Albspirit

Media/News/Publishing

Fatos Arapi: ODHISEU

Fatos Arapi në Akropol, Athinë 1979.

 

Përse më ikën kështu nga sytë atdheu?

 

Kam kaq gjëra për t’i treguar Penelopës,

kaq punëra më presin në Itakë.

 

Nxijnë erërat e përziera të qiellit,

egërsohen detet përposht.

Anija ime përplaset, goditet ishujve,

shkëmbenjve të padukshëm nënujorë.

 

Vetëm plori s’e humb kurrë drejtimin.

Syri im zhbiron horizontet,

Itakën zbulon…

Veç, sapo shfaqet fiston i tokës së dashur,

ishulli nisë të lëvizë, largohet, më humb.

Si një gjethe e fatit zhduket ujrave.

Në lodrën e tyre gjeratoret e përpijnë.

 

Nga sytë më del atdheu, më humb.

 

Dhe kur anija ime dërrmohet brigjeve të huaja,

nëpër jerm, nëpër gjysmëvdekje dëgjoj,

zërat e zogjve të detit që cijasin nëpër ajër

e më spërkatin

me emrat e Penelopës e të Çirçes.

 

 

Please follow and like us: