Albspirit

Media/News/Publishing

Besnik Imeri: SHKËLQIMI DHE MJERIMI I HISTORISË

(KU NDODHET DODONA?)

 

Pas njëzet e tetë shekujsh kryeqendra e qytetërimit europian në lashtësi, Dodona, si një plakë e gjorë dhe e rrëgjuar kthen sytë me pikëllim nga pasardhësit e bashkëkombasv të vet dhe me lutje u drejtohet: Mos më braktisni! Ku doni të më çoni? Në majat e maleve ku duan të më shqyjnë ujqit dhe arinjtë. Pse më largoni nga shtëpia ime mijëravjeçare me fushën e bukur të Helopisë, nga 100 burimet me ujë të ftohtë dhe të ngrohtë që ndizen e shuhen, nga Lisi im që m’a preu Teodosi, perandori i parë i krishterë; nga rrënojat e tempullit të të zotit të shtëpisë, Zeusit dhe tempullit të zonjës së shtëpisë së shenjtë, Dionës epirote?! Pse më largoni nga teatri madhështor dhe stadiumi që ngriti pranë meje për të më zbukuruar kryetrimi i Epirit, burri i shtetit dhe gjeneralisimi i botës së lashtë, heroi kombëtar i arbërve, Pirrua i pavdekshëm, që aq shumë dhurata më bëri kur ishte gjallë?!!

Me të drejtë mund të pyetet: Pse qan me lot të nxehtë kjo plakë fisnike, që dikur ka qenë një mbretëreshë madhështore, ku vinin e i faleshin me devocionin më të thellë, dhe i përkuleshin me nderimin më të madh, burrat e Dheut: Jasoni së bashku me shokët tij argonautët, Herakliu, Odiseu (Udhëziu), Eneu, Pirro Burri, etj? Sepse, në këto kohë të liga, kanë dalë disa palo historianë, që me dhunë duan ta shkulin nga vendbanimi mijëravjeçar dhe ta çojnë në shkrepat e shkreta të maleve të Skraparit, në malin e Tomorrit, ku ajo nuk kishte qënë asnjëherë në jetën e saj të gjatë.

DONKISHOTJA E HISTORISË DHE SANÇUA NGA PANÇA

Këta dy persona, që kanë marrë përsipër të ndryshojnë historinë e shqiptarëve, me këllëç në dorë kanë vendosur ta marrin Dodonën nga vendi i saj i lashtë dhe legjitim, sot 22 km në jug-jugperëndim të Janinës epirote dhe ta çojnë në majë të malit të Tomorrit. Për këtë u janë hapur kat e kat jo vetëm dyert, por edhe dritaret e televizioneve. Gazetarë që tani kanë bërë prokopi, por edhe të tillë të mirënjohur, që nuk e hanë sapunin për djathë, çuditërisht, kanë rënë pre e mashtrimit të tyre. Them mashtrim, pasi i tillë është, madje një mashtrim nga më sharlatanët. Kjo sepse, ashtu si Donkishoti, me një guxim prej të marri, donte të kthente mbrapa rrotën e historisë dhe këta duan të hedhin poshtë të gjitha të dhënat historike antike, mitet dhe legjendat të ardhura brez pas brezi në gojën e popullit tonë, të hedhin poshtë të gjitha të dhënat arkeologjike, etj, që bëjnë fjalë për Dodonën.

Autorët antikë, jo një po shumë, flasin dhe tregojnë se Dodona ndodhej në territorin e Thesprotëve të lashtë, madje orakulli zotërohej prej tyre. Më vonë ai u vu në zotërim të Mollosëve. Këta thonë jo. Nuk zotërohej nga Thesprotët, por nga Dasaretët, pra nga të parët e skraparllinjve të sotëm. Gërmimet arkologjike këto njëqind vjetët e fundit jo vetëm e kanë zbuluar Dodonën, por kanë zbuluar rrënojat e katër tempujve kushtuar Zeusit, Dionës, Themisit dhe Herkulit të rindërtuar nga Pirrua i Epirit; kanë zbuluar teatrin madhështor, stadiumin-hipodrom; kanë zbuluar ndërtesat publike dhe politike në përmasa madhështore; kanë zbuluar kalanë historike, edhe këto të gjitha të ndërtuara dhe rindërtuar nga Pirro; kanë zbuluar pllakëza orakullore, mbishkrime në gur dhe në bronz dhe plot gjetje arkeologjike. Të gjitha këto atje ku ka qënë Dodona, në vendin që ndodhet 22 km në jug-jugperëndim të Janinës së sotme. Jo thonë këta. Ajo ndodhet në Skrapar. Kësaj i thonë: nëma se s’ma ke.

Shikojmë një herë këto të dhëna dhe pastaj kthehemi tek këta sharlatanë satanikë, që i janë kundërvenë vendit më të shenjtë të shqiptarëve, të cilët, para se të thonë që Dodona është në majë të malit të Tomorrit, duhet të zbulojnë atje (në Tomorr) rrënojat e tempujve, rrënojat e kalasë antike, rrënojat e buleterionit, pllakëza dhe mbishkrime e kushtime orakullore, etj, etj. Mund të pyesni ju: A kanë gjetur gjë këta në malin e Tomorrit? Asgjë, asgjë dhe vetëm asgjë. Atëhere, do të thoni ju, si kanë guximin të flasin serbes-serbes? Gjejeni ju, se unë nuk e gjej dot.

Hesiodi, një nga autorët e lashtë, që ka jetuar në shekullin e VIII p.e.s., në të dhënat të cilit janë mbështetur pothuajse të gjithë autorët dhe shkrimtarët antikë, autori më i lashtë dhe më i madh në lidhje me hyjnitë dhe adhurimet e lashta prehistorike, ka shkruar veprën më dinjitoze kushtuar atyre, Teogonia. Ai, për vendndodhjen e Dodonës ka shkruar:

“Është një fushë, Helopia, shumë pjellore dhe me luadhe të mira e pasur në dele dhe në qé këmbëharkuar; këtu banojnë burra me shumë kope gjedhësh dhe një sasi i panumërt fise mortarësh; këtu në pjesën më të fundit të saj (në fund të fushës Helopia) është ndërtuar Dodona… Dodona dhe lisi ishin qëndra e pellazgëve”.

Një pyetje për demagogët. Ku është fusha Helopia në rrëzë, apo në fund të Tomorrit, apo në Skrapar? Ju lutem gjejeni e më thoni. A ka kope të mëdha gjedhësh në Tomorr, apo në Skrapar? Apo, siç e dinë të gjithë, ka vetëm pak dhen e shumë dhi, kecër dhe cjepër. Pasi është zonë tepër malore e nuk është aspak zonë fushore. Vazhdojmë më tej.

Dukeqënëse Straboni bën një përmbledhje të atyre që kanë thënë autorët e lashtësisë për Dodonën, po i referohemi edhe atij:

“…Sa për Dodonën, që banorët rreth saj ishin barbarë, na e thotë dhe Homeri, kur flet për mënyrën e jetesës së tyre… Filohori thotë se edhe vetë vendi rreth Dodonës u quajt Helopia…”.

Straboni VII, 7, 11: Dodona, në kohët më të lashta ishte nën sundimin e Thesprotëve, ashtu dhe mali Tomar ose Tmar (se të dy emrat përdoren), rrëzë të cilit ndodhet vendi i shenjtë, faltorja. Tragjikët si edhe Pindari e cilësojnë Dodonën si Dodona Thesprotide, e cila më vonë u vu nën pushtetin e molosëve.

Por Straboni tek “Gjeografia” (VII, 7/5) përfundimisht e lidh Dodonën me Mollosët: “Ajo çfarë i bënte Molosët më të fuqishëm ishte familja mbretërore që ata kishin në krye – ajo i bashkangjitet asaj të Easidëve – si dhe prania në territorin e tyre të Orakullit të Dodonës, fama e të cilit ngjitet deri në mugëtirat e kohrave”. Me këtë Straboni, njëherazi, provon origjinën pellazge dhe lashtësinë e Thesprotëve, si popullin më të lashtë kundrejt popujve të tjerë.

Dhimitër Pilika në hulumtimet e tij ka gjetur se Dodonën e quajnë Thesprote; Hekateu i Miletit, Euripidi, Didymi dhe Pausania… Autorë të tjerë e quajnë mollose, si; Dionizi i Halikarnasit dhe Hygini…

Në vazhdim ai citon Stefan Bizantinin (Shek.VI): “Dodona qytet i molosisë në Epir, ku ndodhet Zeusi i Dodonës, që është i pari aty…”, ndërsa Etymologicum Magnum thotë: “Dodona: qytet në Pellazgji të Thesprotidës…”.

Pindari thotë: “Fthia, Neoptolemi në Epirin e gjërë, ku shtrihen sheshe që fillojnë nga Dodona gjer në detin jonian”. (Pindari Carmina).

Thimi Mitkoja në lidhje me Dodonën dhe Thesprotinë thotë: “…Lopësi, (Helopia në Molosi), sot një fshat i vogël në Thesproti afër Konispolit. Në kohën e lashtë ato vise ishin të famshme si rritëse gjedhi, sepse edhe Herakliu rrëmbeu qetë më nam të Geryonit, mbretit të Ambrakisë, pasi e mundi atë më 1350 p.e.s…(Tetor 1859)”.

Pas një shkatërrimi të dytë nga romakët gjatë pushtimit të Molosisë prej tyre në vitin 167 p.Kr., monumentet kryesore të faltores së Dodonës u riparuan në shkëlqimin e parë dhe Pausania (I,17,5) që e vizitoi rreth mesit të shek.II m.Kr., shkruante se Lisi dhe faltorja ishin “të denja për t’u parë”.

Mirë Sançua nga Pança, që tani së fundmi, pasi gjezdisi në shumë fusha, përfshirë edhe politikën, ju fut dhe historisë, madje, ky profan i historisë, krijoi edhe një akademi (një çudi tjetër e Zululandit tonë); Po kjo doktoresha në histori, me shumë vepra historike dhe që i njeh, e u drejtohet në këto vepra autorëve antikë, ku e çon mushka?! Të gjitha këta autorë të lashtësisë thonë se Dodona ndodhej në Thesproti, pra në Çamërinë e sotme. Por jo. Për historianët tanë në fjalë: Dodona ndodhet në Skrapar, ndoshta në Çorovodë. Nuk ka gjë, Çamëri dhe Çorovodë njësoj janë. A nuk fillojnë të dyja me “Ç”?! Por Pausania e ka vizituar vetë Dodonën, tre deri në katër shekuj pas pushtimit romak dhe thotë që, Lisi dhe faltorja ishin “të denja për t’u parë”. Nuk ma merr mendja, se atij do t’i prishej mendja dhe do të shkonte në Skrapar për t’i parë ato.

Në përforcim të fakteve të përmendura më lart na vjen në ndihmë edhe një fakt historik dhe gjeografik

Dionisi i Halikarnasit (“Historia e Vjetër e Romës”, II, 51) tregon për një legjendë të mbrritjes së Eneas në Epir sëbashku me të atin Ankizin, duke vërtetuar njëkohësisht se dardanët Ankiz dhe Enea ishin pellazgë, por në të njëjtën kohë, që edhe Dodona ishte një orakull i gjithë popujve pellazg të Mesdheut, pasi Ankizi dhe Enea vinin nga Troja:

“Ankizi me anijet e veta u nis nga Ambrakia dhe duke lundruar pranë bregdetit arriti në Butrot, liman i Epirit. Enea në anën tjetër, me ushtarët më të zgjedhur, pas një udhëtimi që zgjati dy ditë, arriti në Dodonë me qëllim që të kërkonte mendimin e perëndisë; këtu gjeti edhe ata trojanë që kishin ikur bashkë me Helenin (djali i Priamit)…s ë këtejmi pastaj arritën tek anijet (në Buthrot) pas një udhëtimi që zgjati katër ditë”.

Qëmtojmë këtë fakt historik, por më shumë gjeografik. Eneut nga Ambrakia deri në Dodonë, 22 km në jug-jugperëndim të Janinës së sotme, ju deshën dy ditë. Por meqënëse ecja e një trupe luftarake në antikitet ishte 35 km në ditë, atëhere 2 x 35 km = 70 km ose e shumta 80 km. A është kaq largësia sot nga Arta në vendin Dodonës? Besoj se po. Po nëqoftëse Dodona do të ishte në malin e Tomorrit, sa ditë do t’i duheshin Eneas që të shkonte që nga Ambrakia deri atje? Me siguri rreth dhjetë ditë, pasi: Ambraki-Dodonë dy ditë; Dodona ekzistuese deri në Kakavijë, rreth 80 km, dy ditë; Kakavijë- Tepelenë-Këlcyrë, dy ditë; Këlcyrë-Skrapar, dy ditë; e deri në malin e Tomorrit, edhe një ditë apo dy ditë. Pra Eneut për të shkuar nga Ambrakia në malin e Tomorit do t’i duheshin 9-10 ditë, ndërkohë që atij ju deshën vetëm dy ditë. Gjithashtu, Dionisi i Halikarnasit thotë që kthimi nga Dodona në Buthrot zgjati katër ditë që është, pak a shumë, interenari: Dodonë, Janinë, Kakavijë, Qafë-Muzinë, Delvinë, Sarandë, Butrint. Po nga mali i Tomorit deri në Butrint sa ditë do të duheshin në një udhëtim në këmbë dhe me kalë? Me siguri më shumë se një javë, pasi ecja e një reparti luftarak në antikitet ishte 35 km në ditë.

Për të qënë më afër së vërtetës po kthehemi në kohën e sotme, në fillim të shekullit të XX, kohë kur mjetet e lëvizjes dhe rrugët e shtigjet e kalimit ishin të njëjta si 3000 vjet më parë, kohë e Luftës së Trojës. Këtë na e tregon Edith Durham, e cila për të shkuar nga Tepelena në Vlorë në vitin 1903, me kuaj së bashku me shoqëruesit, kuptohet nga shtigjet më të shkurtëra jo nga rruga automobilistike (që nuk ishte ndërtuar akoma), ju deshën plot dy ditë, duke udhëtuar nga mengjezi deri në darkë. Po nga mali i Tomorit deri në Butrint sa ditë duhen?

Historia pa arkeologjinë është si shpirti pa trup

Kështu edhe doktoresha në histori duke i hedhur tutje të dhënat arkeologjike e ka kthyer historinë në një llafollogji fluturake që fluturon në ajër dhe nuk ulet dot në tokë. Vazhdojmë më tej dhe i kthejmë sytë nga Arkeologjia.

Neritan Ceka jep një pasqyrë të plotë të objekteve të kultit në Dodonë: “…Vetëm në fillim të shek. IV p.Kr., kur Dodona u pushtua nga molosët, u ndërtua një naiskos (tempull i Zeusit) i vogël në krah të Lisit, i cili shërbente për vendosjen e kushtimeve, si dhe një tempull i tipit prostil kushtuar Diones, bashkëshortes së Zeusit sipas mitologjisë epirote…

Ishte Pirro që do ta kthente Dodonën në një simbol të prestigjit dhe fuqisë së Epirit… Si rrjedhim hapësira e faltores u konceptua në tri pjesë; zona religjioze me tempujt e Diones, Herakliut, Themis dhe Afërditës rreth naiskut (tempull i Zeusit) dhe Lisit të Zeusit; ajo politike me buleterionin dhe prytaneinonin dhe ajo festive me teatrin dhe stadiumin… Teatri zuri vendin qëndror në kompleksin e ri monumental që u ngrit rreth Lisit të famshëm të Dodonës. Me një diametër të cavea prej 140 m dhe me 55 radhët e ndenjëseve, që arrinin lartësinë 22 m, të ndara në katër diazoma, ai rreshtohej krahas teatrove më të mëdhenj të Greqisë së atëhershme… Në perëndim të teatrit vazhdon një stadium në formën e zakonshme të patkoit. Të njëzet shkallët e krahut verior janë vendosur në faqen e kodrës, ku ngrihet edhe teatri… Në lindje të Teatrit u ngrit buleterioni, një ndërtesë që shërbente për mbledhjet e Koinonit të Molosëve. Ajo përbëhet nga një sallë me përmasat 43, 60 x 32, 35 m (sallë e cila me këto përmasa edhe sot do të ishte madhështore), me një portik dorik në fasadën e thjeshtë. Historia ka lënë gjurmët e saj në këtë ndërtesë. Një copë mburoje maqedonase që vjen sigurisht nga plaçka e luftës që ju zu ushtrisë së Antigon Gonatit në betejën në grykat e Aosit më 274 p.Kr. Në krah të ndërtesës u gjet një altar kushtuar Zeusit Bouleios (mbrojtës i bulesë-këshillit) nga thesproti Karop, prijës i epirotëve që ndihmoi Tit Flaminin në betejën tij po në grykat e Aosit në vitin 198 p.Kr.(Polyb.,XX.3). Aty afër u zbulua edhe një piedestal ku është gdhendur një dekret i Koinonit të Bylinëve, qëndron me ngritjen e një statuje prej bronzi strategun molos Krison Sabyrtiu. Ai datohet diku para vitit 219 p.Kr.,kur buleterioni u shkatërrua nga Etolët… Etolët e shkatërruan tempullin (naiskun) e Zeusit gjatë sulmit të tyre në Dodonë, por ai u ngrit përsëri në formën e një tempulli të vogël prostil tetrasil jonik. Ky ishte tipi i preferuar epirot i tempullit, me të cilin u realizua në kohën e Pirros edhe faltorja e Herakliut me përmasa modeste 16,50 x 9,50 m dhe fasadë të ordrit dorik. Me të njëjtin tip, por me ordrin jonik u zbatua edhe tempulli i vogël i perëndeshës Themis, bashkëshorte tjetër e Zeusit, që bashkë me Dionën përbënte triadën e shenjtë të Dodonës…

…Pirro duhet të ketë urdhëruar edhe ndërtimin e një kështjelle mbi kodrën që zotëron kompleksin e faltores nga veriu. Me formën e saj katërkëndëshe 180 x 180 m… kështjella përsëriste formën e kampeve ushtarake të Pirros, që u kopjuan më pas nga romakët. Pas sulmit shkatërrimtar të Etolëve u ndërtua një mur i ri, i cili zbriste nga kështjella, duke përfshirë kompleksin e faltores brenda tij. Pas një shkatërrimi të dytë nga romakët gjatë pushtimit të Molosisë prej tyre në vitin 167 p.Kr., monumentet kryesore të faltores u riparuan në shkëlqimin e parë dhe Pausania (I,17,5) që e vizitoi rreth mesit të shek.II m.Kr., shkruante se Lisi dhe faltorja ishin “të denja për t’u parë”.

 

Teatri Antik pellazg i Dodonës rrëzë malit Tomar dhe luginës gjelbëroshe

 

Vazhdojmë më tej me të dhëna intresante që vërtetojnë ekzistencën e Dodonës në Epir, si dhe ndërtimet e Pirros aty:

“Në shekullin e III p.e.s, etolët grekë e dogjën dhe e rrafshuan Dodonën, përfshirë edhe ndërtimet e tempujt që kishtë bërë aty Pirro i Epirit. Kjo ndodhi në vitin 219 p.e.s, kur Dorimaku, strategu i etolëve, mblodhi ushtrinë e tij dhe sulmoi Epirin. Gjatë atij invazioni “kur erdhi në Dodonë, ai dogji kolonadat, shkatërroi flijimet dhe rrënoi ndërtesat e shenjta”, (Polybius, The Histories IV, 67, 4). Shpejt pas kësaj, Filipi i V, mbreti i maqedonasve, me një ushtri prej shtatë mijë ushtarësh, i mbështetur nga ilirët e Skerdilajdit, epirotët dhe akarnanët, u hakmor për shkatërrimin e qytetit maqedon Dium dhe rrënimin e tempujve të Dodonës, duke rrafshuar me tokën Termiumin, qytetin më të rëndësishëm të Etolisë dhe shkroi në muret e qytetit: “E shikon sa larg e shpejt godet rrufeja hyjnore? (Polybius, V,3,3 dhe V, 7, 11)”… Lidhja Epirote e ndihmuar nga mbreti  Filipi i V i Maqedonisë, duke përdorur  trofetë dhe plaçkën e luftës kundër etolëve, i rindërtoi menjëherë tempujt e Dodonës…Por për fat të keq, vetëm 51 vjet më vonë, në vitin 168 p.e.s, Dodona ju nënshtrua një shkatërrimi tjetër të egër, këtë rradhë nga pushtuesit romake  gjatë fushatës shkretuese të Paulus Aemiliusit…

…Të dhënat për mbijetesën e orakullit të Dodonës, të paktën deri nga fundi i shekullit të IV (viti 393) i erës sonë… Filostrati Plak na thotë se orakulli vazhdonte të shërbente si i tillë në shekullin e III të erës sonë dhe, sipas J.H.Philipot, ai kishte mbetur i paprekur deri nga mesi i shekullit të IV të erës sonë…Lisi i shenjtë, si një simbol ‘pagan’, duket se u pre nga besimtarët diku nga fillimi i shekullit të V, pasi perandori romak me prejardhje spanjolle, Teodos I, shpalli ediktin e ri që ndalonte me ligj çdo besim vendas… dhe mbylli të gjithë tempujt ‘paganë’, duke e bërë krishtërimin fenë e vetme të lejuar në perandorinë romake…”.

Tani shtrojmë një pyetje, nga më të thjeshtat pyetje: Cilët nga këto objekte arkeologjike ka gjetur në malin e Tomorrit Doktoreshë-Profesoresha në histori?! A ka gjetur rrënojat e ndonjë tempulli? Po rrënojat e buleterionit, godinës publike? Mbase ka gjetur teatrin madhështor (më të madhin në gadishullin e Hemit në lashtësi) me diametër rreth 150 m dhe me rreth 20.000 vende, ndërkohë që teatri i Epidaurit në Atikë kishte 14.000 vende, ndërsa ai i Dionizit të Athinës kishte 17.000 vende. Ju kujtojmë se kaq vende ka sot, të paktën pas njëzet e tre  shekujsh, stadiumi “Qemal Stafa”, më i madhi i vendit tonë sot. Mos vallë kanë gjetur rrënojat e kalasë që ngriti Pirrua i Epirit për të mbrojtur këtë vend të shenjtë? E nëqoftëse nuk i ka gjetur dot Doktoreshë-Profesoresha, mbase i ka gjetur Sanço Pança i historisë, meqënëse është nga Skrapari.

Por doktoreshë-profesoresha nuk i ka për herë të parë lajthitjet dhe marrjen me miza të ngjarjeve dhe fakteve historike në lidhje me Dodonën. Para një viti kam shkruar (29 prill 2022):

Kur është themeluar tempulli i Dodonës dhe nga kush? Këtu, Doktoresha në histori na lë pa gojë, pasi xhevairet që shkruhen këtu janë tepër të rralla dhe të çmuara. I ndjekim ato.

Sipas studiusit gjerman Ernst von Lasaulx, tempulli i Dodonës “u themelua nga Dodanimi, i biri i Javanit, i biri i Japetit”. Në historinë biblike, Dodanimi ishte i biri i Javanit, të birit të Japetit, të birit të Nohut… Nga kjo rezulton se, pas përmbytjes Noha, Japeti, Javani dhe Dodanimi, kanë jetuar në të njëjtën kohë. Kështu vitet kur kanë ekzistuar këto personazhe të Biblës, me vitet e themelimit të tempullit të Dodonës përputhen. Ajo që është e sigurtë është se, ajo (Dodona) mban pikërisht emrin e stërnipit të Nohut, dhe si e tillë, duket se ka lidhje me të dhe se historia e përmbytjes pellazge, ngjan me atë hebreje…Emri i Dodonës është një provë shumë e fortë, gati e pakontestueshme, që e lidh atë me Nohun dhe mitologjia pellazge është në një linjë me tregimet hebreje… Aleksandri i Madh në Bibël quhet biri i Javanit… Shqiptarët sot janë të linjës Biblike.

Tani me të drejtë mund të shtrojmë pyetjen: Doktoresha në histori këto “përçatje historike” i ka nga ajo, se kaq di, apo pas tyre fshihet diçka tjetër?!

Vazhdojmë me vitin 2023.

Ekzistencën e Dodonës atje ku është zbuluar, përveç rrënojave dhe objekteve arkeologjike, e vërtetojnë edhe mbishkrimet e gjetura aty gjatë gërmimeve arkeologjike. Ndjekim disa prej tyre: Pauzania na bën të ditur për një tjetër mbishkrim poetik, ku ve në dukje se Pirroja “edhe Zeusit të Dodonës i kushtoi mburojat e marrura maqedonasve, ku qe shkruar:

“Këta dikur plaçkitën Azinë plot me ar, këta dhe Helladën deshën që ta robërojnë, tani në shtyllat e tempullit të Zeusit të Dodonës si jetime rri plaçka e Maqedonisë mburracake”!

Pirroja e rindërtoi tempullin zeusian të Dodonës në fillim të shekullit të III p.e.s. Sipas arkeologut S. Dakaris gjatë gërmimeve arkeologjike në Dodonë janë gjetur në tempull mburoja me mbishkrime. Në njerën shënohej “Mbreti Pirro dhe epirotët e tarantinët prej romakëve e aleatëve të tyre ia kushtojnë nanaosit të Zeusit”, kurse në një mburojë tjetër ruhet vetëm fjala “Basileus”.

Prof. Dh. Pilika flet për një mbishkrim në një pllakë bronzi të gjetur në Dodonë në vitet 1875-1877, ku një banor i qytetit Zakinth, themeluar në ishullin homonim prej të birit të Dardanit pellazg, Zakinthit, i blaton Zotit të Dodonës një pllakëz bronzi të përvijuar me një “penis” në mes (!) dhe anash me një kushtim të gdhendur, i cili vlerësohet nga shkenca epigrafike si i shekullit IV p.e.s:

“O Zeus i plotfuqishëm i Dodonës, po të dërgoj këtë dhuratë nga ana ime, unë Agathoni Ekefylit dhe familja ime proksene e Mollosëve dhe besëlidhësve të tyre gjatë 30 brezash (900 vjet), qysh nga Kasandra Trojane, ne Zakynthas AT pas BIRI…”, (ishulli i Zakinthit sëbashku me Itakën ishin në zotërim të Odhiseut).

Pra ngjarja i bie rreth 900 vjet pas rënies së Trojës, pra rreth shekullit III-të p.e.s (në kohën e Aleksandrit dhe Pirro Burrit) ku ata kishin 30 breza që jetonin në besë të Epirotasve.

Përsëri Dh. Pilika na sjell një mbishkrim tjetër nga Dodona, ku ai pohon: Dokumenti i lashtë mendohet të jetë i vitit 180 p.e.s. Për shkak të vlerës së veçantë, po riprodhojmë tekstin  plotë të të mbishkrimit dodonas, botuar së pari nga Kostandin Karapano më 1878:

“Nën strategun e epirotëv Antinou, klathër (emër grupi etnik, mbase thesprot), më 30 të muajit haliotropas, – duke qënë prostat Parmenisku, i biri i Diksandrit, – Dharmahu, i biri i Dhamesë, aheas, pasi ia paraqiti kërkesën Kuvendit (Bulesë-këshillit) duke i kërkuar shtetësinë, epirotët e miratuan Dhamarhun, si shtetas me të njëjtat të drejta, sikurse epirotët e tjerë”.

Arkeologu Neritan Ceka na tregon: “Rreth vitit 330 p.Kr., banorët e Foinikes duket se bënë përpjekje për të ndërtuar agoranë, duke zhvendosur tempullin e Athina Polias, që ishte perëndesha mbrojtëse e qytetit. Këtë e mësojmë nga një fletëz plumbi e gjetur në Dodonë, ku ata kishin inçizuar pyetjen për orakullin, në se duhet ta bënin një lëvizje të tillë”.

Në lidhje me këtë arkeologu Aleks Trushaj tregon për një mbishkrim të shek.IV p.Kr. të bërë mbi një pllakëz orakullore të Dodonës ku “korkyrasit dhe orikasit pyesin Zeusin Naios dhe Dionën se cilës hyjnie apo heroi duhet t’i bëjnë flijime dhe t’i drejtojnë lutje për të qeverisur në mënyrën më të mirë dhe në siguri të plotë shtetin e tyre” (Harta Arkeologjike e Shqipërisë, Tiranë, 2008, f. 218).

Neritan Ceka tregon se në Bylis adhurimi ndaj Dodonës vazhdonte deri në shekullin e III p.e.s.:

“…Në shekullin e III p.e.s. nga mbishkrimi i skulpturës së molosit Krison Sabyrti kushtuar në Dodonë nga ky koinon (i bylinëve)…”…

“Aty afër (buleterionit) u zbulua edhe një piedestal ku është gdhendur një dekret i Koinonit të Bylinëve, qëndron me ngritjen e një statuje prej bronzi strategun molos Krison Sabyrtiu. Ai datohet diku para vitit 219 p.Kr.,kur buleterioni u shkatërrua nga Etolët…”.

Arkeologu Neritan Ceka tregon se pikërisht në sajë të kësaj gjetje arkologjike në Dodonë, ne sot mundëm të identifikojmë rrënojat e qytetit të zbuluar pranë fshatit Hekal të Mallakastrës me qytetin e Bylist dhe si kryqëndër të Bylinëve.

Ja po e zemë se këta të dy kanë të drejtë; Dodona ndodhet në majë të malit të Tomorrit. Po ajo Ddona që ka 145 vjet që është nxjrrë nga dheu dhe ndodhet pranë Janinës kujt do t’ia lemë? Pra, atë, sipas mendjes së këtyre, duhet t’ua lemë grekërve. Dhe, ata grekërit pasi do ta uzurpojnë do të thonë që ajo është e helenëve; pasi shqiptarët e kanë Dodonën në majë të malit të Tomorrit, vetë thonë, dhe do të na nxjerrin gjuhën dhe do të tallen me idiotësinë tonë. Ja ku të shpien historianët tanë të ‘ditur’. Ku bashkë me Dodonën do t’u dhurojmë grekërve dhe Epirin tonë.

ISMAIL QEMALI, ZBULUESI I DODONËS

Bisedës tonë po i afrohet fundi, por do të themi edhe diçka interesante lidhur me zbulimin e Dodonës, kësaj Dodone të dlirtë, që këta të paaftë të ligj, ambiciozë dhe sharlatanë e përgojojnë, e ndyjnë me shpifjet e tyre. Kush e zbuloi Dodonën 22 km në jug-jugperëndim të Janinës? A ua merr mendja? Pikërisht ai që si një orakull i mbarë i kombit tonë shpalli pavarësinë për të gjithë shqiptarët, Ismail Qemali. Kjo figurë madhore e kombit e ka ndierë si detyrë të shenjtë atdhetare që t’ju japë shqiptarëve si një yll të çështjes kombëtare, orakullin pellazg më të lashtë dhe të vetmin në kohët e lashta për të gjithë Europën, orakullin e epirotëve, të parëve tanë me të cilët mburrej Gjergj Kastrioti, Marin Barleci, Frang Bardhi, etj.

Si ndodhi kjo? Hollësitë nuk i dimë. Por dimë që Ismail Qemali ka studiuar në Janinë te Zosimea, dhe si erudit që ishte, nga gojëdhanat popullore të Çamërisë, gjetjet e pakta arkeologjike rreth saj, si edhe nga leximet e autorëve antikë, mund ta këtë identifikuar përafërsisht vendndodhjen e saj. Për këtë, 25-30 vjet para se të mbyllej shekulli i XIX, ju drejtua mikut të tij të fëminisë, Kostandin Karapanos, që të kryente gërmime arkeologjike atje. Kush ishte rezultati? I jashtëzakonshëm. Një mrekulli. Dodona u zbulua. Ishin vitet 1875-1877. Karapanua hyri në histori.

Po kush ishte Karapanua? Një bashkëatdhetar i Ismail Qemalit me prindër shqiptarë nga Arta e Çamërisë, një çam ortodoks. Nuk ka se si të plotësohej kaq mirë profecia: Ishin Thesprotët e stërlashtë që e ngritën orakullin e Dodonës, dhe, ishte pikërisht një stërnip i tyre, po thesprotas, që  nxorri nga dheu, kryqëndrën e qytetërimit botëror të lashtësisë.

Dhe dalin disa xhuxhmaxhuxh të ligj që duan ta errësojnë këtë zbulim të madh, duke hedhur baltë edhe mbi vetë Ismail Qemalin që e zbuloi.

O Zeus Pellazg i Dodonës, o mbret i shqiptarëve të lashtësisë, epirotëve trima, stërnipër të Akilit, Odiseut dhe Pirros; mbroji shqiptarët sot nga këto llozhura të historisë, që duan të hedhin baltë mbi mbretëreshën e tyre të lashtësisë, Dodonën fisnike.

9 prill 2023.

Please follow and like us: