Albspirit

Media/News/Publishing

Saimir Z. Kadiu: Në përkujtim të nobelistit irlandez, Seamus Heaney

Seamus Heaney (13 PRILL 1939 – 30 gusht 2013)

Sot në përvjetorin e 84 të lindjes së poetit nobelist irlandez, po rrëfej një histori të jetuar në ditën e fitimit nga ana e tij  të Nobelit të letërsisë…

6 tetor 1995…

Bashkë me kolegun tim në Ministrinë e Shëndetësisë Dr. Petraq Cama ishim në Dublin në një takim ndërkombëtar për problemet e Financimit të Kujdesit Parësor dhe Mjekut të Familjes.

Menjëherë pas fillimit të sesionit të pasdites (pas drekës), në mes të fjalës së një doktori të njohur suedez, dëgjohen nga jashtë britma gëzimi dhe dikush hap derën e sallës së takimit dhe njofton me gëzim të madh:

“Poeti irlandez Seamus Heaney fitoi çmimin Nobel për Letërsinë 1995”.

Duartrokitje frenetike nga ana e irlandezëve të shumtë në sallë…

Më pas një koleg irlandez i drejtohet podiumit, falenderon  folësin suedez për vendimin e Akademisë së vendit të tij  dhe i ngazëllyer nga krenaria dhe gëzimi vijoi:

“Heaney, biri i një fermeri, fiton papritur  Nobelin dhe sjell në Irlandë Nobelin e katërt për letërsinë… duke ndjekur traditën e W. B. Yeats (1923), George Bernard Shaw (1925) dhe Samuel Becket (1969)…

Keqardhje për James JOYCE, më i madhi shkrimtar irlandez që nuk pati fatin ta merrte këtë çmim prestigjoz…

Jemi krenarë që një vend me 4 milionë banorë në Republikën e Irlandës, por i një kombi me mbi 40 milionë në Amerikën e Veriut, i ka dhuruar botës shumë shkrimtarë dhe poetë të mëdhenj”.

Doktori suedez po dëgjonte qetësisht fjalën e kolegut irlandez dhe pasi ky i fundit u ul në vendin e tij, e rimori fjalën, por ndryshoi temën e diskutimit të tij…

Po flitej tashmë për letërsi…dhe mendoj që mjekët janë “dashnorët” më të mëdhenj të letërsisë.

Nuk ka se si të shpjegohet ndryshe “Armata e madhe e Çehovit”…

“Sinqerisht nuk e kam lexuar Heaney dhe nuk besoj të ishte në listën e fituesve të mundshëm, por ndonjëherë fitoret kanë surprizat e tyre. Sinqerisht unë do të uroja fitoren e një shkrimtari të madh, shumë më të njohur se Heaney, që vjen nga një vend i vogël dhe që quhet ISMAIL KADARE…”.

Kuptohet përmendja e emrit të Kadaresë, ne dy shqiptarëve në këtë takim… na ngriti në këmbë duke duartrokitur të cilës iu bashkuan edhe pjesëmarrës të tjerë…

Sa do të dëshironim që atë ditë bashkëkombasit e kolegut suedez që ishin pjesë e jurisë së Akademisë Suedeze të Nobelit të votonin për gjeniun e letrave shqipe duke korigjuar më në fund një gabim sistematik prej shumë vitesh…

Do të ishte edhe një përgjigje për pyetjen retorike të gazetës së famshme franceze “Le Figaro”: “Kur do ta njohë Stokholmi kalibrin më të madh të shekullit”?

Please follow and like us: