Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Lufter Xhuveli: Dy fjalë për veprën letrare të Shefqet Mekos

 

 

 

 

Novelën “Viza Amerikane”, të shkrimtarit shqiptaro-amerikan Shefqet Meko do të përpiqem ta shikoj, të pa shkëputur nga vepra letrare e tij në tërësi, por si një pjesë të saj, karakteristikat e së cilës, përshkojnë gjithë kolanën letrare të Shefqetit.

E njoh Shefqetin prej më shumë se 40 vjetësh, qysh kur ai ishte student dhe me shpatullat e tij akoma të njoma, si Kryeredaktor i gazetës “Studenti i Bujqësisë”, për disa vjet, e drejtoi atë dhe e mbajti në këmbë në një nivel të admirueshëm. Puna e deshi që me të të krijoja lidhje më të afërta se me studentë të tjerë. E mbaj mend si tani, student nga më të mirët e universitetit, shtatshkurtër, esmer, me flokë të zes të krehur anash, gjithnjë duke ecur me nxitim. I zgjuar, tip shoqëror, aktiv, i vëmendshëm, me sy të lëvizshëm dhe jo rrallë herë me një humor të këndshëm.

Pas një përvoje të gjatë si gazetar dhe përjetimit shumëdimensional të ëndrrës amerikane, talenti i tij i lindur, i mpleksur më tharmin amerikan dhe natyrën e tij veçanërisht punëtore, nuk mund të qëndronte më vetëm brenda kufijve të gazetarisë, publicistikës, apo të një tregimtari të thjeshtë. Vullkani që ziente brenda tij, kishte ardhur koha të shpërthente dhe Shefqet Meko, brenda dhjetë vjetëve, arriti të shkruajë dhe të botojë disa vepra letrare gjurmëlënëse.

Ka disa dekada që shqiptarët po emigrojnë masivisht në vende të tjera. Në këto 33 vitet e fundit, nga Shqipëria kanë emigruar për në Evropë, Amerikë e vende të tjera mbi 1.5 milionë shqiptarë. Fatkeqësisht hemoragjia e largimit vazhdon. Në këtë konfigurim demografik, ëndrrat, brengat  dhe shpresat e shqiptarëve janë shpërndarë gjithandej. Zor se gjen ndonji nga ne që të mos i ketë ikur në emigrim ndonjë nga të afërmit e tij. Ballsami shërues i ikanakëve tanë, jo rrallë herë shoqërohet me vuajtje dhe zhgënjime. Skenat e dramave të dhimbshme jetësore, zhvillohen tashmë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Amerikë, Gjermani, Itali, Francë, Angli apo në vende të tjera.

Pikërisht, ky realitet i ri përbën shtratin ku po ngjizet, po rritet e lulëzon një letërsi e tipit të ri, pothuajse e munguar deri më sot, letërsia e emigracionit shqiptar, zhanër në të cilën, Shefqet Meko, me botimet e tij, si një përfaqësues i mirëfilltë, po zë një vend nderi.

Shkrimet e Mekos janë plot jetë e realizem, plot me të vërteta që burojnë sa nga realiteti shqiptar, nga përvoja e tij personale si bir i Pretushës dhe Pogradecit, si student, si gazetar apo aktivist shoqëror, aq edhe nga përvoja në Amerikë. Në librat e Mekos rreh pulsi atdhetar i shprehur në krahasimet dhe kontrastet pa fund midis Amerikës dhe Shqipërisë. Në rreshtat e atyre librave, jo vetëm në librin e titulluar “Këtu dhe atje”, përshkruhet psikologjia e emigrantit që edhe pse mund të ketë shumë vite në atë kontinent të largët, e kthen kokën parreshtur nga Shqipëria dhe fatet e saj.

Në këtë udhëtim nuk janë të paktë edhe ata që të pushtuar nga dilema “të rri apo të mos rri”, kanë zgjedhur të rikthehen në vendin ku kanë lerë. Nëpër faqet e librave të Mekos, përmes personazheve emigrantë (biseda e Kristo Kovaçit me Xhelo Lakrorin te romani “Saga përtej Atlantikut”, faqe 44-45), gjen të latuara dhe të mpleksura me njera-tjetrën, gëzimet dhe brengat, shpresat dhe zhgënjimet, mëdyshjet dhe konfliktet shpirtërore, sa dëshirën për t’u larguar nga Shqipëria, aq edhe mallin për t’u kthyer sërish në vendin e lindjes, të denja këto për konfliktin shpirtëror të Faustit të Gëtes kur thotë: “Oh dy shpirtra kam në kraharuar, por që të dyja mes tyre nuk kanë të shkuar”.

Në letërsinë brilante të Shefqet Mekos, të shprehur me një stil origjinal, e cila kulmon në romanin e tij “Saga përtej Atlantikut” dhe në novelën “Viza Amerikane”, gjen shpesh alternimin e narracionit me dramën njerëzore, meditimin dhe  përsiatjet me hamendësimet dhe fantazinë, përshkrimet për njerëzit, qytetet, natyrën, me psikoanalizën, kalimin e personazheve nga një gjendje emocionale e gëzuar dhe euforike në zhgënjim dhe dëshpërim, nga evidentimi i virtyteve si rasti i Artan Pojanit te novela “Viza Amerikane”, te hajduti i identitetit të tij Arshim Gatrani, i cili për të marrë vizë dhe nënshtetësi amerikane, me  pafytyrësinë dhe sjelljet kriminale të tij, mendon absurditete dhe kryen njëmijë e një të zeza për interesat e tij të ulta. Meko në tregimet dhe publicistikën e tij letrare, me një nerv qytetar plot atdhetari, i kundërvihet absurditeteve të shumta që po ndodhin në vendin tonë, siç është rasti i betonizimit të skajshëm të Tiranës, i katrahures urbanistikë, dëmtimit apo zhdukjes së “simboleve të qytetërimit shqiptar” siç është zhdukja nga sytë e qytetarëve të saj, i Kullës së Sahatit e shumë të tjera si këto. “Më dhemb kjo katrahurë”, shkruan shkrimtari Shefqet Meko, por siç thotë shkrimtari anglezo- irlandez Oliver Goldsmith (1728-1774) në romanin e tij ‘The Vicar of Wakefield’: “Every absurdity, has a champion to defend it” (Çdo absurditet e ka një kampion që e mbron atë).

Novela “Viza Amerikane” është shkruar me një nivel të lartë artistik. Novela stigmatizon dhe hedh dritë në skutat e errëta të batakçinjve, spekullantëve, hajdutëve dhe njerëzve të degjeneruar, në pislleqet dhe ligësitë e tyre, të cilët pas viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, jo vetëm mbinë si kërpudhat pas shiut, por vazhdojnë edhe sot me një kamuflim të perfeksionuar. Novela përmban në vetvete një apel të fortë për luftën kundër korrupsonit, hajdutllëkut dhe burokratizmit, kundër absurditeteve që si rrjeta merimange kanë mbërthyer shoqërinë shqiptare në të gjitha sferat e saj deri në majë dhe shtyjnë shqiptarët në rrugët e trishta të emigrimit.

Personazhe të tillë si Xhelo Lakrori te “Saga përtej Atlantikut”, Artan Pojani te “Viza Amerikane” apo Mitat Smokthina dhe Visho Tërfili te novela “Ngjyra e Syve” në librin “Diku puthen retë” e plot të tjerë si këta, janë skalitur me kujdes e mjeshtëri mbresëlënëse. Ato të mbeten në mendje sa që nuk mund të harrosh kollaj as prejardhjen e tyre, as karakterin, as historinë e tyre. Ata të bëjnë që të përjetosh bashke me ta fatin e tyre.

Më ka ndodhur disa herë, që i tërhequr nga “pompimi” apo zhurma mediatike, si dhe nga njohja personale që kam patur me ndonjë nga autorët e romaneve të sapobotuara, të kem nisur të lexoj romanet e tyre, por me gjithë zellin tim për të lexuar, i cili akoma nuk është fashitur, disa nga këto libra nuk i kam lexuar dot deri në fund. I lodhur e i mërzitur prej prozaizmit të tyre e tejzgjatjeve të tipit ‘hiq e mos këput’, i kam lënë ato në mes. Kjo nuk më ka ndodhur me librat e Shefqetit, të cilat karakterizohen nga një tërheqje prej ferromonesh në çdo faqe që lexon.

Në librin me tregime dhe skica letrare “I tillë jam”, jepet një tabllo e zgjeruar plot realizëm e jetës së njerëzve të thjeshtë, si te ngjarja mbresëlënëse e tregimit “Dasma e motrës”. Në një tregim tjetër, ai përshkruan tërë ngjyra dhe liston plot dashuri dhe respekt njerëzit e shkolluar apo të ditur të fshatit të tij Pretushë. Në tregimin “Makthi i një burri” jep karakterin fisnik të pedagogut të ditur Aleko Xoxe, të cilin e kemi dashur dhe respektuar të gjithë. Në skicën “Maskarada e tranzicionit”, me një nerv qytetar ai fshikullon vanitetin dhe bëmat e klasës së sotme politike në Shqipëri dhe degradimin e skajshëm të saj, së cilës i janë errur sytë për para dhe pushtet, duke shkelur me këmbë interesat e një populli të tërë.

Te romani, novelat dhe tregimet e tij të shumta, Meko ka derdhur talentin e tij, ka pasqyruar shpirtin e tij qytetar të trazuar. Duke u bërë përfaqësues dhe zëdhënës i shpirtit të emigrantit, Shefqeti Meko me mjeshtëri të veçantë dhe plot ndjenjë, ka përshkruar me dashuri dhe mall të pashuar, vendin e tij të lindjes, Pretushën, Pogradecin, liqenin aty pranë, Malin e Thatë përkundruall, jetën e fshatit, duart me kallo të prindërve dhe bashkëfshatarëve të tij, duke i ngritur lapidar punës së ndershme dhe natyrës së bukur shqiptare.

Së fundmi, dëshiroj të theksoj se sot, ne jemi dëshmitarë, se klubit të shkrimtarëve të vërtetë në Shqipëri, i është shtuar edhe një shkrimtar tjetër, i cili akoma nuk e ka thënë të plotë fjalen e tij. Shpresoj dhe uroj se do të kemi rastin të mblidhemi sërish për të promovuar të tjera vepra letrare të shkrimtarit Shefqet Meko.

Urime Shefqet!

———————

Prof. Dr. Lufter Xhuveli, Profesor Emeritus 

Tiranë, 14 Prill 2023, Hotel Plazza, ora 18.00.

 

 

Please follow and like us: