Ku duket balta e kolltukut më e ëmbël se mjalta e shkencës? Në Shqipëri
Shaban Murati
Pyetini në mitingjet elektorale dhe në konferencat e shtypit të krerëve të të dy partive kryesore: Përse pothuaj të gjithë kuadrot e përzgjedhura me dorë nga Fakulteti i Mjekësisë dhe nga Fakulteti i Shkencave, të cilët Komiteti Qendror i Partisë së Punës i dërgoi për studime e specializime të kushtueshme në Francë, kur u vendos regjimi demokratik pothuaj të gjithë lanë si me urdhër katedrat dhe profesionet akademike dhe i pamë presidentë, kryeministra, ministra, deputetë, ambasadorë dhe funksionarë shumë të lartë të të dy partive kryesore politike, që alternuan njera-tjetrën në pushtet në këto 32 vjet. Morën me vete në kolltuqet e pushtetit vetëm titujt dhe gradat akademike, që u kish dhënë partia, dhe që nuk harronin t’i vinin mëngjes darkë në firmat e tyre në çdo shkresë burokratike zyrtare të kolltukut, dhe për 32 vjet në kolltukun demokratik nuk shkruan më një gërmë, pa le më një fjali, për profesionin për të cilin Partia Nënë i pat dërguar dhe specializuar në Paris. Misioni i tyre kishte qenë kolltuku dhe sistemi i ri i kolltukut. Mos i pyetni përse disa ministra të njera-tjetrës ishin ministra te të dy llojet e qeverive postkomuniste, vetëm kujtoni proverbin latin se njera dorë lan tjetrën dhe të dyja lajnë fytyrën.
Alumnit e Parisit iu bënë rrodhe në formë rrjeti kolltukut pushtetar dhe Shqipërisë për mbi 30 vjet me rradhë dhe asnjeri nuk iu kthye më katedrave të dikurshme, edhe pasi mbushte mandatin e kolltukut. Nuk u kuptua asnjëherë nëse Komiteti Qendror i PPSH i dëgoi në Paris rekrutët e Fakultetit të Mjekësisë dhe të Fakultetit të Shkencave për t’i përgatitur për shkencat apo si fidanishte e isteblishmentit të pushtetit të ardhshëm postkomunist. U takon historianëve dhe filozofëve të së ardhmes të përcaktojnë nëse misioni i tyre në regjimin demokratik ishte mision i Partisë së Punës apo mision i Francës.
Po të ishte gjallë Çajupi do të këndonte: Ku duket balta e kolltukut më e ëmbël se mjalta e shkencës? Në Shqipëri!
Please follow and like us: