Albspirit

Media/News/Publishing

Etleva Shemai, sopranoja e mirënjohur i dedikon libër Shqipërisë

“Nice to meet you Albanien”, një libër unik dhe një dritare për të njohur Shqipërinë në Gjermani, vjen  me firmën e sopranos së mirënjohur shqiptare, Etleva Shemai. Etleva Shemai ka studiuar për kanto në Universitetin e Arteve të Tiranës dhe nga viti 1998 ka shkuar për studime në Universitetin e Muzikës Mainz në Universitetin Johannes Gutenberg me mezo-sopranon Claudia Eder. Një vit më vonë ajo u nderua me çmimin e senatit të Universitetit të Mainz-it. Tashmë Etleva është rikthyer në atdhe pas shumë vitesh, e shoqëruar me djalin e saj Arbër, me të cilin ka vizituar të gjitha qytet e Shqipërisë për të punuar më pas librin për bukuritë e vendlindjes. “Nice to meet you Albanien” ka nisur të shitet në Gjermani, por gjendet edhe online, ndërsa me kalimin e kohës do të bëhet edhe një promovim i tij në Shqipëri. Etleva dhe i biri Arbër, i cili ndonëse i lindur në Gjermani e flet shumë mire shqipen, tregojnë rrugëtimin nëpër Shqipëri, por duke u ndalur edhe tek sakrificat të cilat ata kanë bërë për të arritur deri këtu. Arbri, i rritur në Gjermani e ndjen mungesën e rrënjëve të tij shqiptare.

CMG: Arbër, a mund të na tregoni si e sheh Gjermania Shqipërinë, a e duan kulturën tonë?

Arbër Shemai: Po e duan. Unë jam në qendër të vëmendjes shpesh sepse më pyesin dhe Shqipërinë e njohin bashkë me bukurinë dhe veçantitë e saj.

CMG: Ju keni bërë shumë udhëtime në Shqipëri sepse ju është dashur të shkruani për librin, por cili është qyteti që të la mbresa?

Arbër Shemai: Mbresa shumë të veçanta më la qyteti i Përmetit. Unë atje jam ekzaltuar nga mënyra se si njerëzit na trajtonin, kishte shumë dashuri. Ishte një qytet i vogël, por çdo gjë ishte e ngrohtë, dukej që jetohej mirë. Do ndaj një pasazh të cilin e hasa atë  ditë që qëndrova në Përmet. Unë atje provova një  gliko të veçantë që ata bënin  dhe sapo thashë më pëlqen shumë dhe është shumë e shijshme,  ata nuk u kursyen që të më thonin ta merrja pa paguar, kishin dashamirësi të dhuronin. Kjo nuk më pasuroi mua, por e pasuroi zemrën time, pasi e ndjeva veten si në shtëpi. Më ka surprizuar ky qytet për mirë gjithmonë. Gatimet ishin shumë të mira, por edhe ndërthurja me rëndësinë e natyrës dhe bukurisë së saj e bënte këtë qytet unik. Një tjetër qytet i veçantë është edhe Korça, nuk e di si mund të jetë një qytet kaq i bukur dhe i qëndrushëm, nuk ka ndryshuar asgjë nga ai qytet, i gurtë dhe plot histori. Aty njerëzit tregonin menjëherë gatishmëri për të të ndihmuar edhe kjo është diçka pozitive pasi në Gjermani unë isha mësuar që të mos marr këtë ndihmë që gjeta këtu.  Korça kishte natyre të bukur, por edhe vlera historike, unë nuk e dija për “Shkollën e parë shqipe” e cila ishte në Korçë. Po ashtu edhe teatri apo muzetë, të cilat kishin afreksë historikë mua më mahnitën. Ndoshta nuk e njoh fort mirë gjuhën dhe nuk e orientoj dot veten drejt historisë siç duhet pasi gjuha është shumë e rëndësishme, por e shijova udhëtimin që bëra në Korçë. Për t’u ndalur më pas në qytetin bregdetar të Sarandës, atje gjithçka ishte e bukur, njerëzit, rrugët, qyetet, deti mbi të gjitha. Jam i lumtur që këto bukuri të natyrës ua treguam edhe Gjermanisë. Ata dhe çdokush tjetër duhet të vije dhe t’i shohë nga afër këto mrekulli.

CMG: Etleva, po për ju si ka qenë rrugëtimi drejt Gjermanisë?

Etleva Shemai: Nuk ka qenë e lehtë. Asnjë rrugëtim i këtij lloji nuk ka qenë i lehtë, por ndryshe nga të tjeret unë ika prej artit, doja ta vijoja talentin tim nuk doja të mbetesha pas. Në fakt kam gjetur shumë mbështetje, ndaj do doja t’i falenderoja qoftë miq, shokë, dashamirës që në kushte apo rrethana të ndryshme nuk e mbyllën kurrë derën për mua. Më janë besuar skena të mëdha dhe sot jam kjo që jam falë suportit të treguar nga miq e shokë.

CMG: Si ndodhi që ju u përzgjodhët në këtë projekt që promovon Shqipërinë?
Etleva Shemai: As unë nuk e di ende edhe sot kush më ka sugjeruar, thjesht ma ofruan si gjë dhe unë me shumë dashuri e pranova, sepse lidhjet e mia me Shqipërinë nuk janë ndërprerë kurrë dhe s’ka për të ndodhur ndonjëherë. Ndërsa koha kalon, vitet kalojnë nuk shuhet as dashuria dhe as malli për këtë vend. Se di si ta shpjegoj, por jam ndierë e privilegjuar që jam pjesë e këtij projekti.
Tashmë të gjithë gjermanët mund të lexojnë për ne. Kemi kultura dhe tradita aq të veçanta sa edhe vetë ata habiten kur i dëgjojnë.

CMG: Çfarë ju pyesin më tepër rreth Shqipërisë?

Etleva Shemai: Janë kuriozë dhe kryesisht e spikatin veriun e Shqipërisë si një vend, i cili ja vlen të vizitohet dhe që ka mbajtur më tepër gjallë traditën. Edhe unë vetë e kam ndjerë Shqipërinë time të bukur, më tepër në veri sepse aty, ndoshta prej izolimit apo faktorëve te tjerë është ruajtur me fanatizëm çdo gjë.

CMG: A mendoni se ky libër do të jetë një këmbanë pozitive për turizmin shqiptar dhe që do të ndikojë  te turisti gjerman?

Etleva Shemai: Po e besoj sepse e kanë pritur mirë këtë libër dhe do të ketë ndikimin e tij. Shqipëria ja vlen të vizitohet dhe qëllimi im do të shkojë deri në fund.

Intervistoi: Megi Latifi

Please follow and like us: