Albspirit

Media/News/Publishing

Frank Shkreli: Mbi vizitën e Escobar në Tiranë

 

Ja shkoi në Tiranë, pa, u përshëndetur me disa dhe u kthye. Fjala është për Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Escobar. Nuk besoj se me vizitën e tij në Tiranë fitoi gjë, për t’iu referuar asaj thënies së famshme të Jul Cezarit, “Veni, vidi, vinçi”, megjithëse z. Escobar nuk kishte ardhur për të fituar gjë fare, pasi ishte një vizitë krejt e zakonshme, pjesë e një vizite rutinë në rajon. E tillë ishte paranjoftuar edhe nga ambasada amerikane në Tiranë.

Por, siç e ka zakon media shqiptare, prisnin që diplomati i lartë amerikan do vinte në Tiranë mbi një kalë të bardhë dhe do zgjidhte të gjitha problemet e politikës shqiptare, madje prania e tij do të zgjidhte edhe problemet brenda Partisë Demokratike, se zyrtari i lartë do të sillte informacion aq të dëmshëm kundër Sali Berishës sa që, do ta asgjësonte atë para Kuvendit të planifikuar të demokratëve më 11 dhjetor.

Por po të dëgjoje disa media të oborrit, para vizitës së zyrtarit amerikan në Tiranë, ai po vinte në Shqipëri me një shkop të madh, për t’u rënë disa kokave dhe, po të ishte nevoja, marinsat amerikanë janë gati jashtë Tiranës, të gatshëm të kontrollonin rrugët e Tiranës, për t’i ndalur hovin Sali Berishës, si rrjedhim i mbështetjes për të në “foltoret” e tij. Asgjë nuk ndodhi, veçse u harxhuan kot aq shumë orë debatesh boshe, saqë analistët do të kishin bërë më mirë t’i kalonin ato orë me fëmijët dhe me familjet e tyre.

Nëqoftëse shikojmë për fitues dhe humbës të kësaj vizite krejtësisht të zakontë, media shqiptare, ose më mirë të them një pjesë e madhe e medias shqiptare, ishte humbëse, sepse parashikuan se me ardhjen e z. Escobar në Tiranë, do bëhej nami, “heads will roll”, sipas asaj frazës anglisht. Unë nuk prisja namin nga kjo vizitë, prisja vetëm që të kisha pasur një pasqyrë më të qartë se ç’po ndodh në Shqipëri në këtë kohë krize. Me një shkrim modest i kisha bërë thirrje zyrtarit të lartë amerikan që gjatë vizitës së tij të parë në Shqipëri, përveç ambasadës dhe karaktereve të zakonshëm të politikës shqiptare, të takohej edhe me grupe të tjera, të përjashtuara nga proceset politike të këtyre 30 viteve, ashtuqë të ketë një ide se çfarë mendon pjesa tjetër e shqiptarëve që nuk i pyet askush për asgjë.

Fatkeqësisht, duket se ai nuk u takua me askënd tjetër, përveç zyrtarëve të ambasadës, të qeverisë Rama dhe të përfaqësusve të Partisë Demokratike që kontrollohet nga Lulzim Basha. Grupet jo-qeveritare janë humbës nga kjo vizitë, pasi z. Escobar nuk u takua me ndonjë prej tyre, por edhe unë jam humbës që bëra thirrje për një takim të tillë që nuk ndodhi, për asgjë tjetër, veçse nga përvoja ime kam parë se zyrtarët amerikanë kanë nevojë të dëgjojnë edhe zëra të tjerë të shoqërisë shqiptare — dhe jo vetëm të marrin informacionin nga qarqet zyrtare të qeverisë shqiptare, qoftë edhe opozitës, si dhe nga ambasada. Megjithse një vend i vogël, shoqëria shqiptare është mjaft e ndërlikuar dhe nevojit njohje më të mirë nga të huajt, duke pasur edhe historinë jo të largët të Shqipërisë, si pikë referimi.

Por uroj që Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Escobar, të largohet sadopak fitues nga vizita e tij e shkurtër në Tiranë, me një shije sadopak të vogël, për faktin se sa e çuditshme, për të mos thënë e çmendur, është politika shqiptare. Dhe i vetdijshëm se kur në kazanin e asaj politike futen edhe gishtërinj të huaj – ajo politikë humb fare busullën e normalitetit dhe atëherë as dreqi nuk e vë në terezi, madje as edhe një zyrtar i një vendi mik si, z. Escobar. Por uroj që z. Escobar të këtë porositur ambasadën tonë në Tiranë se klasa politike shqiptare pas 30-vjet “post-komunizëm”, ka nevojë që vetë t’i zgjidh problemet e saj të vet-krijuara, pasi Shqipëria është e tyre dhe e popullit shqiptar, që kjo klasë politike përfaqëson. Dhe se është në dorë të shqiptarëve të vendosin vetë se kush do jenë udhëheqësit e tyre, tani dhe në të ardhmen.

Atëherë, pasi vizita e z. Escobar në Tiranë, erdhi e shkoi — çfarë do ndodhë në skenën politike shqiptare të shumë pritur, për dy tre javët e ardhshme. Unë besoj se sa i përket Amerikës, asgjë dramatike nuk do të ketë në skenën e politikës shqiptare, lajm i keq ky ndoshta për disa që presin ndërhyrjen amerikane për t’i rregulluar “punët e Shqipërisë” — duke pasur parsysh shpalljen “non grata” të Dr. Sali Berishës nga ana e Shteteve të Bashkuara.  Fatkeqësi që ka ardhur deri në këtë pikë, por siç duket dy kuvendet e planifikuar të Partisë Demokratike do të mbahen. Do të zgjidhen zyrtarë të ri, Partia Demokratike do mbijetojë, Shtetet e Bashkuara, siç deklaroi edhe z. Escobar në Tiranë, do bashkëpunojnë me Partinë Demokratike, sipas interpretimit tim, kushdo që ta drejtojë atë. Nuk besoj se në këtë mes, Washingtoni nuk do të ndërhyjë, sepse nuk ka të drejtë dhe as nuk dëshiron të ndërhyjë në punët e brendshme të një partie të një vendi anëtar të NATO-s.  A u kujtohet debati para 8 vitesh mbi çështjen e armëve kimike? Të gjithë thoshnin në atë kohë se Amerika ose NATO do ia impononte Shqipërisë që t’i pranonte armët kimike nga Siria.

https://telegraf.al/opinion/frank-shkreli-amerika-nuk-do-ti-imponoje-shqiperise-shkaterrimin-e-armeve-kimike-te-sirise/

As kësaj radhe, Amerika nuk do të imponojë një zgjidhje për demokratët shqiptarë. Ata duhet t’i zgjidhin vetë mosmarrveshjet midis tyre. As Partia Demokratike, as Shqipëria nuk janë vasale të Shteteve të Bashkuara as të ndonjë vendi tjetër. Historikisht, kjo nuk është në natyrën e politikëbërjes së Shteteve të Bashkuara karshi vendeve mike dhe aleate, megjithëse nga ndonjëherë, në rastin e Shqipërisë, mund të duket e tillë sepse vetë politika shqiptare kërkon dhe lejon ndërhyrje të tilla të ngutshme dhe të pamenduara mirë nga ndonjë individ ose ent zyrtar. Por, normalisht, nuk ndodh ashtu. Shtetet e Bashkuara kanë ndjekur, vazhdimisht, një politikë pragmatike ndaj zhvillimeve politike në Shqipëri, me ndonjë përjashtim të vogël, ndoshta. Ashtu do të ndodh edhe tani.

Besoj se fjala pragmatizëm, është edhe mesazhi që doli nga vizita në Tiranë e Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Escobar.

Please follow and like us: