Cikël poetik nga Avdush Canaj
GOCAT
Gocat
piktura në vargje
si poezia
gocat.
Poema lirike
djemtë, poema
me fizarmonikat
e pëllumbave.
DETI MËRZITET PA MUA
Ju shkoni
unë s’e lë detin
as pulëbardhat.
Deti mërzitet pa mua
pulëbardhat s`fluturojnë më.
I thoni gjyshit
Me një yll
mbledh guaca bregut.
Kur të kthehem
do t`ia sjell
krejt këngët e detit
në një fletore peshqish.
RINËN E NJOHA NË KALABRI
Kurrë pa e parë Rinën
E njoha në Kalabri
Më mall i kishte sytë e bukur
Qau nga gëzimi
Ti je vallai im
Pastaj u përqafuam
Si në baladat e rinjohjes
Sofrën me dashuri e shtroi
Në shtëpinë e saj buzë detit
Gotat cakërruam
Me kangjelet e De Rades
Dritaret qenë hapur
Të vinte ndonjë pëllumb
Përtej kaltërisë së madhe
Në kopshtin e saj pashë
Lulekuqet e çelura të mëmëdheut
E qeleshen e Arbrit
Në ballë të dhomës
Kur u ndamë
Më porositi si motër
Të puth për të një gur
Në Krujën e Gjergjit.
DO TË RRITEM NESËR
Ndodhi diçka e bukur
serioze, interesante
në kopshtin tim
dallëndyshja
puthi pëllumbin në degë
dega nga gëzimi
u vesh me lule
I tregova nënës
e nëna më puthi
siç puth pranvera zogjtë e vet
Rrit i thonë kësaj, dritëz
Do të rritem nesër
do të rritem një pëllëmbë
t`i them diçka të bukur
në vesh Anilës.
NË TOPLICË
Gurët e varreve
thërrasin në Toplicë:
Kthehu te Molla!
Lisat
thërrasin në Toplicë:
Mos e harro Mollën!
Pragu
thërret në Toplicë:
Të pret Molla e Kuqe!
ME TY JAM MË I BUKUR
Me ty
jam më i bukur,
më i ëmbël.
Me ty
princ i lumtur Dardanie.
Mos ma lësho dorën.
Vjen kanjusha e plepit,
na çon te reja e bardhë
për akullore sa kodra!
Mami s`na bërtet,
as babi,
unë ia tregoj
ëndrrën e mirë.
Nga andej me parashutë,
si pelërinë e liqenit,
lëshojmë akullore
për fëmijët e gjithë planetit.
Nëse ma lëshon dorën
S’mund të ndodhë mrekullia.