Albspirit

Media/News/Publishing

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një ndërmarrje çlirimtare

Dr. Albulenë Halili
Instituti Kërkimor “Maks van der Shtul”
Universiteti i Evropës Juglindore, Tetovë/

(Tri teza)

1. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një ndërmarrje çlirimtare

Në studimet bashkëkohore strategjike gjithnjë e më tepër po zënë vend teori të reja të cilat ofrojnë një kuadër të ri që synon t’i analizojë marrëdhëniet themelore të luftës me politikën në përputhje me traditën e Klauzevicit, sipas të cilit, “Lufta është vazhdim i politikës me mjete të dhunës”. Të rimenduarit e marrëdhënies themelore të luftës me politikën dhe përshtatja me teorinë klasike të Klauzevicit mbi logjikën politike të luftës, përbëjnë qasjet më të reja teorike në fushën e këtyre studimeve dhe jo vetëm. Duke u nisur nga ky kuadër teorik modern, padyshim edhe nga dijet tona, vijmë në përfundim se çdo studim mbi luftën çlirimtare shqiptare të fundshekullit të kaluar, pra luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të fillojë me studimin e logjikës politike të luftës, të cilën e gjejmë te studimi i pararendëses legjitime të saj – Lëvizjes Popullore të Kosovës. Kësisoj, filozofia politike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mund të përkufizohet si vijon – çlirimi nga sundimi serb, irredentizmi përmes republikanizimit të Kosovës dhe bashkimi i trojeve shqiptare me shtetin amë, Shqipërinë, si qëllim i fundmë, i mishëruar në betimin e luftëtarit të UÇK-së, ku artikulohej arsyeja përse ai/ajo do të flijonte gjënë më të shtrenjtë e më të shenjtë – jetën. Në përkufizimin e mësipërm do të veçoja për ta zbërthyer konceptin e çlirimit që është edhe objekt i tezës së parë të kësaj kumtese. Konceptualizimi i çlirimit rri i dyzuar midis individit dhe kolektives dhe pandashëm me përkufizimin e lirisë si një premisë universale, nga njëra anë dhe shtypjes nga tjetri si mohim i kësaj lirie, nga ana tjetër. Filozofia e çlirimit mbështetet mbi të drejtën natyrore të individit dhe grupit të cilit ai i përket, për të qenë i lirë nga çdo zgjedhë. Premisa e parë e UÇK-së ishte çlirimi i tokave shqiptare nga pushtimi dhe sundimi serb.

2. UÇK-NATO ishin në një aleancë të heshtur për çlirimin e Kosovës

Në vitin 1999, kur fushata bombarduese e NATO-s po vijonte, një zyrtar i lartë perëndimor pati deklaruar se “NATO nuk do të kthehej në një forcë ajrore të UÇK-së”. Por si për ironi të këtij qëndrimi, kjo ndodhi. Shumë shpejt u vërtetua se në rastin e Kosovës një luftë ajrore pa atë tokësore nuk mund të siguronte një fitore. Edhe nëse do të arrihej një e tillë, në rastin më të mirë, do të ishte një fitore e Pirros. Serbët kishin vënë në zbatim operacionin “Patkoi”, një projekt të hollësishëm me synim gjenocidal, që u bë publik në prill në vitit 1999, i cili vijonte ta bënte spastrimin etnik në terren pavarësisht prej sulmeve ajrore të NATO-s, madje me intensitet të lartë e të përshpejtuar. Kështu, konsensusi i brishtë atlantik filloi të forcohej. Konferenca e Rambujesë dhe roli i Rugovës në të e përforcoi edhe më shumë këtë bindje. Aleatët transatlantikë ishin bindur tashmë se UÇK-ja dhe ajo çfarë përfaqësonte kjo ushtri përbënte forcën dominuese në terren dhe me përkrahjen më të gjerë popullore, ndaj ishte e domosdoshme të bashkëpunohej me të. Për më tepër, gjatë fushatës së bombardimeve fati i popullsisë së mbetur civile ishte i lidhur me atë të UÇK-së. Kështu, ata vendosën për të kontribuar në një riorganizim, riorientim dhe ristrukturim të UÇK-së i cili do të ndodhte padyshim me ndihmën e kuadrove ushtarakë të Shqipërisë. Pas kësaj kthese lufta për çlirimin e Kosovës u shndërrua në një ndërmarrje të përbashkët çlirimtare UÇK – NATO. Roli i luftëtarëve të UÇK-së në përcaktimin e shënjestrave të bombardimeve ka qenë shumë i rëndësishëm. Por, roli i tyre kryesor ka qenë detyrimi i njësiteve të ushtrisë jugosllave të dilnin në terren të hapur. Këtë e kishte pohuar pas mbarimit të luftës gjenerali amerikan Short, duke thënë se edhe pse NATO nuk ishte aleate zyrtare me UÇK-në, operimi i saj i suksesshëm në terren kishte ndihmuar aeroplanët gjuajtës të mësojnë pozicionet e ushtrisë jugosllave duke mundësuar asgjësimin e tyre. Një nga studiuesit e njohur të marrëdhënieve transatlantike, Stanley Sloan, lidhur me këtë shkruan: “Ringjallja ushtarake e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si forca kryesore luftarake e shqiptarëve të Kosovës, luajti një rol vendimtar në shpërfaqjen e njësiteve serbe nga fshehja, duke i bërë ato më të ndjeshme ndaj sulmeve ajrore perëndimore. NATO, në fund, kishte një komponentë të forcës tokësore në strategjinë e saj, edhe nëse ajo u zhvillua në heshtje dhe me gjysmë zemre”. Gjatë kulmit të fushatës ajrore të NATO-s u shqua sidomos një bashkëpunim i madh midis grupeve të njësive të UÇK-së dhe forcave speciale britanike të cilat, në bashkëpunim me gjeneralët amerikanë që drejtuan fushatën bombarduese, janë meritorët e çlirimit të Kosovës. Ndaj me të drejtë historiani i njohur i Ballkanit, James Pettifer, shkruan: “UÇK-ja ishte gjithçka që NATO kishte”.

3. Intervenimi i NATO-s në Kosovë qe një test për të ardhmen e saj

Krerët e lartë të diplomacisë së ShBA-së dhe shteteve evropiane vendosën, më në fund, që përmes mekanizmit të NATO-s ta ndalonin gjenocidin serb mbi popullin shqiptar në Kosovë. Kjo nënkuptonte që Kosova në vitin 1999 kishte kaluar në instancat më të larta të sigurisë botërore. Për Kosovën ky ishte fillimi i zgjidhjes së një procesi 100-vjeçar. Për herë të parë gjatë historisë pesëdhjetëvjeçare të aleancës mbrojtëse NATO përdori forcën e saj ushtarake në një hapësirë jashtë territorit të saj dhe mbi një subjekt ndërkombëtar. Me këtë NATO doli nga doktrina tradicionale e saj si aleancë e cila ishte e përcaktuar të vepronte vetëm në rast sulmi dhe brenda kufijve të saj. Në rast mosintervenimi në një krizë brenda orbitës së saj, NATO do ta vinte në pikëpyetje vetë ekzistencën e saj si një aleancë e mbrojtjes së paqes dhe demokracisë. Këtë e kishte pohuar dhe senatori Durbin në një seancë dëgjimore në Senatin amerikan në vitin 1999: “Unë besoj se NATO ka një të ardhme. Unë sigurisht besoj se Amerika ka një të ardhme në udhëheqjen e saj në botë. Ne jemi duke u testuar në Ballkan. Unë dua ta kaloj atë provë kështu që shekulli XXI të jetë një shekull i paqes”. Pesëdhjetëvjetori i aleancës transatlantike qe një nga çastet më kulminante të historisë së saj të pas Luftës së Ftohtë. I gjithë Samiti i Uashingtonit, ku edhe u rishqyrtua koncepti strategjik dhe drejtimi i saj në mijëvjeçarin e ri, u përshkua nga zhvillimet në hapësirën ajrore ballkanike, për t’i dhënë fund gjenocidit serb mbi popullatën shqiptare të Kosovës. Koncepti i ri strategjik, i cili u miratua gjatë këtij samiti, i cili u mbajt një muaj pas fushatës ajrore të NATO-s kundër Serbisë, përmbante udhëzimet për përgatitjen e aleancës për sfidat e sigurisë, por edhe për mundësitë e shekullit XXI. Në këndvështrimin global, ndihma e NATO-s për zgjidhjen e krizës në Kosovë luajti rol vendimtar për kthimin e besueshmërisë në këtë organizatë të krijuar për ruajtjen e sigurisë euro-atlantike dhe justifikimin e qellimit të krijimit dhe ekzistencës së saj. Ndërkaq, parë nën thjerrëzën shqiptare, NATO përmes një aleance të heshtur i ndihmoi UÇK-së për ta përmbushur premisën e parë të filozofisë politike të kësaj ushtrie të hedhur në fillim të kësaj kumtese – atë të çlirimit, duke i hapur rrugë edhe përmbushjes së premisës së dytë, krijimit të një shteti të pavarur të Kosovës, gjë e cila, siç e dimë, u bë më 17 shkurt 2008, kur Kuvendi i Kosovës e shpalli Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.

Marrë nga libri: “UÇK – vlerë kombëtare”, botim i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë dhe Institutit Albanologjik të Prishtinës.

Please follow and like us: