Poezia e Janis Ifandis vjen në shqip nga Romeo Çollaku
Janis Ifandis (1949)
Lindi në Raina të Etolisë. U mor me bujqësi, blegtori, gjah, kalorësi, astronomi dhe tezgjah. Në moshën 22-vjeçare i ndërpreu studimet e larta për drejtësi. Ka botuar disa libra poetikë: «Manthraspenda» (1977), «Mistikë të Lindjes» (1982), «Edda e lashtë» (1983), «Pasqyra e të Parit» (1986), «Shenja të Kujtimit të Pavdekshëm» (1987), «Poezi Qëndisje Lëkurës së Djallit» (1988), «Tempull i Botës» (1996), «Alektor Erasmius» (2002), «Έρως ανίκατε μάχαν» («Dashuri e pamposhtut në luftë») (2004). Ka përkthyer poetë të lashtë lirikë grekë, si dhe poetë të tjerë të huaj. Poezi të tij janë përkthyer në italisht, anglisht, spanjisht, arabisht, frëngjisht, suedisht, finlandisht, bullgarisht, rusisht dhe në gjuhën kineze.
ASNJË ÇMIM
Asnjë çmim s’më dhanë zagarët e klikave. Në të s’ëmave.
Ua shpërndanë shokëve, kurse mua
«duhet t’i kushtojmë vëmendje edhe Ifandisit» e shkërdhatëri të tilla.
Por një çmim unë e doja xhan i vëllait.
E doja që të shkoja tek mamaja e t’i kapardisesha.
MOS U TREMBNI O SHOKË
Mos u trembni o shokë se qëllim
nuk kam t’ju kap gratë.
Po edhe ju mos shkoni o debila t’u thoni pa të keq
që keni një shok poet
se edhe ato
njerëz janë njëlloj si ne dhe kur i kaplon dalldia
kush është në gjendje t’i përmbajë?
MË PAT THËNË NJË POET
«Mos u zër besë», më pat thënë një poet, «këtyre marikave që të quajnë tani poet të madh dhe të ngrenë në qiell;
po s’u bëre qejfin
po s’u dhe ç’presin prej teje
(dashuri, kritika lavdëruese etj.), kanë për të ndryshuar ton
kanë për të ndryshuar ton dhe
dalëngadalë
e me lezet do të të lënë në heshtje».
NË REVISTAT
Në revistat e tyre s’më përfshijnë më
por edhe kur më përfshijnë
e bëjnë sa për sy e faqe.
Nëpër revistat e tyre s’më përfshijnë më.
Jo se poezia nuk lexohet
jo se nuk kanë vend apo kohë,
por se:
kanë frikë mos u ikin gratë,
kanë frikë mos u thonë dashnoret
«Ky mor shkërdhatë po që është poet».
BISEDA
1
Nuk them, gjen tek-tuk edhe te ata
ndonjë varg të denjë…
janë vargjet e vjedhura prej meje e ndokujt tjetër.
2
Disa krijojnë poezi
e disa rrethe shoqërore.
3
Gjersa i lavdërojnë për mendimet e për vargjet e mia
nuk është fare çudi
t’u japin çmime
për poezitë e mia.
4
Një mediokër nuk mposhtet kurrë.
Ai gëzon mbështetjen
e turmës
së shokëve të vet.