Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Vlora Obertinca: Shpirti është dashuri…

 “Shpirti është dashuri dhe, kur shpirti, mendja dhe trupi bëhen një dhe operojnë në të njëjtën frekuencë, njeriu përjeton të qenit në fushën kuantike, ku çdo dëshirë mund të realizohet dhe njëkohësisht çdo gjë brenda njeriut ndihet bukur, e ekuilibruar dhe në harmoni”, Dr. Vlora Obertinca.

Trupi i njeriut është gjigant dhe kompleks, i përbërë nga 100 trilion qeliza. Çdo qelizë është entitet më vete, sikurse i tërë trupi i njeriut, sepse secila qelizë përmban të gjitha informacionet që përmban edhe trupi i njeriut. Shkenca dhe zbulimet shkencore zhvillohen çdo ditë. Ne nuk e kemi ditur më herët, por tani e dimë se mendja e njeriut nuk është vetëm pulti komandues, por njëkohësisht është edhe pulti shërues i çdo qelize të trupit tonë. Qelizat marrin urdhrin drejtpërdrejt nga mendja dhe ky urdhër është për t’u ekzekutuar, çfarëdo qoftë ai. Edhe kur ne dëshirojmë të lëvizim një gisht, duhet që urdhri të vijë nga mendja deri të qelizat që përçojnë dhe mundësojnë realizimin e urdhrit për të lëvizur gishtin.

Kur njeriu mendon se është i sëmurë, ky mendim, me automatizëm, aktivizon urdhrin që ai është i sëmurë dhe ky urdhër duhet të zbatohet, duke urdhëruar të gjitha qelizat të sëmuren dhe kështu njeriu beson dhe përjeton një gjendje të tillë.

Por, një mendje që urdhëron sëmundjen, mund të urdhërojë edhe shërimin, sepse e njëjta mendje që ka shkaktuar sëmundjen, mund të shkaktojë edhe shërimin.

Kështu që njeriu mund të japë urdhër nëpërmjet mendjes së tij, që është i shëndoshë dhe i shëruar, atëherë edhe ky urdhër do të ekzekutohet nga qelizat që e marrin urdhrin si të kryer. Qelizat e njeriut janë ushtarët më të devotshëm dhe më të dëgjueshëm që mund të ekzistojnë. Ato janë në gjendje të luftojnë për t’u sëmurur dhe të luftojnë për t’u shëruar. Edhe nëse përfundojnë me vdekjen e tyre, ato qëndrojnë besnike ndaj çdo urdhri që e jep mendja e njeriut.

Aq e fuqishme është mendja jonë!

Fragment nga libri i autores me titull “Vera e shpirtit”.

Please follow and like us: