Albspirit

Media/News/Publishing

Frenkli Prengaj: Zbuloni Shqipërinë me “Discover Albania”

“Discover Albania”, e themeluar në vitin  2007, në fillim u krijua si grup të rinjsh me dëshirën për të eksploruar natyrën e bukur shqiptare. Udhëtimet e para të tyre kanë qenë në fshatrat pranë Tiranës dhe më pas u organizuan kampingjet  në plazhin e Jalës, si dhe kamping në gjire të tjera të panjohura në zonën përreth Dhërmiut dhe Jalës. Aktivitet e grupit vazhduan me eksplorimin e luginave dhe përshkruanin shtigjet e majave të Shqipërisë. Më pas, zbulimet e shumta dhe bukuritë që panë i shtuan dëshirën për t’ia treguar çdokujt, kështu “Discover Albania” u shëndërrua në një nga kompanitë më të njohura për udhëtimet në Shqipëri. Që nga data e krijimit “Discover Albania” ka pasur më shumë se 48,000 mijë turistë. Ajo ka  një strukturë të fortë, inovative dhe gjithëpërfshirëse për udhëtimet në trevat shqipfolëse duke u njohur si kompania lider për udhëtimet turistike krijuar nga shqiptarët për Shqipërinë. Frenkli Prengaj është administrator i “Discover Albania” si edhe ofron guida të ndryshme turistike për turistë nga gjitha vendet e botës.

Ai thotë : “Ne besojmë që Shqipëria është një vend me potencial të madh në industrinë e turizmit, por ndryshe nga masa në mendojmë që pika e fortë është turizmi i eksperiencës, turizmi i vlerave, i emocioneve. Ne punojmë që turistët tanë të largohen me një emocion pozitiv nga Shqipëria dhe jo vetëm me disa foto të bukura. Në një intervistë për Radio Ejani Frenkli Prengaj flet për veprimtarinë e “Discover Albania”.

CMG: Frenkli çfarë të lidh me turizmin?

Frenkli Prengaj: Në fakt unë nuk kam një lidhje të drejtpërdrejtë me turizmin, por kam për vlerat dhe për dashurinë ndaj vendit. Kam dashur gjithmonë që t’i bëj një promovim vendit ku kam lindur që të ketë mundësi të shihet nga të tjerët .Ne kemi vlera, tradita , zakone të cilat vlejnë të shihen me vëmendje dhe të jenë mundësi e mirë për të promovuar çdo cep të Shqipërisë. Kur kam qenë më i ri në moshë bashkë me tre shokët e mi formuam një grup dhe vendosëm që të prekim çdo cep të Shqipërisë për të shijuar vende, te të cilat nuk kishim shkuar kurrë. Merrnim makinën dhe lëviznim kudo ku mundeshim. Pastaj me kalimin e kohës unë u shkëputa për të vijuar studimet dhe e lashë këtë gjë pas dore. Por dëshira për të promovuar vendin vazhdonte dhe kështu kur u riktheva tek “Discover Albania” vijova një ëndërr që e kisha lënë në gjysmë.

CMG: Si është turizmi i këtij sezoni, a prisni shumë turistë?

Frenkli Prengaj: Ne presim shumë turistë këtë vit dhe është diçka që na krijon siguri sepse Shqipëria është promovuar në të gjitha shtetet e botës, ajo ka dalë në revista prestigjioze dhe si të thuash i është bërë një promovim dinjitoz. Mezi presim që të nisim këtë sezon, i cili pritet të jetë më i bukuri.

CMG: A ka qytete të Shqipërisë që janë më të preferuara?

Frenkli Prengaj: Nuk mund të ndahen qytetet, pasi çdo qytet ka rëndësinë e tij dhe kur turistët vijnë në Shqipëri janë kurioze për thuajse të gjitha vendet. Veriu i Shqipërisë është shumë autentik dhe ka ruajtura vlerat. Përherë e kërkojnë që te bëjnë guida atje qoftë edhe prej kuriozitetit për të kuptuar se çfarë ndodh në veriun e Shqipërisë në zonat e largëta malore . Këtë vit një promovim shumë i madh i është bërë edhe jugut të vendit, Ksamili është një nga këto destinacione që do të frekuentohet nëpërmjet guidave, pasi i është bërë një promovim shumë dinjitoz.

CMG: Cilat janë pyetjet më të shpeshta që bëjnë për Shqipërinë turistët e huaj?

Frenkli Prengaj: Në fillim pyesin a është Shqipëria një vend i sigurtë për të jetuar. Ndoshta degjojnë pak ose aspak për ne dhe kjo i step ose ju krijon ide te gabuara për vendin. Më pas kur vijnë këtu dhe kuptojnë qe ne jemi populli më i dashur dhe ofrojmë suport dhe dashuri për këdo, ata nuk duan të shkëputen nga këtu.Turistët, të cilët kam pasur shansin që t’i orientoj kanë ikur dhe janë kthyer sërish këtu me të njëjtat kërkesa. Pyetje të tjera që bëjnë janë në lidhje me të kaluarën e Shqipërise apo historinë e saj.

CMG: Kulinaria është një vlerë e vendit tonë, ne kemi pjata tradicionale dhe gatime që nuk bëhen në të gjitha shtetet, si e shohin të huajt kulinarinë tonë ?

Frenkli Prengaj: E vlerësojnë shumë, madje janë edhe të informuar më parë se çfarë gatuhet këtu, vijnë me idenë se çfarë duan të konsumojnë më pas i shijojnë ato dhe i sugjerojnë edhe miqve të tyre. Madje janë selektivë nuk preferojnë pjata që bëhen edhe në shtete te tjera, por presin gatime autentike shqiptare.

CMG: Çfarë të motivon të promovosh Shqiperinë?

Frenki Prengaj: Më motivon fakti që Shqiperia një ditë do të bëhet një vend i madh dhe i zhvilluar. Që do të ketë vizitorët e saj jo vetem sezonalë, por të përhershëm. Le të bëhemi bashkë për ta nxjerrë Shqiperinë krah vendeve të tjera të botës ku turizmin e kanë kyç në ekonominë e vendit.

Intervistoi Megi Latifi

Please follow and like us: