Albspirit

Media/News/Publishing

“ERDHA TË NDAJ ME JU GËZIMIN E LIRISË SË RIFITUAR”

“ERDHA TË NDAJ ME JU GËZIMIN E LIRISË SË RIFITUAR”
30 vjet më parë, Papa Gjon Pali II vizitoi Shqipërinë
Një moment i paharrueshëm, jo vetëm për katolikët por për të gjithë shqiptarët, në mbarë trojet e tyre amtare, e për komunitetin tonë të Amerikës
Në 25 prill 1993, Papa Gjon Pali II u bë i pari papë në histori që vizitoi trojet shqiptare. Sa kapriçoze e mizore mund të jetë historia, ku një vend kaq afër Vatikanit mbeti për aq gjatë aq larg.
Ky është një vend ku Shën Pali predikoi krishtërimin kur Roma ende nuk e dinte se çfarë ishte krishtërimi. Nga këto troje dolën të paktën katër papë, e ku në mesin e shekullit 15 shumëkush shihnin shpëtimin e krishtërimit.
Sa ironike që për gati gjysëm shekulli përpara vizitës së papa Gjon Palit, katolikë nga e mbarë bota mund të udhëtonin e të vizitonin Sheshin e Shën Pjetrit dhe Vatikanin, por jo katolikë shqiptarë që banonin “një të hedhur guri” larg përtej detit.
30 vjet më parë kohët kishin ndryshuar. Komunizmi në Shqipëri ishte rrëzuar. Dyert e botës e të lirisë ishin hapur.
Isha dëshmitar i asaj vizite dhe jam i sigurtë që ka mbetur e paharrueshme për ata që e kanë përjetuar. Ishte e mbushur me simbolika e momente historike dhe e meriton të kujtojmë disa prej tyre.
NJË PAPË SI ASNJË TJETËR
Papa Gjon Pali II është një gjigand i historisë. I pari papë joitalian pas disa shekujve, ai vinte nga Polonia, nga ana “e gabuar” e perdes së hekurt që ndante Europën që nga Lufta e Dytë Botërore. Ishte një sinjal, apo ishte vetë ndryshimi? Zgjedhja e tij Papë në 1979 bëri një përshtypje të jashtëzakonshme jo vetëm në Poloninë katolike por kudo në Europën Lindore.
Vetëm pak muaj më vonë në 1980 shpërtheu në Poloni fenomeni Solidarnost”. Vetëm një dekadë më vonë komunizmi kishte rënë në mbarë Lindjen. Shqipëria u bashkua në dhjetor 1990, me “trenin e fundit”.
Është interesant që për herë të parë që dëgjova për të isha praktikisht fëmijë, nxënës shkolle. Në Televizionin Shqiptar u tha se Papa mallkoi edhe njëherë tjetër Shqipërinë.
Natyrisht pyesja, pse vallë e mallkoi? Më dukej e padrejtë. Më dukej edhe e çuditshme se në regjimin komunist ku gjuha shqipe ishte nën mbikqyrje po aq sa vetë njerëzit, fjala “mallkoj” apo “mallkim” nuk përdorej më. Mallkimet ishin budallallëqe që i bënin njerëzit dikur, kur besonin në Zot e në bestytni, kur besonin në magjitë e hoxhës dhe përrallat e priftërijve.
Ishte interesant që diktatura e nxori nga dosja e fjalëve të dënuara për t’ia vënë në gojë Papës fjalën mallkim.
Kuptohet shumë vite më vonë mësova se çfarë kishte thënë Papa vërtet. Mesazhin e tij të dashurisë për popullin shqiptar, për lëngimin e njerëzve pa liri, për krimet ndaj njerëzve të fesë.
Nuk ishte një rastësi. Si kurrë më parë, shqiptarët në SHBA kishin nisur një fushatë ndërgjegjësimi për priftërinjtë katolikë shqiptarë të dënuar në komunizëm. Synimi ishte që të mos harrohej emri dhe vepra e tyre, që të mbahej gjallë shpresa e lirisë.
Por edhe nisma e tyre mund të ishte e lidhur me zgjedhjen Papë, të Kardinalit Vojtila nga Polonia, që e dinte personalisht historinë e dhunimit të të drejtës së besimit.
HISTORIA KALOI NGA TROJET TONA
Trojet shqiptare janë një nga vendet e para në botë ku filloi të përhapej e praktikohej krishtërimi. Dihet që Letrat Romakëve janë shkruar nga Shën Pali nga Iliria. Përpara se të krishtërimi të zinte rrënjë në Romën e Vatikanit, ai kishte zënë në trojet tona.
Fillimet e krishtërimit janë shekuj të larë me gjak nga mizoria kundër besimtarëve të parë në Romën e lashtë. Gjithshka do të ndryshonte kur me Perandorin Kostandin, një ilir nga Provinca e Dardanisë, i lindur në Nish.
Në vitin 313, Perandori Kostandin u konvertua si i krishterë dhe lejoi praktikimin e fesë në mbarë Europën romake. Ai themeloi edhe qytetin që mori emrin e tij, Kostandinopojën (Stambollin e sotëm), që u bë kryeqyteti i ri i Romës së lashtë, dhe kyeqytet i Perandorisë Bizantine deri në 1453.
Në 2013, serbët e morën peng festën e 1700 vjetorit të Ediktit të Milanos që e ktheu krishtërimin në fe botërore, duke e paraqitur Kostandinin sit ë kishte qenë serb, meqë sot Nishi është pjesë e Serbisë, ndonëse sllavët erdhën në Ballkan tre shekuj më vonë, e serbët filluan të identifikohen qartë vetëm 5 shekuj më vonë.
Edhe grekët pretendojnë se nëna e tij ishte greke, ndonëse dihej që Kostandini nuk fliste asnjë fjalë greqisht, ndaj nuk mund të ketë qenë gjuha e nënës së tij. Gjatë jetës ai promovoi kolegët dardanë e ilirë, duke dëshmuar se ku i kishte rrënjët. Jo për herë të parë shqiptarët humbën një rast për t’i treguar botës të vërtetën e tyre të historisë, ashtu si e dimë dhe e njohim ne.
NUK NDODHI DOT NË KOHËN E SKËNDERBEUT
I vetmi rast në histori që një Papë donte të udhëtonte në trojet shqiptare ishte kur Papa Piu II u bë gati të vinte në Durrës në krye të një koalicioni forcash të krishtera europiane që do t’i vendoste nën udhëheqjen e Skënderbeut.
Siç dihet ai vdiq në Ankona, ku po priste të bëhej gati flota me të cilën do të vinte në Shqipëri.
Në shkrimin e tij kushtuar 25-vjetorit të vizitës së Papa Gjon Pali II, Tonin Mirakaj, figura e shquar e komunitetit katolik shqiptaro-amerikan, shkruan se sipas kronikave dhe interpretimeve historike, qëllimi i Papa Piut II ishte “të ngrinte në Kardinal, Imzot Paul Engjellin, që ishte në atë kohë kryeipeshkëv i Durrësit, dhe të kunorezonte Gjergj Kastriotin, Skënderbeun, si komandant i forcave të krishtera anti otomane”.
Çfarëdo që të kishin qenë synimet e tij, vdekja e frymëzuesit dhe organizatorit të kësaj kryqëzate, e shpërbëu atë pa nisur mirë, duke e lënë, si thotë Fan Noli, Skënderbeun vetëm përballë hakmarrjes së Sulltan Mehmetit II.
RINGRITJA E KISHËS KATOLIKE NË SHQIPËRI
Të dy ngjarjet janë të lidhura jo vetëm sepse bëjnë fjalë të dyja për vizitën e Papës në Shqipëri. Papa Gjon Pali II nuk erdhi në Shqipëri për ndonjë kryeqëzatë e koalicion lufte, përkundrazi, ai u prit me dashuri nga shqiptarët e të gjitha feve dhe vizita e tij simbolizoi rikthimin e të drejtës së fjalës dhe besimit në vend.
Kushdo që e ka dëgjuar fjalimin e tij, në Sheshin Skënderbe (pata fatin që të isha mes qindra-mijëra shqiptarëve të mbledhur), ai e filloi duke përshëndetur personalisht me emër kryepeshkopin e Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare dhe kryemyfiun e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Por, ndërsa Pal Engjëlli nuk u bë dot kardinal, Papa Gjon Pali II shuguroi gjatë një ceremonie historike në Shkodër, katër ipeshkvë shqiptarë: Imzot Rrok Mirdita, Imzot Frano Ilia,Imzot Zef Simoni, dhe Imzot Robert Ashta.
“Me Shugurimin e tyre”, shkruan Tonin Mirakaj, “formohej zyrtarisht Hierarkia e Kishes Katolike Shqiptare, qe nuk ekzistonte nga viti 1967”.
Në vitin 1967, filloi lëvizja për shkatërrimin e xhamiave, kishave, teqeve, e mbarë kulteve fetare në Shqipëri. Në vitin 1976, Kushtetuta e re e shpalli Shqipërinë të vetmin vend atesit në botë.
U ndaluan jo vetëm të gjitha praktikat dhe shprehjet fetare, por edhe emrat fetarë e çfarëdo shprehje spiritualiteti. E drejta për të mos besuar në fe është pjesë e lirisë së shprehjes dhe mendimit, por ndalimi i fesë dhe besimit është e kundërta e kësaj lirie.
Në fakt, liria e besimit ishte e para që mbërriti në Shqipëri. Në 4 nëntor 1990, u mbajt një meshë e vogël në Varrezat e Rrmajt në Shkodër. Një javë më vonë, një meshë e vërtetë masive e publike u mbajt në Shkodër, nga Don Simon Jubani. Pjesëmarrësit ishin nga të gjitha besimet fetare, ashtu si ndodhi edhe të premten që vijoi në 15 nëntor 1990, kur u kryen lutjet e para publike në Xhaminë e Plumbit, nga Hafëz Sabri Koçi.
Me rrëzimin e komunizmit në Shqipëri, filloi edhe rindërtimi i strukturave fetare, përfshi edhe ato të Kishës Katolike.
Në shkrimin e tij, Tonin Mirakaj, jep një kronologji ngjarjesh historike të kohës që përfshijnë edhe momentet kyçe të rivendosjes së marrëdhënieve me Kishën Katolike.
Në 20 mars 1991, viziton Shqipërinë një Selia e Shejtë (Vatikani) i kryesuar nga Nënsekretari i shtetit per marrëdhenie shtetërore, Imzot Celli.
Më 18 Maj 1991, delegacioni i dyte i Selisë së Shejtë, i kryesuar nga Ipeshkvi Arberesh i Lungros, Imzot Erccole Lupinaci. Themelon “Veprimin Katolik” dhe “Karitasin Shqiptar”.
Për ironi, udhëheqësi i parë shqiptar që pritet në audiencë nga Papa Gjon Pali II, në korrik 1991, është një socialist: Kryeministri Ylli Bufi, por drejtues i një qeverie koalicioni ku përfshihet edhe opozita, Qeverita e Stabilitetit.
Në 7 shtator 1991, rivendosen marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Vatikanit dhe emërohet Nunc i parë apostolik, prelati indian, Sh.T. Imzot Ivan Dias, që do të shërbejë, deri në riorganizimin e plotë të Kishës Katolike të Shqipërisë, si kryeIpeshkv për të gjithë Shqipërinë.
Vetëm pak javë pas zgjedhjeve që sollën për herë të parë rrëzimin e komunistëve nga pushteti, në maj 1993, Presidenti Sali Berisha, pritet nga Ati i Shejte në Vatikan.
Natën e Krishtlindjes, më 24 dhjetor 1992, Nunci Apostolik Imzot Ivan Dias jep lajmin e vizitës së ardhshme të Papa Gjon Palit II.
“JU FALENDEROJ TË DASHUR SHQIPTARË, PËR KËTË BIJË TË TOKËS SUAJ”
Një nga protagonistet kyçe të kësaj vizite ishte padyshim Nënë Tereza, murgesha e famshme shqiptare, fituese e Çmimit Nobel për Paqen, bamirëse me famë botërore.
Nuk kishte rast më të mirë për të dëshmuar përpara botës identitetin e saj shqiptar, sesa t’i bashkohej Papa Gjon Palit II në këtë vizitë. Ishte hera e hera e parë dhe të vetme, që Nënë Tereza shoqëronte Atin e Shenjtë në një viziztë ndërkombëtare.
Sikur të mos mjaftonte simbolika, fjalët e Papa Gjon Palit II ishin vërtet domethënëse: “Nuk mund të mos përshëndes një njeri shumë të përvuajtur që ndodhet ne mes nesh. Është Nënë Tereza e Kalkutes. Të gjithë e dinë nga vjen, cilië është Atdheu i saj. Atdheu i saj është këtu. Edhe në kohët e izolimit të plotë të Shqipërisë ishte kjo rregulltare e përvuajtur, kjo shërbyese e më të varfërve që përҫonte në tërë botën emrin e të Atdheut tuaj. Në personin e Nënë Tërezës, Shqipëria është nderuar gjithmonë… Ju falenderoj, sot, në emër të Kishës Universale, ju falenderoj të dashur shqiptarë, për këtë bijë të tokës tuaj”.
Pas një mungese të gjatë, e penguar nga regjimi komunist për të parë nënën e motrëne e saj përpara se të mbyllnin sytë, Nënë Tereza kishte vizituar tashmë disa herë Shqipërinë. Kishte ngritur një degë të Urdhërit të saj të Bamirësisë dhe kishte nxitur e frymëzuar ringjalljen e besimit në Shqipëri.
Nga të gjitha rikthimet, ky do të mbetej për të më i paharrueshmi.
SHQIPTARO-AMERIKANËT, PROTAGONISTË DHE PJESËTARË TË FESTËS KOMBËTARE
Mes 4,000 vetëve që arritën të merrnin pjesë në meshën historike të Papa Gjon Palit II në Katedralen e rindërtuar të Shkodrës ishin edhe mbi 200 shqiptaro-amerikanë, shumica e të cilëve të ardhur nga New York-u me rrethe dhe pjesa tjetër nga dy kishat katolike në Michigan.
Shqiptaro-amerikanët e New York-ut kishin një arsye më shumë për të qenë aty. Një prej tyre, Imzot Rrok Mirdita ishte zgjedhur për të drejtuar Kishën Katolike në Shqipëri dhe ishte një nga katër meshtarët që po shugurohej si ipeshkv. Ishte kurorëzimi i një jete të gjatë kushtuar fesë, atdheut dhe komunitetit në SHBA.
Shumë prej këtyre shqiptarëve kishin pasur mundësi ta shihnin e takonin Papa Gjon Palin II në Vatikan, në disa udhëtime dhe takime që kishin bërë në vitet 1980. Komuniteti katolik shqiptar ishte rritur e forcuar jashtëzakonisht shumë në dekadën e fundit dhe do të luante një rol të madh në rritje në lobimin për Kosovën dhe të drejtat e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, për demokracinë në Shqipëri etj.
Në një kapitull, të librit më të fundit të Dom Lush Gjergjit, ““E kam në zemër popullin tim shqiptar”, kushtuar Nënë Terezës, Vehbi Bajrami botues i gazetës “Illyria” përshkruan lidhjet e ngushta të shqiptarëve të Amerikës me Nënë Terezën, në vite kur ajo nuk lejohej të vizitonte Shqipërinë. Është një dritare në veprimtarinë shumëdekadëshe të shqiptaro-amerikanëve për të mbajtur lart pishtarin e lirisë dhe të atdhetarisë.
Krenaria e tyre ato ditë, kur shihnin bashkë me Atin e Shenjtë edhe Nënë Terezën, në një meshë të madhe, në Katedralen e Shkodrës, nuk kishte kufi.
Mos disa kardinalëve që kishin udhëtuar me Papën ishte edhe një që shqiptarët nga New York-u e quanin si të tyrin. Eminenca e Tij John O’Connor, Arqipevshk i New York-ut, njeriu që kishte dhënë aprovimin për Kishën Zoja e Shkodrës që shqiptarët po ndërtonin në Hartsdale e që do të bëhej një qendër e madhe e shqiptarisë në SHBA.
I GJITHË KOMBI, PAVARËSISHT NGA KUFIJTË
Vizita ishte në shumë kuptime edhe një lloj bashkimi kombëtar. Pjesëmarrësit sin ë meshën në Katedralen e Shkodrës, ashtu edhe në mitingun e madh të Tiranës, ishin nga të gjitha trojet shqiptare. Kishin ardhur nga Malësia, nga Mali i Zi, Kosova, Lugina e Preshevës, Shkupi etj.
Në mënyrën më të bukur simbolike, një pjesë e rëndësishme e programit artistik në Shkodër i ishte lënë Korit të Prishtinës, nën drejtimin e maestroes Gjergj Kaqinari, si na kujton edhe bashkatdhetari ynë Tonin Mirakaj.
Në kuadrin e kësaj vizite, Papa Gjon Pali II u takua edhe me Presidentin e Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në një tjetër moment me rëndësi të madhe historike.
Ishte një kohë e rëndë për Kosovën që jetonte praktikisht në ligjin marcial. Pjesëmarrja e saj me anë të këtij kori, e me besimtarë e meshtarë në kmëtë festë të madhe kombëtare ishte një fitore e vogël por e madhe. Vetëm përmendja e fjalës Prishtinë e Kosovë në atë kontekst ishte pjesë e përpjekjes së madhe të kohës për ndërkombëtarizimin e kauzës së lirisë.
“MIRËSEVJEN KUSH VJEN NË EMËR TË ZOTIT”
Vizita, mesha në Shkodër, dhe manifestimi në Sheshin Skënderbe, në Tiranë ishin një moment bashkimi kombëtar edhe sepse qindra mijëra shqiptarë të të gjitha feve e besimeve u derdhën rrugëve për të pritur mikun e madh e për të festuar si komb.
Vetë Papa Gjon Pali II i kujtoi Hafëz Sabri Koçit takimin e tyre në Assissi të Italisë vetëm pak kohë më parë.
Drejtuesit e rinj të vendit që kishin dalë nga zgjedhjet të lira dhe demokratike, gjithashtu përfaqësonin mbarë Shqipërinë edhe në përkatësinë fetare. Presidenti ishte mysliman, kryeministri ortodoks dhe kryetari i Kuvendit, katolik. Ky i fundit, Pjetër Arbnori, kishte vuajtur gati çerekshekulli në burgjet komuniste. Një tjetër zyrtar, Ministri i Jashtëm Zef Sereqi, ishte gjithashtu katolik.
Presidenti Sali Berisha mbajti fjalën në emër të autoriteteve shqiptare, duke i uruar mirëseardhjen Papës, “në tokën e Skënderbeut, në dheun e Nënë Terezës si edhe të qindra e mijëra martirëve të krishterimit”.
“Ju vini ne Shqipëri sot me misionin e Shën Pjetrit për t’u kujdesur për besimtarët dhe Kishën Katolike, të cilët u martirizuan ne Kalvarin që lamë pas”, tha ndër të tjera Presidenti duke i premtuar bashkëpunim të plotë nga shteti shqiptar.
Ndërsa Nunci Apostolik, Imzot Ivan Dias, i cili tashmë e kishte njohur mirë Shqipërinë dhe kishte mbetur i mahnitur me harmoninë ndërfetare që kishte gjetur, i tha Atit të Shenjtë: “Me gëzim të madh e gjithë Shqipëria katolike, ortodokse dhe muslimane Ju presin sot. Shqipëria e njohur si tokë e mikpritjes, e besës dhe burrërisë…Mirësevjen, kush vjen ne emer te Zotit”.
E NISI DUKE PUTHUR TOKËN SHQIPTARE
Vizita zgjati vetëm një ditë, por ishte e mbushur me momente e emocione të pashlyeshme.
Avioni i kompanisë Al-Italia që transportonte Papën mbërriti në Aeroportin që më vonë do të merrte emrin Nënë Tereza, në Rinas, në orën 8:30 të mëngjesit.
Gjëja e parë që bëri Papa Gjon Pali II sapo mbërriti: u ul dhe puthi tokën shqiptare.
Sa afër dhe sa larg kishim qenë për kaq shumë vjet. Për kaq shumë shekuj. Po perdja ishte ngritur, kohët kishin ndryshuar përgjithmonë. Pavarësisht nga gëzimet e zhgënjimet e ndryshimit dhe epokës së re, kjo vizitë e këto momente do të mbeten të shenjta.
Më shumë se dy dekada më vonë, një tjetër Papë, Françesku i Parë, do ta fillonte jetën e tij të re pikërisht me vizitën e tij të parë si Papë në Shqipëri. Nëse Papa Gjon Pali ishte i pari në gati 400 vjet që nuk ishte italian, Papa Françesku ishte i pari që nuk ishte nga Europa. Bota papritur ishte bërë më e vogël, më e afërt, më e prekshme. Sidomos për shqiptarët e Shqipërisë. Pas kaq vitesh izolimi e mbyllje e mbytje në vetvete ishin ribashkuar me Europën, me botën, me njerëzimin. Ishin ringitur në këmbë.
Ashtu si në kohën kur kishte shprehur dashurinë e tij për Shqipërinë dhe ia kishin përshkruar si mallkim, Papa Gjon Pali II solli mesazhe dashuri, shprese, e besimi: “Ty, o popull shqiptar, ta drejtoj përshendetjen time të ngrohtë dhe plot dashuri! I dimë të gjithe ngjarjet e trishtueshme që të është dashur të perballosh, veҫanërisht në 25 vitet e fundit. Vite të një mundimi të vërtetë, pasojat e të cilit, koha me vështirësi do të arrijë t’i fshijë dhe Europa dhe gjithë bota nuk duhet t’i harrojnë”.
Papa Gjon Pali II e dinte se për çfarë fliste, ndonëse diktatura komuniste në Shqipëri nuk kishte shoqen në Europë, pak njerëz në Vatikan e në Perëndim, mund ta kuptonin si ai botën që kishim lënë pas.
Ai tha se ishte aty për të ndarë me ne “gëzimin për lirinë e rifituar”.
E mbaj mend si sot atë mbasdite të ngrohtë pranvere në Tiranë, në Sheshin Skënderbej të stërmbushur me njerëz, me atmosferë feste e çlirimi. Shqipëria një komb i lashtë, me rrënjë të thella në histori, ndjehej më e re se kurrë.
(Shkrimin për këtë temë, shkruar me rastin e 25 -vjetorit të kësaj vizite historike, nga zoti Tonin Mirakaj, mund ta lexoni këtu: http://www.illyria.com/e-filloi-duke-puthur-token-shqiptare/ – E falenderoj autorin për kujtesën dhe kujdesin e treguar në vite ndaj gazetës “Illyria” dhe edukimit të brezave të rinj të komunitetit shqiptaro-amerikanë.)
Please follow and like us: