Heshtje konspiracionistësh për misterin e helmimeve të Kremlinit zyrtar
Qeveria amerikane po synon që të shtyjë publikimin e më shumë se 1,000 faqeve të dosjes së lidhur me dyshimet për helmim të aktivistit opozitar rus, Vladimir Kara-Murza, rast që ka marrë vëmendjen e niveleve të larta të autoriteteve amerikane, përfshirë Shtëpinë e Bardhë, komunitetin e inteligjencës amerikane dhe Kongresin.
Qindra dokumente tjera të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) dhe Departamentit amerikan të Drejtësisë, të siguruara ekskluzivisht nga Radio Evropa e Lirë, bëjnë të ditura detaje të reja të hetimeve amerikane, rreth atyre që Kara-Murza beson se kanë qenë dy akte të qëllimshme të helmimit nga shërbimet ruse të sigurisë.
Mes tjerash, materialet tregojnë se FBI-ja ka siguruar të dhëna se Kara-Murza është helmuar dhe ka kërkuar ndihmën e një laboratori për armë të Qeverisë amerikane, që t’i ndihmojë gjatë kërkimeve. Materialet po ashtu sugjerojnë se drejtori i FBI-së, Christopher Wray, ka qenë i përfshirë në hetime për këtë çështje në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Megjithatë, dokumentet nuk ofrojnë të dhëna përfundimtare se Kara-Murza është helmuar me qëllim, derisa aktivisti rus beson se përgjigjja mund të jetë e fshehur në dokumentet zyrtare, publikimin e të cilave po tentojnë ta shtyjnë autoritetet amerikane.
Grupi i parë i dokumenteve është publikuar javën e kaluar, si përgjigjje ndaj padisë së Kara-Murzas në gjykatën federale, teksa tenton të mësojë se çfarë saktësisht kanë ditur autoritetet amerikane për zbatim të ligjit, rreth përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore më 2015 dhe 2017, dhe cila ka qenë përgjigjja e tyre.
Qasja në këto dokumente ka ardhur në kohën e rritjes së shqetësimeve ndërkombëtare se agjencitë ruse të inteligjencës janë duke rritur guximin në përdorimin e helmeve apo toksinave të sofistikuara për të shënjestruar disidentë apo ish-spiunë. Aty përfshihet rasti i Aleksei Navalnyt, kundërshtarit të Kremlinit, për të cilin zyrtarët gjermanë kanë thënë në gusht të këtij viti se është helmuar me agjent nervor të grupit Noviçok.
Ky agjent nervor është zhvilluar në Bashkimin Sovjetik.
Pas ofrimit të grupit të parë të dokumenteve, apo një totali prej rreth 400 faqeve, Departamenti amerikan i Drejtësisë ka thënë se ka zbuluar rreth 1,100 faqe shtesë, në të cilët përfshihen “rezultatet e laboratorit dhe ato të gjakut”, mirëpo që nuk do të jetë në gjendje t’i publikojë ato për Kara-Murzan, para afatit të fundit, që në këtë rast i bie të jetë 15 tetori.
Avokati i tij, Stephen Rademaker, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ata synojnë ta sfidojnë kërkesën për shtyrje të publikimit të 1,100 dokumenteve shtesë.
“Është e vështirë për ta kuptuar sesi rezultatet e testeve të Vladimirit mund të kenë qëndruar në vend të gabuar, marrë parasysh faktin se në dokumentet e publikuara janë dhënë shenja se drejtori i FBI-së, Wray ka qenë personalisht i përfshirë në zgjidhjen e kësaj çështjeje”, ka thënë Rademaker.
Departamenti amerikan i Drejtësisë nuk është përgjigjur në pyetjen rreth statusit të publikimit të materialeve shtesë.
“Mos na shponi në sy”
Përgjatë periudhës sovjetike, Agjencia Shtetërore e Inteligjencës (KGB), ka qenë e njohur për përdorim të helmeve të sofistikuara për të shënjestruar disidentë dhe kundërshtarë të regjimit. Kjo çështje ka fituar edhe më shumë vëmendje, prej kur Vladimir Putin ka ardhur në pushtet më 2000. Më 2006, ish-zyrtari i Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB), Aleksandr Litvinenko, ka vdekur në një spital britanik, pasi i është ekspozuar një izotopi tejet radioaktiv, polonium-210.
Në mars të vitit 2018, ish-zyrtari i inteligjencës ruse, Sergei Skripal dhe vajza e tij gati kanë vdekur në Angli, pasi i janë ekspozuar atij që më vonë është identifikuar si Noviçok, derisa një grua, e cila aksidentalisht ka qenë në kontakt me këtë substancë, ka vdekur. Autoritetet ruse kanë fajësuar agjencinë për inteligjencë ushtarake të Rusisë për këtë akt, dhe për pasojë dhjetëra diplomatë rusë janë dëbuar nga Perëndimi.
Sikurse në rastet paraprake, Rusia ka mohuar përfshirjen, duke përmendur mungesën e fakteve.
Kara-Murza beson se të dyja incidentet kanë qenë hakmarrje për aktivizmin e tij politik, duke përfshirë lobimin e tij për Aktin amerikan Magnitsky.
Ky ligj i vitit 2012, parasheh vendosjen e sanksioneve ndaj rusëve për të cilët beson se abuzojnë me të drejta të njeriut.
Ky ligj atëbotë pati zemëruar Kremlinin.
Kush është Vladimir Kara-Murza?
Kara-Murza, 39-vjeçar, është politikan veteran, i cili ka qenë aktiv në parti liberale opozitare në Rusi dhe lëvizje tjera, prej kur presidenti rus, Vladimir Putin ka nisur të ngjitet në pushtet 20 vjet më parë.
Djali i një gazetari të mirënjohur, po ashtu i emëruar Vladimir, i cili ka vdekur vitin e kaluar, Kara-Murza i riu, ka qenë korrespodent televiziv në Uashington për shumë vjet, dhe ka punuar në disa projekte politike, të lansuara nga ish-manjati naftës, Mikhail Khodorkovsky, kundërshtar i ashpër i Putinit, që tani jeton në Evropë, pasi ka kaluar më shumë se një dekadë në burg.
Kara-Murza ka qenë po ashtu shok dhe zëvendës i Boris Nemstovit, liderit të mirënjohur opozitar, që është vrarë në shkurt të vitit 2015, si pasojë e të shtënave me armë zjarri afër Kremlinit. Ai tani ndan kohën e tij mes Moskës dhe Shteteve të Bashkuara, ku jetojnë gruaja dhe fëmijët e tij.
Ndonëse Kara-Murza është larg krijimit të ndonjë emri brenda publikut rus, ai ka vëmendjen e anëtarëve të mirënjohur të Kongresit amerikan, dhe zyrtarëve të shteteve anëtare në Bashkimin Evropian. Ai ka lobuar në Shtetet e Bashkuara dhe në BE, për sanksione kundër anëtarëve të elitës që drejtohet nga Putini.
Në janar të vitit 2018, më pak se dy muaj para helmimit të Skripalëve, një takim i çuditshëm ka ndodhur në Uashington. Drejtorët e tri agjencive kryesore të inteligjencës në Rusi kanë udhëtuar drejt kryeqytetit amerikan për t’u takuar me homologët e tyre në SHBA, përfshirë Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, që atëbotë ka qenë drejtor i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA).
Veteranët amerikanë të inteligjencës e kanë konsideruar këtë vizitë tejet të pazakonshme, potencialisht të pashembullt.
Sipas ish-zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë, takimet kanë qenë pjesë e përpjekjeve për të penguar spiralen në rënie të marrëdhënieve në mes të Moskës dhe Uashingtonit. Ai trend, që ka nisur nën udhëheqësinë e ish-presidentit amerikan, Barack Obama, është përkeqësuar në mënyrë dramatike pas të dhënave që tregonin se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, të cilat i ka fituar Donald Trump.
Përkeqësimi misterioz i gjendjes shëndetësore të Kara-Murzas, ka qenë mjaftueshëm i rëndësishëm për marrëdhëniet SHBA-Rusi, andaj i njëjti është përfshirë në takimet e janarit të vitit 2018, me zyrtarët rusë, kanë thënë dy ish-zyrtarë.
Sipas një emaili të FBI-së, i përfshirë në dokumentet e siguruara nga Radio Evropa e Lirë, një vizitor në Uashington ka kërkuar të takohet me drejtorin e FBI-së, Wray më 25 apo 26 janar të vitit 2018 – javën e njëjtë kur tre shefa të inteligjencës ruse kanë vizituar kryeqytetin amerikan.
Emri i personit që ka kërkuar të takohet me Wrayn është redaktuar në emailin, i cili ka ardhur nga zyra e FBI-së në Uashington me titull: “Statusi i rastit të Kara-Murzas”. Ende nuk është bërë e qartë nëse ky email ka pasur lidhje me vizitën e rusëve në Uashington.
Gjatë takimit të Pompeos me zyrtarët rusë nuk ka pasur incizim, vetëm përshkrim të përgjithshëm të takimit. Asnjë minutë i detajuar nuk ka qarkulluar në Shtëpinë e Bardhë, ka thënë një prej zyrtarëve.
Atë kohë, Pompeo ka arsyetuar takimin, pasi është kritikuar nga demokratët në Kongres.
Sipas një ish-zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, rasti i Kara-Murzas, ka qenë një prej disa çështjeve që janë ngritur nga zyrtarët amerikanë, si mënyrë për t’iu kërkuar rusëve që të ndalin përfshirjen në aktivitetet të tilla provokative.
“Mesazhi ka qenë: ‘Nëse jeni seriozë për këtë gjë, mos na shponi në sy dhe tregoni pak vetëpërmbajtje’”, ka thënë një zyrtar, që ka folur për Radion Evropa e Lirë në kushte anonimiteti, në mënyrë që të tregojë për diskutimet që janë zhvilluar brenda administratës.
Megjithatë, dy muaj më vonë, Skripal është shtrirë në spital, në gjendje kritike, pasi ishte helmuar me Noviçok.
“Ka qenë e qartë se ata nuk e kanë parë me seriozitet mesazhin”, ka thënë po ai zyrtar për REL-in.
“Të gjithë kanë qenë jashtëzakonisht të zemëruar. Ky gjë ka dëmtuar pikën kyçe të takimit të janarit”, ka thënë zyrtari. “Për shumë njerëz, kjo ka nënkuptuar se (rusët), do të vazhdojnë të veprojnë kështu, dhe nuk u bëhet vonë se çfarë ndikimi do të kenë këto aktivitete në rrafshin ndërkombëtar”.
Departamenti amerikan i Drejtësisë nuk është përgjigjur në pyetjen nëse Wray është takuar me vizitorët rusë, dhe nëse po, a është ngritur çështja e Kara-Murzas.
Departamenti amerikan i Shtetit e ka përcjellur te CIA – e cila nuk është përgjigjur- pyetjen rreth diskutimet të Pompeos në takimin e janarit të vitit 2018 dhe mënyrës se si rasti i Kara-Murzas, është bërë temë e diskutimit.
Ndërkohë, një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ky Departament nuk ka qenë i përfshirë në takimin e janarit të vitit 2018, mirëpo rasti i Kara-Murzas është ngritur me Ministrinë e Jashtme ruse dhe ambasadën ruse në Uashington “disa herë dhe në disa nivele”.
Ambasada ruse në Uashington nuk është përgjigjur në kërkesën e REL-it për koment.
Padia e Kara-Murzas
Gjashtë muaj pasi ka bërë kërkesë zyrtare, bazuar në Aktin për Informacion të Lirë, Kara-Murza ka paditur Departamentin amerikan të Drejtësisë në shkurt të vitit 2020, duke synuar që ta detyrojë këtë Departament të publikojë dokumentet e FBI-së që lidhen me rastin e tij.
Argumenti që ka përmendur Kara-Murza ka qenë se Departamenti i Drejtësisë në SHBA ka shkelur ligjin amerikan, duke mbajtur dokumentet ku duhet të ketë qasje ai. Më 10 gusht, Departamenti i Drejtësisë në SHBA, ka njoftuar gjykatën se ka identifikuar rreth 400 faqe të “dokumenteve të qasshme” dhe ka pretenduar se mund të bëjë publikimin e tyre fillestar më 15 shtator dhe publikimin përfundimtar më 15 tetor.
Javën e kaluar, pak para publikimit të pothuajse 400 faqeve, Departamenti i Drejtësisë ka njoftuar avokatët e Kara-Murzas se zyrtarët e FBI-së kanë gjetur 1,1000 dokumente shtesë, mirëpo ato nuk mund të publikohen më 15 tetor, andaj i ka kërkuar gjykatës që të shtyjë datën përfundimtare për 15 nëntor.
Avokati i Kara-Murzas i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ata synojnë ta luftojnë këtë shtyrje.
Të dhëna pa përfundime
Dokumentet e ofruara për Kara-Murzan nga Depatamenti i Drejtësisë javën e kaluar, dhe të siguruara nga Radio Evropa e Lirë, nuk ofrojnë të dhëna definitive për asnjërin prej helmimeve të dyshuara.
Si zëvendës i politikanit opozitar rus, Boris Nemtsov, Kara-Murza është sëmurë dhe është shtrirë në spital, në kujdes intensiv dy herë, përgjatë dy vjetëve që ka punuar në Rusi. Për herë të parë, më 26 maj të vitit 2015, pothuajse tre muaj pasi Nemtsov është qëlluar për vdekje, jo shumë larg mureve të Kremlinit.
FBI-ja ka nisur hetim të plotë për të kuptuar detajet rreth dyshimeve për helmim të Kara-Murzas, pak ditë pasi ai ishte sëmurë gjatë një dite pune në Moskë. Një burim, emri i të cilit është redaktuar, i ka dhënë FBI-së mostra, që ka pretenduar se i ka marrë nga Kara-Murza, duke përfshirë një bluzë, veshje të brendshme, fije floku e copëza të thonjve, si dhe asaj “që duhet se ka qenë gjak”, kanë treguar të dhënat.
Këto mostra janë dërguar në laboratorin e FBI-së në Virxhinia për “testim toksikologjik, me qëllim të përcaktimit nëse Kara-Murza është helmuar”, është thënë në një komunikim elektronik të FBI-së, që daton nga 25 qershori i vitit 2015.
Në mesazh është thënë edhe se laboratori i FBI-së është njoftuar se “mostrat kanë volum minimal andaj testimi mund të jetë i vështirë dhe i kufizuar”.
Në grupin e parë të dokumenteve të FBI-së, nuk përfshihet ndonjë rezultat nga laboratori i Virxhinas, rreth shqetësimeve për dyshimet e helmimit të parë.
Mjekët e Kara-Murzas, kanë sugjeruar se sëmurja e tij ka qenë e lidhur me një antidepresant që ka qenë duke marrë ai atë kohë, sipas gruas së tij.
Mirëpo të dhënat mjekësore të Kara-Murzas nga ekipet e mjekëve që e kanë trajtuar atë, kanë thënë se ai vuan nga pneumonia dhe “efekti toksik i një substance të paidentifikuar”, sipas një përkthimi të përfshirë në dokumentet e FBI-së. (Gruaja e Kara-Murzas ka thënë se ai ka vuajtur nga pneumonia në spital dhe është trajtuar me antibiotikë).
Kur Kara-Murza, është përballur sërish me përkeqësim të gjendjes shëndetësore në Moskë, gati dy vjet më vonë, përkatësisht në fillim të shkurtit të vitit 2017, diagnoza e tij zyrtare ruse ka përmendur: helmim me një substancë të paidentifikuar”.
Në atë kohë, gruaja e Kara-Murzas ka qenë gati dhe menjëherë ka pasur mostra të urinës dhe gjakut, për testim të pavarur.
Mostrat e tij të gjakut, flokëve dhe shamisë për nnjë përdorim janë nxjerrë jashtë Rusisë, për t’u dërguar për testim në laboratore të huaja.
Agjentët e FBI-së kanë takuar gruan e tij “menjëherë si ka ardhur në Shtetet e Bashkuara dhe kanë siguruar mostrat…. që ajo ka pasur me vete”, është thënë në padi.
FBI-ja më pas është koordinuar me gruan e Kara-Murzas për të siguruar mostrat “sidomos ato të simptomave të para”, është thënë në të dhënat e siguruara.
Pas përballjes me atë që mjeku i tij në Moskë e ka përshkruar si gjashtë ditë të dështimit të organeve, Kara-Murza është shëruar mjaftueshëm për t’u kthyer në Virxhinia, ku jetojnë gruaja dhe fëmijët e tij, më pak se tri javë pasi ishte sëmurë.
FBI-ja më pas ka testuar sërish mostrat e gjakut dhe urinës në laboratorin në Kuantiko në Virxhnia. Mirëpo sipas të dhënave të kufizuara të javës së kaluar, në urinën e tij janë gjetur vetëm disa nivele të bariumit.
Mostrat e gjakut janë dërguar te një tjetër laborator për konfirmim, mirëpo analizat “nuk kanë gjetur ndonjë substancë helmuese”, është thënë në gjetje.
Një agjent i FBI-së që është ngarkuar me rastin e Kara-Murzas, e ka informuar atë për këto gjetje në janar të vitit 2018, duke përmendur se aktivisti opozitar “është shprehur i zhgënjyer me rezultatet mirëpo ka pasur gatishmëri të lejojë FBI-në që të dërgojë mostrat e gjakut në laboratorin kombëtar, Lawrence Livermore për testime tjera”.
Lawrence Livermore është një prej katër laboratorëve amerikanë, të shpallur nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike, “për kryerje të analizave të mostrave autentike”.
Kara Murza i ka thënë Radios Evropa e Lirë se agjenti e ka informuar atë se mostrat do të dërgoheshin atje.
Komenti i një eksperti të armëve kimike
Radio Evropa e Lirë ka pyetur ekspertin e armëve kimike, Marc-Michael Blum, i cili ka udhëhequr ekipin e Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike në Britani pas helmimit të Skripalit, që të rishikojë dokumentet mjekësore të laboratorëve që ka lëshuar Departamenti i Drejtësisë për rastin e Kara-Murzas.
Blum ka thënë se mostrat e Kara-Murzas nuk janë analizuar për gjurmë të pengues të kolinsterazës, që gjenden në disa ilaçe dhe insekticide, por edhe në armë kimike, sikurse agjenti kimik i periudhës sovjetike, Noviçok.
Mjekët gjermanë kanë zbuluar këta frenues të kolinsterazës në mostrat e kritikut të Kremlinit Aleksei Navalny, i cili është sëmurë gjatë një fluturimi nga Siberia në Moskë, më 20 gusht. Qeveria gjermane ka thënë se Navalny është helmuar me agjent nervor të grupit Noviçok. Noviçoku ka qenë edhe shkaktar i helmimeve të Skripalëve.
Blum ka thënë se raportet mjekësore të Kara Murzas po ashtu tregojnë se mjekët nuk kanë bërë kërkime as për agjentë organofosforë, substancë tjetër që gjendet në armë kimike, si dhe pesticide.
“Unë mendoj se mjekët rusë kanë synuar të kuptojnë se çfarë ka ndodhur me Kara-Murzan, mirëpo përmes qasjes klasike”, ka thënë ai për Shërbimin Rus të Radios Evropa e Lirë.
“Laboratori amerikan po ashtu ka pasur një qasje klasike, goxha konservatore”, ka shtuar mes tjerash ai.
Mirëpo 241 faqet e para në të cilat ka qasje Kara-Murza nuk përfshihet ndonjë referencë për laboratorin Lawrence Livermore.
Steve Wampler, zëdhënës për laboratorin me bazë në Kaliforni, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se gati e gjithë puna që e bën ky institucion për agjencitë e jashtme, rezultatet bëhen pronë e organizatave përkatëse.
“Ky rregull zbatohet për çfarëdo punë që mund të kemi bërë apo jo, për rastin e aktivistit opozitar rus që keni përmendur”, ka thënë Wampler përmes një emaili.
Kara-Murza i ka thënë Radios Evropa e Lirë se “gjithë arsyeja pse më janë dashur këto rezultatet laboratorike ka qenë që të depërtojë në mohimin bindës në të cilin Kremlini fshihet sa herë ndodh diçka e tillë”.
“Secilën herë që ndonjë kundërshtar politik apo gazetar i pavarur, aktivist kundër korrupsionit apo kushdo që shënjestrohet nga helmimet; autoritete ruse ofrojnë sqarim alternativ”.
Në mesin e dokumenteve të FBI-së, përshkruhet edhe takimi i 9 marsit, i vitit 2018, në mes të Kara-Murzas dhe një agjenti të FBI-së në Uashington.
Agjenti ka shkruar se derisa Kara-Murza e ka kuptuar se “analizat e laboratorit të FBI-së kanë qenë pa përfundime, ai është duke shpresuar që në komentet e FBI-së me shkrim të thuhet se rasti i tij po trajtohet si helmim i qëllimshëm”.
Kara-Murza, të cilin ligjvënësit amerikanë e kanë përkrahur gjatë përpjekjeve për të fituar qasje në dokumentet e FBI-së, ka dhënë shenja se mund të përdorë këto lidhje për t’i bërë FBI-së presion për këtë çështje, përmend agjenti në deklaratën e tij.
Kara Murza i ka thënë Radios Evropa e Lirë: Çfarë kam dashur, mbi të gjitha, kanë qenë rezultatet e testeve – mirëpo nëse FBI-ja ka vendosur të klasifikojë substancën specifike, unë të paktën u kam kërkuar atyre të më tregojnë arsyen e përgjithshme të helmimit”.
Mbështetja në Kongres
Rademaker, avokati i Kara-Murzas, ka thënë se ata janë njoftuar vetëm disa ditë para afatit të fundit të 15 shtatorit se Departamenti i Drejtësisë synon të shtyjë publikimin e 1,100 faqeve tjera deri më 15 nëntor.
Kara-Murza, që është shtetas rus dhe banor i SHBA-së, ka krijuar lidhje të ngushta me Kongresin amerikan, i cili e ka mbrojtur vazhdimisht.
Shumë ligjvënës, republikanë dhe demokratë, i kanë shkruar direkt shefit të FBI-së, duke i bërë thirrje që të përfshihet në këtë rast.
Në fillim të vitit 2018, gjatë diskutimeve me ligjvënës amerikanë dhe anëtarë të stafit të Kongresit, zyrtarë të FBI-së kanë dhënë shenja se do të shqyrtojnë mundësinë e publikimit të disa rezultateve, bazuar në disa njerëz të afërt me këtë çështje.
Ata kanë folur për REL-in në kushte anonimiteti sepse nuk kanë qenë të autorizuar për të diskutuar për këtë çështje publikisht.
Mirëpo për arsye të panjohura, FBI-ja më vonë ka njoftuar anëtarët e Kongresit se nuk do ta bëjë një gjë të tillë, gjë që besohet të ketë zemëruar ata që kanë besuar se ky rast duhet të trajtohet më me urgjencë.
Një senator madje ka sugjeruar në një letër dërguar FBI-së se substanca që ka nxitur sëmurjen e Kara-Murzas mund të jetë “klasifikuar” nga agjencia.
Në mesin e kampionëve të Kara-Murzas në Kongres ka qenë edhe senatori i ndjerë, republikani, John McCain, i cili ka vdekur në gusht të vitit 2018.
Një vit më herët, më 2017, McCain i është ankuar përmes një letre Wrayt, duke i kërkuar që rasti të kthehet në prioritet.
McCain po ashtu ka shkruar se beson që të dyja sëmurjet kanë qenë helmime të qëllimshme dhe të motivuara politikisht.
“Është e qartë se Vladimir ka qenë viktimë e në fushate brutale të Putinit për të eliminuar opozitën e tij. Identifikimi i atij kush e ka bërë këtë dhe se si, do t’i ndihmojë Vladimirit për të fituar drejtësinë që e meriton dhe do t’i ofrojë atij një formë të mbrojtjes kundër sulmeve të vazhdueshme ndaj jetës së tij dhe të disidentëve tjerë”, ka shkruar mes tjerash McCain.