Albspirit

Media/News/Publishing

Nurie Emrullai: DUHET TË JETË DASHURI

Në atë vend jetojnë veç dy mjellma të bukura e me pendë të bardha që kur hapin krahët e tyre i kanë aq të mbushura me yje shndritës, sa gjithë ajo bukuri dhe peshë që mbajnë nuk i lejon as të notojnë diku larg, as të bashkohen me të tjerët, sepse u duhet shumë hapësirë për të shtrirë trupin e bëshëm, ato kujdesen për njëra-tjetrën dhe kanë premtuar që çdo ditë t’ia falin njëra-tjetrës, duke mësuar e dashuruar çdo tekë që e kanë. Nëse arrijnë që këtë jetë ta jetojnë deri në fund bashkë, jetën tjetër do të jenë përsëri së bashku dhe Zoti u ka premtuar se atëherë do të jetë momenti i tyre për të sjellë në jetë fëmijën e tyre të parë i cili do të jetë sigurisht dy herë më i madh se sa prindërit e tij.

Por, kjo jetë u mbetet veç për të vërtetuar dashurinë e tyre. Por, për ta vërtetuar këtë, Zotit i duhet t’i vendosi në provë, njëra prej tyre do të largohet më herët, dhe kushti është që mjellma tjetër nuk duhet të vdesë nga ndjenja e vetmisë. Nuk duhet për asnjë moment të mendojë po sikur të kisha bërë zgjedhje tjetër në jetë, po sikur t’i kisha shikuar perëndimet e diellit nga një anë tjetër e liqenit, ku ndoshta dikush, sigurisht dikush do t’ia kishte pikasur krahët e gjata, që sa herë që i hap duken si një zemër e madhe që duket si një ishull engjëjsh. Por, po nuk ia doli që të jetojë deri në fund e vetme, që do të thotë të mos vdesë nga pikëllimi, nuk do të mundet që kurrë më të takohen. Edhe sikur në ndonjë jetë të shikohen dhe të kuptojnë se sa të ngjashëm janë njëri me tjetrin dhe do të kuptojnë se janë të fundit e llojit të tyre, apo dhe të kenë vegime se dikur kanë qenë bashkë, Zoti te dashuria është i palëkundur.

‒ Dhe ne Iris jemi rojtarët e tyre, ‒ thotë Bluja. Duke parë mjellma në breg të detit, e fusim në ëndërrime për të shpresuar se dikur jeta e saj do të jetë ndryshe. Veç kështu do të gjejnë dashurinë. E di, një ditë sapo të bëj ca para, kam për të të çuar atje. Atje ku kemi shtëpinë tonë.

Edhe unë njëherë kisha vegime, përderisa po flisnim në telefon. Ne arrinim që të dilnim përej këtij dimensioni hapësinor, dhe shëtisnim larg kësaj bote, shmangnim përditshmërinë tonë, urinë tonë, nata nuk ishte më veç natë, nuk ishte e zezë, ajo ishte blu e errët, ku yjet e vegjël mbulonin trupin tonë sikur lëkura të ishte na ishte veshur tërë xixa, njësoj si balerinët që bëjnë gara në rrëshqitjet me akuj.

Ashtu edhe ne rrëshqisnim në atë hapësirë të pafundme, që më në fund nuk kufizoheshim me një orë, me një datë, me një trup a me dy sy. Shtresat tona ishin të pafundme dhe unë e ndieja se si futesha nëpër zgavrën e shpirtiti tim, si në ndonjë tunel të gjatë, ku zëri i Blusë më udhëhiqte, dhe ne shpesh takoheshim përpara derës së një kishe. Po më udhëheq njësoj siç po bën edhe kur bëjmë dashuri. Më tha ta shoh një portë të madhe prej druri, që shënon hyrjen brenda manastirit.

‒ Është Kisha e Bardhë që ndodhet në qytetin e mjellmave. Gjendemi në një kohë shumë të largët, mos u frikëso.

Unë qëndroj mbështetur pas dere, me trup isha brenda kishës, ndërsa kokën e mbaj mbështetur mbi derën e drunjtë, e cila ishte e lyer me një blu që tashmë vende- vende dukej si e larë, dhe përreth saj ishte e zbukuruar me disa gurë të çmuar që i kishin të gjitha llojet e ngjyrave brenda tyre. Bluja qëndronte përballë meje dhe kërkon që të futet brenda. Pragu është ai që na ndan. Pragu është kapërcim. Unë kam mbështjellë kokën me një shami ngjyrë blu të tejdukshme, dhe balluket e verdha nën shami ishin shpërndarë dhe më kishin zënë një pjesë të syve. Dhe po buzëqeshja aq fort, sa shikoja pasqyrimin e vetes përballë meje dhe po lutesha që kjo ndjesi të më ruhej brenda shpirtit.

Vetëm kaq arrita të shoh dhe më pas u zgjova nga alarmi që më zgjonte për të kaluar mëngjesin me Blunë. Ndonëse kemi tentuar që të futemi dhe herë të tjera, por ato çaste kanë qenë shumë të vagullta, të paqarta, sa shpesh nuk e di nëse janë veç imagjinata ime, apo ajo që realisht kam parë. Kam arritur të shoh shtëpinë ku thotë Bluja se ku kemi jetuar, sipas përshkrimit të tij. Është një shtëpi që trupi i saj ndodhet në ujë, është e bardhë, me dy kate dhe me dritare që vështrojnë përballë mjellmave. Unë jashtë kisha tavolinën e shkrimit dhe në anën tjetër Bluja kishte këmbalecin ku pikturonte këtë herë përdorte nuancat e ngjyrave të qiellit e të detit. Një çast jemi ndalur përpara mjellmave dhe kemi ecur dorë për dore. Ndërsa ata rrinin midis liqenit dhe puqnin kokat me njëra-tjetrën dhe derisa rrezet e fundit të diellit hidhnin shtat mbi liqen, në breg krijohej një lloj shenje, që për njerëzit është shenja më e lartë e të shprehurit të dashurisë, një zemër gjigande që mbulonte dhe shtëpinë tonë.

Please follow and like us: