Albspirit

Media/News/Publishing

Ibrahim Kadriu: ELEGJI DITËS

Do të kalojnë mbas kësaj dite edhe shumë ditë tjera
Në stihinë e të cilave çdokujt do t’i mbetej diçka lakmuese,
Por kjo ditë, të cilën do ta gëlltisë humnera,
Kurrë, kurrë nuk do të mundet të jetë harruese.
Do të vijnë mbas kësaj e kjo do të ikë kah vjetërsia,
Tue mbajtë në shpinë thesin e mbushur me mija rrëfime…
Të cilat ma vonë do t’i bluej e ushqejë historia –
Si ngjarje të rëndësishme të kësaj dite të shkrime.
Do të vijnë mbas kësaj, por kjo nuk do të përsëritet,
Do të mbetet e strukun me rrëfimet me t’cilat u pikturue,
e në ditët e ardhshme, n’fjalë t’botës, kjo ditë do t’rritet:
Do të marrë lloj-lloj gjykimesh të cilat kanë për ta amshua.
Do të vijnë mbas kësaj edhe shumë ditë, javë muaj…
Që ndërkohë këtë bisedë tonën do ta bajnë shumë të vjetër,
Megjithëkëtë këto vargje, që tash në vetmi po i shkruej,
Do të mbesin pjellë e ditës së sotme, e jo e ndonji dite tjetër.
Qershor 1964.
Please follow and like us: