Shënimet e gazetarit amerikan për kuzhinën shqiptare
THE CHRISTIAN SCIENCE MONITOR (1937) / “PËR DARKË NË SHQIPËRI” – EKSPERIENCA KULINARE E REPORTERIT AMERIKAN REUBEN HENRY MARKHAM
Reuben Henry Markham (1887 – 1949)
Nga Aurenc Bebja*, Francë – 15 Prill 2023
“The Christian Science Monitor” ka botuar, të premten e 16 prillit 1937, në faqen n°18, shkrimin e reporterit amerikan Reuben Henry Markham rreth eksperiencës së tij kulinare asokohe në Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Për darkë në Shqipëri
Burimi: The Christian Science Monitor, e premte, 16 prill 1937, f.18
Tiranë,
Unë do të doja që ju të darkoni me mua në një restorant vendas shqiptar. Një banket i tërë kushton vetëm tridhjetë e nëntë cent. Por mund t’ju duket paksa i pacivilizuar.
Teksa kalova pranë një salle ngrëniejeje me pamje të bukur me të gjithë kazanët e saj të nxehtë që dërgonin aromën e tyre të këndshme në rrugë, thashë me vete: “Epo, sigurisht që duhet të hyj vetëm për të parë se çfarë po hanë shqiptarët tani. Më duhet të bëj një hetim ekonomik”.
Sigurisht, kjo ishte në rregull, rreptësisht pjesë e aktivitetit tim profesional. Ishte njësoj si t’i thërrisja ministrit të Mirëqenies Sociale.
Ushqimi është i gjithi në sallën e ngrënies dhe i ekspozuar ndaj syrit të darkuesve. Në restorantin e veçantë gjendeshin tetëmbëdhjetë gjellë të ndryshme, të vendosura në tre rreshta nga gjashtë secila mbi një lloj sobe. Ju mund të porosisni racione të vogla ose të mëdha. Unë porosis gjithmonë racione të vogla, në mënyrë që të provoj tre ose katër varietete. Unë nuk kam nevojë të flas shqip apo diçka tjetër. Thjesht kërkoj atë që dua dhe më pas tërhiqem në një tavolinë – me mbulesë. Ato (tavolinat me mbulesë) janë për klientët e veçantë si unë.
Buka është gri, e butë dhe e freskët dhe shërbehet si një copë e madhe ëmbëlsire – një e teta e një buke të rrumbullakët për çdo klient. I këputni copat dhe i hani me gjellën. Të gjithë në Orient për disa mijëvjeçarë e dinë se kjo është mënyra për të ngrënë bukë.
Unë porosis edhe sallatë. Pronari e dërgon djalin jashtë në një dyqan për ta blerë.
Menjëherë matanë rrugës. Ai e zhyt atë në ujë pusi dhe e vendos të gjithën duke pikuar mbi tryezë. Është e freskët dhe e shijshme dhe mjaft e zhurmshme, dhe po aq freskuese sa një pjepër për mëngjes në Hotel Ritz.
Më pas më sollën racione shumë të vogla të dy llojeve të pudingut pikant ngjyrë kafe, mjaft ngjitës në gojë.
Pas kësaj, unë porosis një “finochio – finok”, të cilën pronari duhet ta dërgojë për ta marrë. A e dini se çfarë është? Është një perime italiane që duket si një qepë gjigante dhe ka shije si ëmbëlsirat e përziera që blinim në Smith County dyzet vjet më parë. Një herë në javë, familja jonë kënaqej me ëmbëlsirat me vlerë pesë cent për pesë fëmijë. Dikur merrja copa të vogla në formë cilindri, në çdo skaj të të cilave kishte unaza koncentrike me ngjyra të ndryshme. E lëpiva pjesën time shumë ngadalë, duke e bërë atë të zgjasë sa më gjatë.
Tani, pas gjithë këtyre viteve, ajo shije është ringjallur në “finochio-n – finokun”. Çfarë fuqie magjike duhet të ketë dielli italian për të sajuar një qepë me shije bonboneje. E ha në heshtje, i zhytur në kujtime.
Tani banketi ka përfunduar. Zgjat dorën time të djathtë drejt pronarit dhe fërkoj gishtin tim tregues me gishtin e madh. Të gjithë këtu që nga koha e Jakobit apo Ali Babës e dinë se çfarë do të thotë kjo. Ai vjen në tryezën time dhe shkruan në një copë letre një shumë të barabartë me dyzet e një cent. Unë ngre vetullat në shenjë proteste. Unë kisha numëruar tridhjetë e nëntë.
“Finochio – Finoku”, shpjegon ai.
Unë mendoj se janë të shtrenjtë, por ia vlen. Dhe çdo gjë tjetër ia vlen po ashtu.
H. MARKHAM