Albspirit

Media/News/Publishing

AGO RABI LAZARATI, KONTRIBUTI NË FEDERATËN VATRA E GAZETËN DIELLI

Armando Rabi

Ago Rabi ishte një nga themeluesit e Federatës “VATRA” e krijuar në vitin 1912, e cila ka pasur si mision historik mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të shqiptarëve në SHBA, si edhe ka ndërmarrë përsipër lobimin në Kongresin e Shteteve të Bashkuara për të drejtat e shqiptarëve anembanë botës. Por jo vetëm… Agua ka punuar dhe si kontrollor i Gazetës “Dielli”. AGO RABI LAZARATI kështu quhej nga shokët dhe atdhetarët në Amerikë, një personalitet i vlerave të shquara, i njohur ndër breza për kontributet e vyera që ka dhënë si një vizionar dhe patriot. Agua u lind ne Lazarat në vitin 1888. Babai i tij Rakip Rabi ka qenë një nga luftëtarët e çetave të Lazaratit, në luftrat për liri dhe mbrojtjen e trojeve shqiptare. Agua, arsimin fillor dhe atë 8-vjeçarë e kreu në fshatin e tij Lazarat, por për shkak të kushteve dhe vështirësive të kohës nuk mundi të përfundonte arsimin e mesëm. Qysh nxënës dallonte për vrullshmërinë dhe guximin e tij, karakterizohej nga një urtësi shpirtërore, ishte vizionar, me një etje për dituri, e me vyrtytet e një njeriu të mirë, fisnik e largpamës; i frymëzuar me ide atdhedashurie. Agua gjithmonë e shprehte adhurimin dhe ëndrrën që kishte për të emigruar në Amerikë. Kjo ëndërr i bëhet realitet për herë të parë në vitin 1910, vit të cilin ka shkuar dy herë drejt Amerikës. Gjatë qëndrimit atje ai u lidh me drejtuesit e komunitetit shqiptar në Amerikë si me Fan S. Nolin, Sotir Pecin, Kristo Dakon, etj . Së bashku me mësueset Sevasti e Parashqevi Qiriazi u përfshi në hapjen e shkollave shqipe dhe themelimin e Shoqërisë Vatra në radhët e komunitetit shqiptar atje. Mbas kompletimit me arsimin që përfundoi atje, ai filloi të angazhohej për hapjen e gazetave shqip si “Përparimi”, Imigranti” në New York, Boston, si dhe furnizonte me kronika nga aktivitetet e degëve të emigrantëve në shtete të ndryshme gazetën “Dielli” i shoqatës “Vatra”. Agua nuk i shkëputi për asnjë moment lidhjet me vendlindjen e tij, Lazaratin. Ai u lumturua pa masë kur mësoi se në Lazarat në 1915 mësuesi arbëresh Sinjore Tozeli kishte hapur shkollën shqipe. Në një letër që i dërgonte drejtorit të gazetës “Omonia”, që dilte në Gjirokastër greqisht më 1915-1916 , i shkruante:

“ I nderuar, zoti Dilo! Mora vesh se zotëria juaj, boton një gazetë në Gjirokastër greqisht. Meqënëse unë di greqisht dhe jam nga Lazarati, ju lutem më dërgoni disa numra . Me këtë veprim ju i shërbeni vëllazërimit të krishterëve dhe muslimanëve, pavarësisht kritikave të ish kajmekamit dhe editorit të “Diellit “( Bahri Omarit). Pas Luftës së Parë Botërore monarkitë fqinje dhe Italia mezi prisnin të zbatohej “traktati i fshehtë i Londrës”. Shqiptarët e Amerikës u organizuan në partitë politike shqiptare. Drejtuesit dhe intelektualët patriotë të këtyre partive përpiluan dhe i dërguan një “Promemorie” Presidentit të SHBA Woodrow Wilson 105 vjet më parë. Një ndër këta firmëtarë ishte dhe AGO RABI LAZARATI.

Boston Mas. U.S.A.4.5.1919

PROMEMORIE

Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Woodrow Wilson.

I nderuari, zoti President!

Duke qenë se së shpejti do të shkoni si përfaqësues i Amerikës fitimtare në konferencën e Paqes, duke qenë se Shqipëria është në rrezik nga një traktat për coptim nga fuqitë fqinje aleate, duke qenë se ju keni dhënë deklaratë që Vlora dhe krahinat përreth mund t’i mbeten Italisë, kërkojmë nga Shkëlqesia Juaj që ta konsideroni edhe një herë këtë Deklaratë Tuajën, pasi po të marë Vlorën dhe krahinat përreth Italia, atëherë Adriatiku bëhet liqen i mbyllur italian dhe përsa i përket Vlorës “sa mund të rrojë njeriu pa mushkëri aq mund të jetojë Shqipëria pa Vlorën”-tha ai. Kemi shpresë tek Shkëlqesia Juaj se do të mbrojë në atë konferencë të drejtën shqiptare.

Për Partitë Politike Shqiptare

KRYETARI: Kristo Dako. FINANCIER: Rexhep Demi Filati. KONTROLLOR: Ago Rakip Lazarati.

Presidenti W. Wilson u deklaroi autoriteteve të emigracionit shqiptar me Fan S. Nolin në krye ku bënte pjesë dhe Ago Rakip Lazarati se “Shqipëria do të ketë një zë në këtë konferencë që ta mbrojë dhe ai zë jam unë”. Pas formimit të qeverisë së Sulejman Delvinës, dalë nga kongresi i Lushnjës dhe pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, Agua u kthye në atdhe më 1921, ku ndoqi me interes zhvillimet politike në vitet 1920-1924. Pas Thirrjes së Nolit për pjesmarrje në administratë, Agua ju përgjigj: “Rëndësi për mua ka që u bë Shqipëria”! Agua jetoi gjithë kohën e Zogut në aktivitetin e tij privat jashtë politikës. Përjetoi me dhembje pushtimin fashist të vendit dhe ishte për luftën çlirimtare. Agua ishte kundër politikës servile ndaj Titos që mbanin krerët e regjimit dhe këtë e shprehu haptazi në popull me rastin e vizitës së Enver Hoxhës në Beograd më 1946. Fjalëve të bukura për Titon të agjitatorit të Frontit Agua ju përgjigj: “Po , mor po, i mirë është sërbi Tito, por për Shqipërinë është shejtan mulliri”! Mbas kthimit në atdhe Agua punoi dhe jetoi pranë familjes së tij në vendlindjen ku lindi dhe u rrit në Lazarat. Në vjeshtë të vitit 1948 regjimi komunist i diktatorit Hoxha, atdhetarin Ago Rabi do e burgoste në burgun e Gjirokastrës sepse nuk pagoi detyrimet. Pasi kreu një vit burg lirohet i sëmurë, ndërsa pas një viti mes vuajtjesh ndërroi jetë në dhjetorin e vitit 1950. Ky ishte shpërblimi që i dha regjimi këtij atdhetari të madh. Dhe më vonë regjimi nuk i njohu apo nuk përmendi kurrë kontributet e tij, vlerat e tij për atdheun në ato ditë të vështira të rrezikut të shpërbërjes. Agua u nda nga jeta duke marrë nderimet, respektin dhe vlerësimet e të gjithë bashkëfshatarëve po ashtu dhe të miqve dhe bashkë atdhetarëve të tij mes të cilëve punoi dhe jetoi.

Please follow and like us: