Albspirit

Media/News/Publishing

Promovohen dy veprat e Shefqet Mekos “Viza Amerikane” dhe “Saga përtej Atlantikut”

Nga Enea Osmani

Fondacioni “Hasan Prishtina” në Prishtinë dhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup kanë promovuar dy libra të shkrimtarit Shefqet Meko, “Viza Amerikane” dhe “Saga përtej Atlantikut”, raporton Ekonomia Online.

Me këtë rast, kryetari i fondacionit “Hasan Prishtina”, Mehmet Prishtina ka thënë se novela “Viza Amerikane” është një dëshmi e fuqisë letrare për të demaskuar të keqen, teksa për të bashkëpunimi i shqiptarëve Prishtinë-Shkup-Selanik është boshti më i rëndësishëm për kauzat kombëtare.

“223 faqet e kësaj novele gjejmë panoramën me plot kontraste sociale, morale e njerëzore të tranzicionit shqiptar, ku personazhi kryesor, Artan Pojani, një ish mësues i matematikës, i cili kishte kaluar në biznesin e bletarisë, pa fajin e tij ndodhet në kurthin e një intrige që tejkalonte kufijtë shtetëror. Atij ia vjedhin identitetin për llogari të një shtetasi tjetër,  Arshim Gatranit, i cili në mënyrë korruptive ishte bërë përfitues i lotarisë amerikane”, ka thënë ai.

“Merita e autorit qëndron në faktin se ai me mjeshtri krijuese ka arritur të depërtojë në fijet e padukshme të një makinerie korruptive ku njerëzit e ndershëm brenda natës shndërrohen në hije të vetvetes. Ashtu siç ndodhi edhe me Artan Pojanin i cili filloi të mos e njihte vetveten, sepse identiteti i tij civil  ishte transferuar tek një person tjetër dhe krejt kjo ishte bërë me ndihmën e zyrtarit të qeverisë, Gogo Përcullës, i cili kishte bartur poste të larta ministrore”, ka thënë ndër të tjerash ai.

Siç tha ai, novela e vë lexuesin para një dileme,  ndërsa e bën letërsinë shqipe të konkurrueshme në tregun botëror.

“Pasi ta kemi lexuar novelën ‘Viza Amerikane’ të shkrimtarit Shefqet Meko do të mbetët para një dileme: Nëse sjelljet e njeriut janë produkt i rrethanave sociale, ekonomike e shoqërore, apo vetë njeriu është arkitekt i atyre rrethanave, ku në fund kufiri në mes të ndershmërisë dhe pandershmërisë bëhet i padukshëm. Një novelë si ‘Viza Amerikane’ e bën letërsinë shqipe të konkurrueshme në tregun e madh të botës së artit e kulturës”, u shpreh ai.

Për librin foli vetë autori Shefqet Meko. Tha se gjuha është mjeti më i fortë kundër çdo armiku

“Koha që jetuam ishte kohë e mbylljes, prandaj edhe libri im është rreth emigracionit. Heroizmi më i madh i popullsisë shqiptare është ruajtja e gjuhës. Gjuha është mjeti më i fortë kundër çdo armiku. Edhe pse kam jetuar shumë vjet në Amerikë, kam qenë gjithmonë i përkushtuar ndaj kombit shqiptar. Shqiptarët edhe atje janë në këmbë, kanë ruajtur gjuhën dhe traditën e kombit tonë. Ne shqiptarët kemi një aleat shumë të madh, Amerikën por ajo nuk mund të na zgjedh problemet tona nëse ne nuk i zgjedhim vetë”, tha ai.

Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Skender Asani, tha se libri kontribuon shumë në çështjen e veprimtarisë shqiptare.

Ai ka thënë se si drejtues i këtij Instituti janë të hapur për të bashkëpunuar dhe ndihmuar në botimin e librave të natyrës së tillë.

“Jam shumë i lumtur për promovimin e librave. Ne si Institut mbështesim fuqishëm botimin e librave të kësaj natyre”.

Promotori i parë i këtij libri dhe ish-ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Arben Çejku ka vlerësuar dy librat për interesat kulturore dhe punën e Institutit e fondacionit “Hasan Prishtina”.

“Ky institut është kthyer në një ambasadë për trashëgiminë kulturore të shqiptarëve në Maqedonisë së Veriut. Jemi këtu për t’i vënë në pah interesat tona kombëtare e kulturore. Letërsia e diasporës është një art shumë i rëndësishëm. Siç krenohemi me artistët e tjerë shqiptarë, duhet të krenohemi edhe me këta shkrimtarë. Kjo sagë është saga e çdo shqiptari. Nuk ka familje shqiptare që nuk është prekur nga emigracioni. Këta libra vijnë si një formë ndërgjegjësimi sepse fëmijërinë e kam kaluar në një periudhë shumë të mbyllur. Po synoj që t’i lë gjurmët e mija me këta libra, që të tregoj historinë e shqiptarëve jashtë trojeve shqiptare”, u shpreh ai.

Avokati i Popullit të Shqipërisë, Ahmet Prençi, tha se brenda tekstit do të gjejnë një kënaqësi shpirtërore për historinë e një shqiptari, në të cilën e gjejnë vetën shumë shqiptarë.

“Saga përtej Atlantikut…” është libri i katërt, por romani i parë i autorit Shefqet Meko, i cili ka punuar si gazetar për shumë vite në Tiranë. Ai sjell një histori të jashtëzakonshme, që buron në përditshmërinë e jetës amerikane, duke patur në sfond kujtimet dhe persiatjet e një intelektuali shqiptar, i cili nuk e ndan vendlindjen e tij nga mendja dhe zemra.

“Mos e shiko Amerikën si vend ku ha bukë, por si vend ku sheh dritë…” – thotë autori, duke analizuar me zhdërvjelltësi përqasjen e dy botëve; asaj shqiptare dhe amerikane, ku njeriu i lirë krijon vetveten.

Ky roman sjell një risi në prozën e gjatë shqipe, ku botimet me ngjarje nga realiteti përtej Atlantikut, janë të rralla dhe pa pretendime artistike. Meko me bashkëshorten dhe dy djemtë jeton në Minneapolis të shtetit Minnesota, “Yll i Veriut”, siç e quajnë amerikanët

Please follow and like us: