Albspirit

Media/News/Publishing

Liliana Pere: Dëshira Subashi, gruaja ikonë e sportit dhe e drejtësisë

 

 

 

Dëshira Subashi është një emër i mirënjohur në jetën publike e shoqërore në Shqipëri. E lindur në Tiranë dhe e diplomuar juriste, karriera e saj fillon dhe u profilua në një figurë me ndikim publik,  juridik dhe impakt shoqëror e intelektual. E edukuar në nje familje të thjeshtë tiranase, nisi rrugët e jetës me këmbëngulje dhe disiplinë në shkollë, aktive në aktivitetet  shkollore, nga ku u evidentua  edhe  aftësia  për të  vijuar rrugën e sportit të qitjes sportive; spikati me talentin e saj dhe u vlerësua me çmime kombëtare e ndërkombëtare. Ideja se disiplina dhe rregulli, të qëlluarit në shenjë e çuan atë në ëndrën për t’u bërë një juriste e zonja, sepse bota që na rrethon është refleksion i sjelljeve dhe veprimeve tona të drejta ose jo të drejta dhe për ta bërë shoqërinë më të mirë. Kjo aspiratë e fortë i shërbeu asaj të bëhet një intelektuale me individualitet të lartë dhe integritet profesional; e vetëpërgjegjësisë, duke i shërbyer Kushtetutës së vendit të vet. Dëshira asnjëherë nuk u shkëput nga realiteti, por u bë një faktor i ndryshimeve pozitive në politikë, në drejtësi e shoqëri. Me emrin e saj lidhen një mori ngjarjesh e suksesesh. Gjithçka fillon nga këmbëngulja për arritjen e objektivave edhe pse nuk ka qënë një realitet i lehtë për të.  Studimi dhe sporti njëkohësisht ishin dy sukseset e para të objektivit të jetës.

Sporti i qitjes, në moshë fare të re, me shumë përkushtim e lodhje, kultivoi ndjesi se me punë mund të arrish rezultate.  Në vitin 1972 ishte gara e parë ndërkombëtare për të rinj, në Stokholm të Suedisë. Erdhi medalja e bronxit, për rezultatet në kampionatin europian për të rinj. Ky startim ishte një motivim i mirë, që pasoi disa rezultate të larta në aktivitete të tjera ndërkombëtare.  Janë disa dhjetra rezultate te larta në aktivitetete kombëtare që mbajnë tituj për vendin e parë, të dytë e të tretë. Për këto arritje sportive, asaj i  është akorduar titulli “Mjeshtre Sporti”. Po kështu për të njëjtën  arsye ,ajo është mbajtëse edhe e një dekorate “Naim Frashëri klasi III”, nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Në opinion mbahet mend si gruaja ikonë në drejtësi dhe si lobiste e të drejtave të njeriut. Në të gjithë jetën profesionale ka punuar fort për drejtësinë dhe të drejtat e njeriut; është forca dhe guximi, në situatë të lehtë a të vështirë, cilësia e krenaria e saj… Këto cilësi e kanë bërë atë figurë publike të dallueshme.

Televizioni “News 24” në anketën e organizuar “Personazhi i Drejtësisë për vitin 2011”  ka renditur personazh në vend të parë , Deshira Subashi. Gazeta Telegraf në vitin 2015 ka organizuar anketën për figurën e femrës shqiptare “Simbol i jetës aktive publike dhe përkushtimit”. Nga kjo anketë janë përzgjedhur tre politikane, dy biznesmene, dy gazetare dhe tre profesioniste, ndër të cilat një është pikërisht Dëshira Subashi, me dedikimin: ”Profili i femrës së kompletuar si njeri dhe si intelektuale. Një juriste e aftë, kontribuese në hartimin e bazës së legjislacionit shqiptar. Modeli i femrës që ka ditur të veçojë profesionin nga politika, duke respektuar të drejtën per t’u perfaqësuar pa cënuar personalitetin e vetes dhe të femrës si pjesë e shoqërisë, punës, familjes dhe politikës. Ka ushtruar me dinjitet dhe pavarësi të plotë detyrën e lartë të zv/kryetares së KQZ, në momente të vështira për sigurinë e zgjedhjeve të lira. Nuk ka guxuar askush, as nga më ekstremistët kundërshtarë politikë të saj,të përflasin këtë personalitet publik…”.

Gazeta Telegraf, në vitin 2011, në anketën “ Kush janë 10 femrat shqiptare të vitit” ka renditur edhe emrin Dëshira Subashi.

 

Veprimtaria profesionale

 

Në vitin 1978 emërohet në kabinetin e Ministrit të Tregtisë së Brendshme deri në vitin 1988.  Një përgjegjësi dhe një privilegj për jetën profesionale, do ta vlerësonte vetë Dëshira, që ishte fillesa që solli sigurinë për një të ardhme të sigurtë, në figurën e saj. Ishte një privilegj, ishte ndoshta edhe një shans i jetës, që erdhi si vlerësim i emrit të mirë nga rezultatet sportive. Emër i njohur publikisht nga media, për shkak të rezultateve të larta sportive.  Ky moment do sillte ndryshime, sepse pozicioni i detyrës së re nuk mund të lejonte shkëputje afatgjata, për të vijuar rregullisht sportin, siç e kërkonin kushtet e ushtrimit të dy detyrave paralelisht. Ishte moment i vështirë për të, të ndante veten nga ëndra e sportit me detyrën e re profesionale. Zgjodhi këtë të dytën, duke gjykuar se jeta profesionale do të ishte afatgjatë dhe jetësore. Në janar 1988 filloi një detyrë e re, prokurore sektori në Shkodër, pas transfetimit të bashkëshortit Maksim Subashi (ushtarak) në detyrën e komandantit të brigadës.  Ishte eksperiencë e re, e dëshiruar, sepse ishte një shkallë drejt sistemit gjyqësor. Vitet e ushtrimit të kësaj detyre ishin jo të lehta, sepse vendi po hynte në një fazë të re të ndryshimit politik. Shkodra, aso kohe, ishte vatër e nxehtë në ndryshimet politike dhe duhet të ushtroje profesionin me ligjet e sistemit të shkuar. Kujdesi, mprehtësia dhe eksperienca bëri të mundur ushtrimin e kësaj detyre me korrektesë dhe vlerësim. Dëshira dallohej midis kolegësh për komunikimin korrekt. Komunikimi korrekt ishte një nga vlerat dalluese në punë e shoqëri, të saj. Ishte viti 1992, kur sërish, për shkak të transferimit të bashkëshortit të saj në Tiranë, Dëshira u emërua gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.  Vetëm për një vit në këtë gjykatë, erdhi ndryshimi. Në vitin 1993 u emërua gjyqtare në Gjykatën e Apelit. Vite të vështira për drejtësinë, sepse legjislacioni nuk përputhej me ndryshimet politike. Mungonte eksperienca e vendimeve unifikuese , por në çdo rast Dëshira Subashi me personalitetin e saj bashkëpunues me kolegët ia ka dalë. Në këtë detyrë ka ndjekur të gjitha kualifikimet dhe eksperiencat ndërkombëtare, kryesisht në çështjet penale, ku shteti ka planifikuar.  Në vitin 2000 ajo kandidoi për të marrë detyrën e anëtarit të KQZ-së.  U votua nga Konferenca Gjyqësore, duke qënë në renditje e para, por nuk u miratua si anëtare e KQZ-së, në vendimarrjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Vazhdoi punën e gjyqtares së Apelit, por nuk hoqi dorë nga kjo kërkesë.  Në vitin 2003, në një vakancë të krijuar në KQZ, tentoi sërish. Sipas ligjit zgjedhor, iu drejtua me një kërkesë Partisë Socialiste, e cila e mbështeti, duke e propozuar si kandidate për anëtare të KQZ-së, në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.  Në vitin 2003 e fitoi detyrën e anëtares së Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. Ishte vendimarrje e bërë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, sipas ligjit zgjedhor të kohës. Me mbarimin e këtij mandati, u rizgjodh në një mandat të dytë nga Parlamenti; njëkohësisht u zgjodh zv. Kryetare e këtij institucioni me një mandat 4 vjeçar. Tashmë një përgjegjësi e lartë për të. Kërkohej vendimarrje kolektive për të çertifikuar votën e popullit , sipas Kushtetutës, Kodit zgjedhor dhe akteve të tjera që nxirrte ky institucion. Ndonëse Këshilli i Lartë i Drejtësisë bëri përzgjedhje sipas ligjit, ndodh një reagim i ashpër politik nga opozita e kohës. Fillimisht u duk se kishte të bënte me një debat politik , por shpejt, ky debat filloi të marrë përmasa ndaj një institucioni të pavarur të Drejtësisë, ku kërkohej ndryshimi i vendimit dhe emrimi i një kandidature të propozuar nga forca politike në opozitë.  Ishte një situatë tepër e vështirë; ishte periudhë zgjedhore. Protesta ndaj KQZ-së në qendër të Tiranës dhe pranë zyrave të KQZ-së me etiketime të padenja, ndaj Dëshira Subashit dhe ish Kryetarit të KQZ-së, si një presion për t’u vetëlarguar nga detyra. Kërkohej “balancim politik” i KQZ-së… Opozita shantazhonte… Presidenti i Republikës z. Alfred Moisiu i angazhuar për zgjidhjen e konfliktit, por konflikti vazhdonte. Vetë presidenti deklaronte dorëheqje… ish zv/Ministri i Drejtësisë deklaron publikisht “ Moisiu le të japë dorëheqjen”;  “Nuk mund të ndërhyhet dhe të diktohet mbi një organ të depolitizuar si KLD”; ish zv. Kryetar i KLD-së deklaron se, vendimi i KLD-së është ligjor.

Media çdo ditë fillonte me këtë çështje. Çështja kaloi çdo instance, në debat u përfshi edhe parlamenti. Opozita kërkonte prishjen e vendimit të KLD-së; mazhoranca qëndronte fort se KLD-ja zbatoi Kushtetutën. Në këtë diskutim pati nga mazhoranca vlerësime shumë pozitive për figurën morale e profesionale të Dëshira Subashit. Dhe meqënëse çështja nuk po gjente zgjidhje politike, figura të rëndësishme të jetës publike reaguan, për të bërë një ndikim drejtëpërdrejtë tek Dëshira… Nisi kështu, me një situatë shumë të fortë politike, puna në këtë institucion, për Dëshira Subashin. Çdokush mendonte se Dëshira Subashi do të tërhiqej nga detyra. Interesit të mediave Dëshira i përgjigjej qetë, shkurt dhe prerë. E vendosur për të kryer detyrën e rëndësishme, edhe pse jo në kushte normale. Shumë shpejt me vendimarrjet e saj në çështjet zgjedhore spikati me personalitetin dhe drejtësinë. Mandati i dytë për Dëshira Subashin, solli një tjetër moment jo të lehtë. Ishte viti 2011, vit zgjedhor për zgjedhjet vendore. Në fillim të këtij viti, në Shqipëri pati ngjarje të pazakonta. Nga një protestë e opozitës së kohës , mbetën të vrarë nga Garda e Republikës katër shtetas… Kjo situatë ndikoi në fushatën zgjedhore. Vështirësi pune në organizimin dhe nxjerrjen e akteve nga KQZ-ja. Të gjitha rrugët e mundshme u përdorën për të ndikuar që vendimarrja e këtij institucioni të mos kishte ndikime politike.Ishte pothuaj e pamundur. Ndaj saj presione të të gjitha llojeve, por pa rezultat, sepse tashmë Deshira kishte fituar të gjithë besimin në punën e saj.  Gjatë gjithë kohës së punës në KQZ , Dëshira ka qënë një figurë e hapur me median. Ka shkruar rreth 150 artikuj , intervista dhe dhjetra intervista televizive.

Ndërkombëtarët që ndiqnin me interes proçeset zgjedhore për gjithçka kërkojnë Dëshirën. Aftësia profesionale, aftësia e një morali pozitiv të gjykuari dhe të vepruari, guximi për të bërë publike të drejtën… janë ato tipare që e kanë bërë Deshira Subashin një figurë të vlerësuar publike. Në 31 dhjetor 2013 përfundoi ky mandat. Pas përfundimit të mandatit, Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë kishte parashikuar kthimin në detyrën e mëparshme të anëtarëve të KQZ-së. Dëshira Subashi nuk u kthye gjyqtare në Gjykatën e Apelit, vetëm për pengesa politike të kohës. Prej disa vitesh endet gjyqeve, për të kërkuar të drejtën… Edhe pse padrejtësisht ajo nuk qëndroi heshtur. U angazhua në formacione të shoqërisë civile. Shpejt u bë pjesë e Fondacionit “Nermin Vlora” që në objekt të veprimtarisë kishte promovimin e grave të shquara. Me këtë angazhim nuk kurseu kontributin publik për drejtësinë dhe legjislacionin zgjedhor.

 

Tituj, vlerësime

Në shkollë të mesme, në vitin e tretë, 1968, ka filluar të aktivizohet me qitjen sportive; në vitin 1972 ka patur si aktivitetin e parë ndërkombëtar kampionatin europian për të rinj, në Stokholm të Suedisë ku fitoi çmimin e tretë. E më pas në të gjithë aktivitetet kombëtare ka patur vlerësime. Në vitin 1975 u dekorua nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me “Dekoratën Naim Frashëri klasi III”. Po këtë vit ka fituar edhe titullin “Mjeshtre Sporti”. Me punën dhe formimin e saj ka sjellë në shoqëri edhe modelen e një juristeje me integritet moral profesinal dhe politik dhe punon në dobi të gjithë shoqërisë. Karriera e saj u zhvillua duke punuar dhe guxuar. Dashuria për profesionin dhe përkushtimi për familjen, natyra e saj strikte guxonte të nxirrte në pah anët që fuqishëm rritnin zhvillimin e saj ndër vite.

Por çfare vihet re në drejtesi?  Vihet re një drejtësi e vonuar. Një drejtësi e vonuar është drejtësi e mohuar. Askush nuk i jep zgjidhje kësaj çështje prej shumë vitesh.

Një këndvështrim i shkurtër

Prej disa vitesh drejtësia në Shqipëri ka humbur kredibilitet besueshmërie në perceptimin e publikut. Besueshmëria tek sistemi i drejtësisë është një tipar madhor i saj, në një shtet demokratik. Drejtësia është e anatemuar fort, veçanërisht vitet e fundit. Drejtpërdrejt mbi drejtësinë kanë rënduar paragjykimet për vendimarrjet e tyre, shpesh të ndikuara politikisht, më së shumti në dëm të interesave të shtetasve.

Këtë e tregoi edhe  reforma në drejtësi, e cila nisi si një reformë që nuk do të kishte ndikimet e mëparshme politike, por politika tregoi se nuk heq dorë lehtë nga drejtësia. Sot politika ka treguar qartazi se nuk ka hequr dorë nga emrimet në drejtësi dhe institucionet e drejtësisë vuajnë mungesat organike dhe për rrjedhojë volumi i çështjeve të pagjykuara rritet, duke i kthyer këto gjykime si proçese të parregullta ligjore, që përbëjnë edhe shkelje të drejtave të njeriut.

 

Please follow and like us: