Albspirit

Media/News/Publishing

Janusz Bugajski: Të ndash Ballkanin Perëndimor

 

Pas zgjedhjes së Presidentit Joe Biden në Nëntor të 2020-ës, u besua gjerësisht se problemet e pazgjidhura të Ballkanit Perëndimor do të zgjidheshin me shpejtësi dhe se ishte mundësia e një të ardhme më pozitive për rajonin, duke përfshirë një udhërrëfim më të qartë drejt anëtarësimit në BE.

Por në vend të kësaj, duket se rajoni, tashmë, është në duart e forcave etno-nacionaliste të cilët hiqen si demokratë. E Uashingtoni ose është dorëzuar përballë agjendës së tyre ose është i shpërqendruar nga kriza më të ngutshme globale.

Zhvillimet e vitit të kaluar tregojnë se midis Ushingtonit dhe Brukselit mund të jetë hartuar një plan për një zgjidhje të re rajonale. Plani bazohet në idenë se thelbi i konfliktit është ai midis serbëve dhe shqiptarëve, ndërsa kroatët janë lojtari i tretë i rëndësishëm në rajon. Nëse këto mosmarrëveshje zgjidhen, atëherë Ballkani Perëndimor, dukshëm, do të dëshmojë një periudhë afatgjatë paqeje dhe stabiliteti.

Thelbi i planit trepalësh është shpërblimi i Beogradit, Zagrebit dhe Tiranës me ndikim politik dhe ekonomik mbi shtetet më të vogla fqinje dhe kontroll më të drejtpërdrejtë mbi popujt e ndodhur në vendet fqinje por me të cilët kanë lidhje më të afërta (etnike).

Me ndihmën e manipulimeve zgjedhore, Kroacia do të ketë mundësinë të bllokojë qeverinë në Sarajevë, pa ia ndjerë nevojën krijimit të një entiteti të veçantë kroat në Bosnje-Hercegovinë. Serbia do të mundet të kontrollojë në në mënyrë domethënëse entitetin serb edhe pa ndarje e përfshirje territoriale të formalizuar. Ndërsa Zagrebi dhe Beogradi bashkëpunojnë në nisma të tjera rajonale, pavarësisht interesave të boshnjakëve, nacionalistët serbë dhe kroatë do të munden që, së bashku, të paralizojnë organet shtetërore qendrore të Bosnjes.

Përmes aleatëve dhe dorëzanëve të vet, Beogradi, gjithashtu, do të fuqizohet dhe, me ndihmën e Kishës Ortodokse dhe përfaqësuesve nacionalistë serbë në parlament dhe qeveri, do të ndjekë agjendën e serbizimit të Malit të Zi. Në mënyrë që të ketë ndikim më të thellë ekonomik në rajon, ai, gjithashtu, mund të zhvillojë iniciativën “Ballkani i Hapur”.

Serbia mund të përdorë Asociacionin e Komunave të planifikuar dhe delegatët serbë në parlament dhe qeveri për të bllokuar çdo vendim të Prishtinës që nuk ka miratimin e Beogradit. Qeveria e Vuçiçit atëherë do të mund të pretendojë se Serbia e ka përfshirë (brenda vetes) popullsinë serbe në mbarë Kosovën edhe pa rimarrë zyrtarisht ndonjë pjesë territoriale dhe pa njohur shtetin e Kosovës.

Përmes lidhjeve më të ngushta me Kosovën dhe pa nevojën e ndonjë shkrirjeje të mirëfilltë territoriale a institucionale, Shqipëria, gjithashtu, do të kishte ndikim më domethënës në rajon. Tirana do të mund të pretendonte se e kishte krijuar një “Shqipëri etnike” më të madhe, në përputhje me aspiratat e veta historike edhe pse kufijtë, zyrtarisht, nuk do të kishin ndryshuar.

Edhe Mali i Zi e Maqedonia e Veriut mund të përfshihen në këtë proces “për kapjen e shtetit”, në rast se partitë shqiptare në të dy vendet kërkojnë autonomi më të madhe përmes shoqatave të komunave apo të krahinave, duke u bazuar në modelin serb në Kosovë, si dhe përmes lidhjeve më të ngushta me Shqipërinë.

Plani trepalësh presupozohet se do të garantonte dominimin e tre fuqive rajonale dhe se nëpërmjet presionit ndërkombëtar pritet që shtetet më të vogla të pajtoheshin me këtë për të siguruar stabilitetin në rajon. Por, pavarësisht shpresave të mëdha të autorëve të saj, skema trepalëshe ka edhe tre defekte serioze që ka të ngjarë të ndezin konflikte të reja.

Së pari, malazezët, boshnjakët dhe kosovarët, identitetet e dallueshme kombëtare dhe shtetërore të të cilëve janë forcuar që nga rënia e Jugosllavisë falë njohjes ndërkombëtare, do bënin rezistencë ndaj çdo përpjekjeje që kufizon pavarësinë e tyre. Procesi i nënshtrimit të tyre ndaj çfarëdo marrëveshjeje më përfshirëse politike dhe ekonomike do të haste në kundërshti që mund të rrënojnë multietnicitetin dhe zhvillimin demokratik.

Në mënyrë paradoksale, përpjekjet perëndimore për të qetësuar shumicat kombëtare të rajonit janë kundërthënëse dhe bien ndesh me agjendën perëndimore të promovimit të demokracisë, multietnicitetit dhe të të drejtave civile.

Së dyti, Serbia, Kroacia dhe Shqipëria mund ta interpretojnë planin trepalësh të miratuar nga Uashingtoni dhe Brukseli veçse si një hap fillestar dhe një dritë jeshile drejt pushtimeve të mirëfillta territoriale. Procesi i ri i ndarjes nuk do të ndodhë menjëherë, por mund të përshpejtohet pasi boshnjakët, kosovarët dhe malazezët i rezistojnë në mënyrë aktive presionit të fqinjëve të mëdhenj.

Konfliktet ndëretnike të krijuara nga përpjekjet për dominim politik do t’i japin Beogradit, Zagrebit dhe Tiranës pretekste për të ndërhyrë më fuqishëm për të mbrojtur bashkëkombasit e vet.

Rezultati i tretë negativ i planit trepalësh do të ishte depërtim më i thellë përmbysës i Moskës, pasi ajo ka një numër në rritje të klientëve të vet të Ballkanit Perëndimor. Kremlini do e përdorte mundësinë e një shteti serb me ndikim i cili është në gjendje të dëmtojë Aleancën e NATO-s dhe do të kishte hapësirë ​​më të madhe për të përmbysur elitat politike dhe ekonomike kroate e shqiptare.

Në fakt, ky plan perëndimor i projektuar për të zgjidhur përfundimisht të gjitha mosmarrëveshjet e pazgjidhura, praktikisht do të nxiste konflikte të reja rajonale dhe do të çonte shumë hapa pas nga përparimi që është arritur gjatë dy dekadave të fundit./gazeta dita

Please follow and like us: