Odise Kote: Digjet gjithë natën…
Gjysma e ditës Don Kishot, gjysma tjetër Sanço Panço,
Ky lloj plehu i brendshëm digjet ngadalë gjithë natën.
Në mëngjes diçka e re, e freskët, na duhet doemos,
Që të mos vdesim nga e vërteta, e shpikim artin.
Tragjik brenda vetes, komik që e përqeshin e tallen,
Bluhet si në mokër njeriu, plojë e fatit të fshehtë.
Këtë ves nuk e mund dot e qeshura, gjoja e pafajshme,
Skenave të mëdha të botës, as lozhat e teatrove.
Kur gjykimi errëson nga fantazi e endacakut kalorës,
Një impuls prakticizmi brutal na kundërvihet egër.
Ç’të bëj njeriu? Të heq dorë nga pasioni ëndërrimtar,
Duke u shndërruar në praktik, përllogaritës, i tjetërt?