Albspirit

Media/News/Publishing

Ligjvënësit amerikanë i kërkojnë BE-së të shpallë Gardën Revolucionare të Iranit një grup terrorist

Një grup dypartiak prej më shumë se 130 anëtarësh të Kongresit amerikan kanë nënshkruar një letër të përbashkët ku i bëjnë thirrje Bashkimit Evropian të shpallë Gardën Revolucionare të Iranit si një organizatë terroriste.

Në letrën drejtuar shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ligjvënësit thanë se Irani është “një shtet kryesor sponsorizues i terrorit” dhe se për dekada Garda Revolucionare “ka kryer lirisht dhe hapur komplote që vënë në shënjestër qytetarët në vendet e të gjithë BE-së”.

“Ne e kuptojmë kompleksitetin ligjor të përfshirë në përcaktimin e Gardës Revolucionare si një organizatë terroriste dhe vlerësojmë plotësisht nevojën që ky vendim të gjykohet nga një autoritet kompetent gjyqësor ose “ekuivalent”, thanë ligjvënësit. “Por duke pasur parasysh kërcënimin në rritje që Irani paraqet për vendet anëtare të BE-së dhe qytetarët e tyre, ne ju bëjmë thirrje që ta trajtoni këtë çështje me urgjencën më të madhe”.

Letra citon gjithashtu një studim të Qendrës për Luftën ndaj Terrorizmit në West Point, ku thuhet se gjatë pesë viteve të fundit Irani “ka nxitur të paktën 33 komplote për të vëzhguar, rrëmbyer ose vrarë qytetarët në Evropë”.

Zoti Borrell ka thënë se përcaktimi i Gardës Revolucionare si një grup terrorist duhet së pari të përfshijë dënimin nga një gjykatë në të paktën një shtet anëtar të BE-së.

Shtetet e Bashkuara e shpallën Gardën Revolucionare të Iranit si një grup terrorist në vitin 2019.

https://www.zeriamerikes.com/a/7045951.html?ltflags=mailer

Please follow and like us: