Avdush Canaj: A E DI NUMRIN E KËPUCËVE TË BUBURRECIT
A e di
numrin e këpucëve të buburrecit?
Po lagjen ku i qepin dallëndyshet
minifundet që u kanë hije?
Në cilin vagon të muzgut
janë ëndrrat me pëllumbat larosh?
Kush ia lidh bishtalecat hënës
kur lahet te liqeni?
Ç’thotë dega e qershisë
kur shtrinë krahun kah dritarja jote?
Ç’dorë magjike ndez
bateritë e xixëllonjave?
Nëse s’e di
të të them drejt
s’mund të jesh kurrë
poet për fëmijë
as shok me të si unë
që i tregoj për gjithçka.
Please follow and like us: