Gjergji Mihallari: Qielli i Londrës
Nëse një ditë,
e afërt apo e largët qoftë ajo ditë,
do të takoja rastësisht,
dije pra Mirel, dije
do të flisja fjalë pafundësisht…
Do të rrëfeja për qiellin e Londrës
që ndërron fytyrën më shpesh se një prostitutë,
për lotimin çurg nga fytyra e tij e ngryste
sikur dëshiron që në këtë lumë të të mbyt…
Do të rrëfej për qiellin murmor
ku avionët lënë blana e vija pafund,
Shkërmoqen edhe ato pak njolla resh bardhoshe
ku ëndrrën tënde përkund…
Nëse do të shkruaja një letër Mirel,
do dëftej për kishën e vjetër që kaloj çdo ditë,
do të flas për këmbanoren e trishtë
dhe psalltet e përditshëm të saj,
zogjtë e zinj katran…
Nëse nuk të shkruaj dhe dërgoj letër fizikisht,
dije se me mendje të kam shkruar përditë,
atje në fund të autobuzit në katin e dytë,
ku fytyrat humane përkunden në pagjumësi…
Nëse takohemi një ditë,
e afërt apo e largët qoftë kjo ditë,
mundet Mirel edhe mos më njohësh,
fytyra vesh petkun e vendit të huaj,
por kurrë nuk tjetërsohesh…