë kohë, dije dhe ekspertizë tejet profesionale për të shprehur pikpamje dhe këndshikime mbi prurjen enciklopedike dhe çdo Tekst përbërës të tij. Ajo duhet të lexohet e studiohet disamënyrash, sipas nivelit, interesit dhe formimit kulturor. Si një prurje e jashtëzakonshme për shkencën dhe kulturologjinë shqiptare një gjë është e sigurt, ky libër nuk duhet të mungojë për asnjë arsye në Bibliotekën e Akademisë së Shkencave, të Universiteteve, Shkollave të Mesme dhe Bibliotekat Publike.
Please follow and like us: