Laura Olldashi: E patitulluar…
Nga cikli “Gjendje”
Më duhet të shkruaj, e bllokuar në një karrige nga dhimbja e kurrizit. Është një distancë ndryshe, e një tjetër lloji, nga unë tek faqja e shkrimit. E duhura për këtë moment. Po të afrohem ose të largohem, sikur edhe pak, dhimbja shtohet njëlloj si fletët e fizarmonikës që hapen. Klithma që lëshon muzika i ngjan dhimbjes sime. Përpara se të ulesha në këtë karrige isha e shtrirë në krevat. Duart e fizioterapistit kujdeseshin për vertebrat e mia. Me sa fuqi që kishin, ushtronin forcën mbi kockat e mia. Bërtitja nuk kishte zë, por lot. Mbasi ma shtrëngoi fort dhe e lidhi pjesën e sipërme të trupit me fasha të bardha, vetja mu duk pak Frida (*), e cila, shtrirë në krevat, pikturonte. Ndërsa kurrizi im si vazhdim i karriges, pret duart që të shkruajnë. Kjo distancë nuk më lë t’i afrohem shkrimit e ta fus në barkë. Nuk më lë të përdor metodat e mia, për t’ia nxjerrë ujin mendimit, deri në fund. Por ka edhe si sot, që gjërat mund të jenë ndryshe, si herë të para, por aspak të fundit. Derisa të zgjasë dhimbja e kurrizit, do të mundohem të kem një metodë për të shkruar edhe në këtë pozicion kaq qesharak. Energjia magnetike, këmbëngulëse e vështrimit tim do të bëjë që gërmat të vijnë tek unë, duke më thënë që, shkëlqimi i shikimit tim, nuk i bën të shohin asnjë rrugë tjetër, përveçse atë të neoneve të mi.
Nuk më kujtohet kur e kam përdorur për herë të fundit këtë lloj vështrimi intensiv?
E kam fjalën kur kam pasur përballë një qenie frymore, e cila i ka ngjarë njeriut.
E kam fjalën për atë, ku sytë e mi janë ngjitur mbi sytë e dikujt tjetër dhe kanë ndezur shkëndijat.
Kanë kaluar kohë. Njerëzit nuk të shohin më në sy. Vështrimi i tyre bie në cepin e tavolinës gjatë konsumimit të një gote verë; të harruar dhe pa shije.
Kisha marr kohë për të studiuar cepin e tavolinës, për të kuptuar nëse kishte diçka interesante apo frymëzuese për ndonjë bisedë, por muzat që kisha gjetur ishin të zhveshura, pa luledielli metaforash. Pastaj isha munduar t’i tërhiqja vëmendjen me diskutime të rëndësishme. I kisha parë fiks, me sytë e mëdhenj, por guximi i tyre nuk kishte qenë aq i famshëm. Vazhdonin të bënin vrima cepit, tashmë, pa ngjyrë të mobiljes.
Më kujtohet dikur. Kanë kaluar vite. Gjendesha në një pazar “vintage”. E pohoj, nuk më pëlqejnë pazaret, sepse konfuzioni m’i lodh nervat. Ose, ndoshta, unë vetë jam e lodhur nga njerëzit, të cilët, kur i kam parë nuk i kam njohur dhe, kur i kam njohur, nuk i kam parë më. Jam e lodhur edhe nga hija e hijes së tyre. Nga gumëzhima e llafeve që grimcat e hapësirave të largëta m’i afrojnë. Besoj se kam qenë shumë e re kur kam shkuar në këtë pazar të vjetër. Bëhej të dielën e fundit të çdo muaji. Në krahë të kanalit, rruga e ndarë në dy pjesë. Nga njëra anë kalonin njerëzit dhe nga ana tjetër kafshët. Pastaj, atë ditë kishte ndodhur diçka krejt ndryshe dhe unë nuk e di pse isha gjetur në xhiron e kafshëve. Që nga momenti i parë kur kisha shkelur aty, më kishin parë dhe më kishin ndjekur me sytë e tyre nostalgjikë. Kur kishte ardhur momenti që të kaloja urën për të shkuar në pazarin e njerëzve, një qen më kishte shoqëruar deri në fund të rrugës me sy të ngazëlluar nga lotët. Kisha pas një dyshim të madh atëherë, e cila më cungon akoma. Ndoshta i përkisja atyre prandaj gjeja kaq vështirësi të rrija me njerëzit. Sidomos tani që nuk i takoj, sepse, kur i takoj, nuk më shohin në sy dhe nuk dinë më të komunikojnë.
Oh! – dëgjohet rënkimi ime.
Pa dashje e shtrij kurrizin më shumë seç duhet dhe dhimbja më depërton ngado. Për të mos e lëvizur, një mik i vë thika imagjinare rretheqark kornizës së gjoksit tim. Duke menduar që, po të përkulem pak më shumë, thikat do prekin e do më therin trupin.
Fjala “ther”.
E kisha dëgjuar javën që shkoi, kur po vendosnim ku të hanim një picë: “Më mirë mos shkojmë tek ky restorant, sepse dje therën njërin”.
Nuk e di pse në mendje më zbritën thertoret me mure të lyera me gëlqere të bardha. Në tavan ishte varur litari që mbante të varur kafshën. Koka poshtë dhe pikat e gjakut binin mbi tokë. Ashtu do ta kishin therur edhe atë. Një problem e kisha. Po të kisha shkuar të haja aty, këmbët do t’i kisha varur mbi supe për të mos shkelur pikat e padukshme të gjakut që kishin kulluar dhe mbushur dyshemenë.
Oh!
Tani nuk është më dhimbja e kurrizit, por gërvishtja e thikave imagjinare që prek vertebrat e mia.
Njerëzit bëhen idealiste kur duan të zgjidhin hallet e të tjerëve. Përgjigjet që japin, janë ato që duan të dëgjojnë, sikur vetë të jetonin në një botë idealiste. Ose ndoshta mendojnë që unë jetoj në një botë idealiste. Ka mundësi të jetë idealiste bota ime, sepse, e vetmja ditë që nuk punoj, është e sotmja, ku jam e bllokuar nga dhimbja, e cila bën që të zbresë nga trutë e mia forma të çuditshme mendimi.
Trupi im i ngujuar në mes majave të thikave. Trupi që nuk mund të spostohet as majtas dhe as djathtas; as përpara dhe as mbrapa. Kështu, në atë kohë, të cilën nuk e kam jetuar, do ta kenë lidhur, poshtë një dielli të madh. Një dorë burri, i cili është armiku im, e torturon, duke e lënë në qendër të rruzullit; në mes të ditës, në mes netëve të gjata. Atëherë, kur nuk ndjej asgjë dhe kur trupi është gati të paloset dhe të theret nga thikat, uji i një kove më sjell në vete. I ftohti më shkund dhe shoh armikun tim që mbyll telefonin dhe e fut në xhep. Ulet në tokë për të shkulur thikat një nga një. Më liron duart nga litarët dhe hedh trupin tim mbi supet. Eci me këmbët e tija. Pastaj më mbështet mbi një dyshek uji dhe kujdeset të më mjekojë plagët që i krijoi ai vetë. Çuditem nga ngrohtësia që më japin gjestet e tij.
Përse i njëjti person është mik dhe armik?
Kush pjesë e tij më do?
Kush pjesë e tij më urren?
Në ç’linjë toke të trupit ekziston kufiri që ndan të mirën dhe të keqen tonë?
Ai sikur t’i kishte dëgjuar të gjitha pyetjet e heshtura, më thotë që lufta mbaroi. Qeveritë e mendimeve tona kanë vendosur paqe.
Më flet si të tjerët, pa më parë në sy dhe unë dyshoj në formën e kuadratit që do ta kualifikoj.
Fjalët apo vështrimin?
Vështrimin e ka mbi studimin e cepave të tavolinës.
Ndërsa fjalët përsërisin çfarë i kishte thënë zëri i telefonit: popujt tanë nuk janë më në luftë (sikur unë të isha individ i një tjetër Atdheu).
Prandaj nuk i jam armike. Mund të më përkëdhelë, mund të dashurohet me trupin tim.
Ajo pak ngrohtësi, apo gjesti i paqes, mund ta bëjnë mik?
Ato thika rreth e qark kufirit të trupit tim mund ta bëjnë armik?
Po sikur të më shoh në sy, në brendësi të tyre. Sikur ta kuptojë dhimbjen, vetminë, sikur të mi heqë thikat nga kurrizi, mund edhe ta dashuroj.
Si ta shpjegoj që ekziston mundësia se mund të dashurohem me të?
Nga rënia e diellit në kokë, nga dhimbja e kurrizit, apo sepse do më shoh në sy, sepse do më flasë gjatë, apo nga mungesa e njerëzve dhe asgjësimi i dashurisë?
Në një moshë fare të re, jo rastësisht, kisha përfunduar në një pazar ku kafshët kishin zëvendësuar njerëzit!
Edhe tani që jam ulur në një distancë të konsiderueshme nga gërmat, dyshimet janë të shumta. I shoh gjatë me një vështrim këmbëngulës, dhe, jo të gjitha bëhen të miat. Ka nga ato që nuk bashkëpunojnë, paçka që më shohin në sy dhe prekin dhimbjen time. Energjia ime nuk i çmend por i bën të logjikshme njëlloj si ky moment:
– Je ulur në një karrige, tek një kohë që duket sikur nuk lëviz, me një dhimbje të tmerrshme kurrizi.
Ajo dhimbje ka ndaluar dhe ndryshuar ritmin e ditës. Ndoshta nuk e ke kuptuar, por ke kohë që ishe ulur dhe prisje ndryshimin. Edhe dhimbja është sinjal.
Për të mos lëvizur nga aty apo për t’u larguar nga ai vend, ku ke qënë ulur deri dje?
Sy të drejtuar nga porta. Njerëz hyjnë. Njerëz dalin. Kalendari shfleton ditët. Këto mund të jenë minutat e fundit të ekzistencës. Koha është gangrena e jetës. E ha ngadalë. Herë nga jashtë dhe herë si krimb nga brenda. Dita vjen. Koha është, por jo më trupi.
Pra, mund të ulesh përjetësisht në një karrige si sot me një dhimbje.
Mund të presësh përjetësisht ardhjet. Mund të mos lëvizësh dhe mos të largohesh kur ai të godet me thika shpinën dhe ta mbush embëlsisht gotën e verës me pika të ngadalshme loti. Do t’i paguash një nga një llogarinë e konsumimit të jetës kamarierit, i veshur me rrobat e Zotit (kush ta tha që jeta është e jotja). Mund të marrësh karrigen dhe të kërcesh tek një sallë bosh, me hijen tënde. Mund të rrish aq shumë me të, sa do të behët monotone dhe do ta zhveshësh nga vetja e të rrish me veten, pa veten (kjo është ngordhja).
Mund të ndodhë që trupi të mos vdesë por të bëhet skilet (e quajnë agoni). Shumë gjëra mund të ndodhin ulur në karrige, në mesin e një salle, e veshur për festë, në pritje të fatit tënd që në fund të fundit është vdekja.
Dhe kush është kuptimi?
A do të kujtohemi për mburrjet, diplomat e varura në banjot e social-it?
Fytyrat tona, mrekullisht të bukura, por sa pak njerëzore: pa dhimbje, pa rrudha, pa lotë?
A do të kujtohemi si e groposëm njëri-tjetrin; thikat, arrogancën, indiferencën që ngulëm në emër të poezisë, Atdheut, dashurisë? (jo në emër të Lirisë sepse jemi skllevër të lirë).
Por, kur e humbëm dinjitetin dhe si një nga këto ditë kërcejmë një valle turpi me individin që na jep me pikatore ajrin dhe tallet me varfërinë tonë?
Ndërsa, barkë-plotët e botës boshe, moderne, ngjyejnë kafshatën në tepsinë e Atdheut për të pasur dy gramë “favore” dhe me pecetë të hekurosur, të bardhë si drita, fshijnë me kujdes buzët.
***
U bë vonë. Po bie nata, edhe mbi këtë fotografi, tashmë e vjetër. Kamerierët e kanë edhe një shtëpi. Ndoshta dhimbja e kurrizit do të bëhet e durueshme. Do zbres me ngadalë nga këtu. Përpara se të dal, do i fik të gjitha dritat.
E premte, 28 prill 2023.
Please follow and like us: