“100 vjet muzikë në Korçë” në 80-vjetorin e lindjes së dirigjentit Eno Koço
Koncerti “100 vjet muzikë në Korçë” u shfaq për publikun këto ditë me rastin e 80-vjetorit të lindjes së dirigjentit dhe muzikologut të njohur Eno Koço. Koncerti i Ansamblit të Harqeve me udhëheqës artistik Lorenc Radovanin u dha në skenën e teatrit Andon Zako Çajupi, të Korçës, duke përkuar me 80 vjetorin e lindjes së dirigjentit Eno Koço. Pjesa më e madhe e kompozimeve të luajtura ishin pjesë e krijimtarisë së kompozitorëve të rinj, një pjesë e të cilëve kanë mbaruar Liceun Artistik të Korçës. Për dirigjentin e njohur Koço një koncert si ky, e për më tepër në qytetin e Korçës, origjinën e tij, ishte dhurata më e bukur për artistin. Përgjatë këtyre 100 viteve muzikë, qyteti i Korçës i ka dhuruar vendit kompozitorë që kanë bërë histori në muzikën shqiptare. Dirigjenti i njohur Eno Koço, në këtë koncert në Korçë, u rikthye mes shumë emocionesh, duke treguar për mediat lidhjen e tij me atdheun.
“Vendi më i bukur për mua është Korça, prindërit i kam nga Korça, dashurinë e kam me Korçën, kam shkruar për këtë qytet, edhe pse nuk kam jetuar shumë në Korçë, por tek unë rrjedh gjak korçar. Ne e kemi quajtur ansamblin tonë të këtij qyteti “100 vjet muzikë në Korçë” . Në vitin 1920 Thoma Nasi erdhi nga Amerika dhe krijoi muzikën elitare bashkë me orkestrën, bandën dhe muzikën e tij. Deri në vitin 1925 është ndër periudhat më të arta të qytetit të Korçës, shumë gjëra u krijuan aty, kështu që Korça është pionere e muzikës klasike, muzikës kulte shqiptare” theksoi për mediat dirigjenti Eno Koço.
Ansambli i Harqeve interpretoi në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi” koncertin “100 vjet muzikë në Korçë” nën udhëheqjen artistike të artistit Lorenc Radovani, i cili theksoi:
“Është një mënyrë për të stimuluar krijimtarinë edhe për ta ballafaquar me publikun, për ta vënë në një interpretim, në një performancë dhe ne përpiqemi të jemi sa më koherent me kohën. Pas viteve ’90 ka pas krijimtari, prodhimtari, ka interes, nuk ka gjë më të bukur se të promovosh muzikën tënde, muzikën e vendit tënd, motivet e tua që i flasin audiencës. Publiku reagon shumë më shpejt, kur e ndjen se ka të bëj me genin e ekzistencës së tij”.
Portret i dirigjentit Eno Koço
Artisti Eno Koço ka lindur në Tiranë më 1 prill të vitit 1943 në një familje me tradita muzikore. Ai është nipi i atdhetarit të Rilindjes Kombëtare Athanas Tashko, si dhe i biri i artistes së madhe Tefta Tashko Koços (Artiste e Merituar). Eno është rritur në një familje të njohur artistësh, i ati baritone, ndërsa e ëma soprano lirike. Në moshën 7 vjeçare ai nisi studimet për violinë në Liceun Artistik të Tiranë, më pas në Leningrad dhe u diplomua në vitin 1966 në Insitutin e Lartë të Arteveve në Tiranë. Pas përfundimit të studimeve për dirigjim në vititn 1977, një vit më vonë ai emërohet dirigjet i Orkestrës së RTSH, me të cilën ka zhvilluar aktivitete të ndryshme si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Eno Koço mbrojti Doktoratën me temën “Kënga Lirike Qytetare Shqiptare në vitet 1930”.
Veprat e tij artistike janë të mëdha në fushën e muzikologjisë. Ndër botimet e tij në shqip e anglisht janë traktati “Orkestrimi” një bashkëpunim me Gjon Simonin, një tjetër botim është “Albanian Urban Song Tradition”, e shumë të tjera. Në vitin 1984 ai është dekoruar nga shteti shqiptar me titullin “Artist i Merituar”. Muzikologu Eno Koço ka dirigjuar Orkestrën Simfonike të Kajros, si dhe është atashuar pranë Orkestrës së Operas të Rai-t. Nga viti 1992 ai ka qenë dirigjenti kryesor i orkestrës së Shkollës së Muzikës në Universitetin e Leeds (Angli) për 19 vjet duke drejtuar shumë vepra kryesore të repertorit simfonik dhe vokal, si dhe ka punuar me disa orkestra dhe kore vendase. Për afro dy dekada Eno Koço dirigjoi pranë Orkestrës së Filarmonisë së Leedsit, ka shumë bashkëpunime me Orkestrën e Shkupit, me Filarmoninë e Bukureshtit e të tjera.
Muzikologu Eno Koço, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe “Nder i Kombit”, prej vitesh jeton mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe.
Sava Lena