Dy jetët e shahistit të famshëm, Garry Kasparov
Jeta e Garry Kasparov, që më 13 prill mbushi 60 vjeç, mund të ndahet në dy pjesë: E para është ajo e kampionit të shahut, ndoshta më madhështorja. E dyta është ajo e një aktivisti politik, që pasi u tërhoq nga shahu, luftoi dhe lufton ende për të kundërshtuar regjimin autoritar të Vladimir Putinit në Rusi.
Dy jetët, ajo e kampionit dhe ajo e disidentit, janë të lidhura me njëra-tjetrën, por në të njëjtën kohë janë shumë të dallueshme: si kampion bote në shah, Kasparov u nderua fillimisht nga Bashkimi Sovjetik dhe më pas nga Rusia, ku përfitoi famë dhe pasuri. Si disident, Kasparov u detyrua të largohej nga vendi – sot jeton në Kroaci – u arrestua më shumë se një herë dhe u frikësua për jetën e tij.
Garry Kasparov lindi në Baku, në kryeqytetin e Azerbajxhanit më 13 prill 1963. Babai i tij, Kim Weinstein, ishte hebre, ndërsa nëna e tij, Klara Kasparova, ishte armene. Talenti i Kasparov u vu re që në moshë të vogël. Ai u përfshi në rrjetin e gjerë të shkollave dhe akademive kushtuar shahut në të gjithë Bashkimin Sovjetik.
Në atë kohë, shahu ishte një çështje krenarie kombëtare dhe konkurrencë intelektuale e sportive me Shtetet e Bashkuara. Ndaj lojtarët më të mirë mbështeteshin dhe subvencionoheshin nga shteti. Kur ai ishte shtatë vjeç, Kim Weinstein, vdiq papritur. Në moshën 12-vjeçare Kasparov ishte tashmë një lojtar i njohur në shkallë kombëtare, dhe me këshillën e mjeshtrit të tij të shahut, ish-kampionit botëror Mikhail Botvinnik, ai vendosi të merrte mbiemrin e nënës së tij.
Sepse pasja e një mbiemri hebre si Weinstein mund të ishte një pengesë për karrierën e tij në një vend ende shumë antisemit si Rusia. Kasparov u bë kampion bote për të rinjtë në vitin 1980. Në vitin 1981 ai u bë kampion kombëtar, dhe në vitin 1984 luajti finalen e tij të parë të kampionatit botëror kundër Anatoli Karpov, kampioni i atëhershëm, që po ashtu ishte sovjetik.
Ishte një finale historike. Sipas rregullave të kohës, lojtari i parë që do të fitonte 6 ndeshje pa llogaritur barazimet do të shpallej kampion. Por për 48 ndeshje asnjëri prej tyre nuk arriti të dominonte ndaj tjetrit. Finalja (me pushime të ndryshme mes ndeshjeve) zgjati 6 muaj, nga shtatori 1984 deri në shkurt 1985.
Në fund, të dy lojtarët ishin të rraskapitur fizikisht. Që nga fillimi i kampionatit, Kasparov kishte humbur më shumë se 10 kilogramë. Në atë moment, në një vendim të padëgjuar që nuk u përsërit kurrë më pas, presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Shahut, Florencio Campomanes vendosi të ndërpresë finalen pa shpallur një fitues.
Në fund Karpov kishte fituar 5 ndeshje dhe Kasparov 3 (përfshirë dy 2 fundit), dhe 40 ndeshje përfunduan barazim. Gjithsesi, finalja e vitit 1984 ishte momenti kur Kasparov u bë
i famshëm në botë. Ndërsa Karpov ishte një lojtar i shkëlqyer, por një mjeshtër i mbrojtjes, duke luajtur në një stil të përgjithshëm të parashikueshëm, Kasparov ishte një lojtar i guximshëm, duke bërë sulme të guximshme dhe duke luajtur shah në një mënyrë emocionuese dhe të vrullshme.
Ndër të tjera, finalja u pa si një alegori politike, edhe për shkak të personalitetit të dy shahistëve: Karpov shihej si një burokrat besnik i regjimit sovjetik, ndërsa Kasparov, më i riu, u prezantua nga mediat si një rebel dhe një novator. Ai vetë kishte treguar në më shumë se një rast përbuzje ndaj klasës sunduese sovjetike të atyre viteve, edhe pse nuk kreu kurrë akte rebelimi të hapura, dhe do të mbetej anëtar i Partisë Komuniste Sovjetike deri në vitin 1990.
Në kampionatin botëror 1985, Kasparov fitoi duke treguar shumë shkathtësi. Kështu nisi një nga dominimet më të gjata në historinë e kësaj loje. Ai mbeti kampion deri në vitin 2000, edhe pse një moment ai dhe të tjerët u shkëputën nga Federata Ndërkombëtare e Shahut, duke krijuar një ligë të re.
Kasparov konsiderohet si një nga shahistët më të mirë që ka jetuar ndonjëherë, në mos më i miri nga të gjithë. Megjithatë, ai është i famshëm edhe për një tjetër episod. Në vitin 1996 luajti një ndeshje historike kundër super-kompjuterit “Deep Blue” dhe u bë kampioni i parë në fuqi i botës që u mposht nga një pajisje artificiale.
Ajo ndeshje konsiderohet një moment themelor në historinë e zhvillimit të Inteligjencës Artificiale. Kasparov humbi titullin e tij si kampion bote në vitin 2000, dhe megjithëse vazhdoi të luante shah profesionalisht për disa vite, interesat e tij gradualisht filluan të ndryshojnë.
Në ato vite, Presidenti Vladimir Putin po konsolidonte pushtetin e tij brenda Rusisë dhe po tregonte tashmë të gjithë elementët e asaj që do të bëhej regjimi i tij autoritar. Kasparov, që ishte një personazh publik i klasit të parë në Rusi, i njohur dhe i admiruar në të gjithë botën, u bind se nevojitej veprim për t’iu kundërvënë autoritarizmit në rritje të Putinit.
Pasi u tërhoq zyrtarisht nga shahu profesionist në vitin 2005, ai njoftoi themelimin e Frontit të Bashkuar Civil, një parti opozitare që synonte “ruajtjen e demokracisë në Rusi”. Rreth vitit 2007 ai nisi të organizojë dhe udhëheqë demonstrata të mëdha kundër Putinit, të njohura si “Marshimet e disidentëve”, të cilat u shtypën me shpejtësi nga policia.
Ai u arrestua disa herë dhe u lirua menjëherë. Në vitin 2008, doli si kandidat në zgjedhjet presidenciale. Por fushata e tij elektorale u bojkotua sistematikisht nga autoritetet ruse, duke çuar në dështim. Pas disa muajsh shumë të vështirë, Kasparov hoqi dorë nga kandidatura dhe u tërhoq.
Zgjedhjet u fituan nga Dmitri Medvedev, një aleat i ngushtë i zgjedhur personalisht nga Putini, i cili nuk mundi të kandidonte sërish, sepse kishte shërbyer tashmë 2 mandate radhazi si president. Në fund të sundimit 4-vjeçar të Medvedevit, Putin kandidoi sërish për presidencën dhe në atë moment pakënaqësia e popullatës ruse u bë e pakontrollueshme.
Në fund të vitit 2011 dhe për një pjesë të mirë të vitit 2012, protesta të mëdha kundër regjimit u mbajtën në të gjithë Rusinë dhe sidomos në Moskë. Kasparov u bë një nga udhëheqësit e atyre demonstratave, të cilat vazhduan pandërprerë për muaj të tërë.
Me të u bashkuan një klasë krejtësisht e re liderësh opozitarë, përfshirë Boris Nemtsov, i cili kishte qenë zëvendëskryeministër nën presidentin Boris Yeltsin dhe blogerin kundër korrupsionit Alexei Navalny. Megjithatë, përgjigja e Putinit ishte e ashpër. Protestat u shtypën me dhunë dhe qindra njerëz u gjykuan me akuza shumë të rënda.
Drejtuesit e opozitës në atë kohë pësuan një persekutim të jashtëzakonshëm. Navalny u burgos me akuza të rreme. Boris Nemtsov u vra në vitin 2015 në Moskë. Kasparov u arrestua dhe u rrah nga policia në vitin 2012, teksa merrte pjesë në një demonstratë në favor të grupit punk, Pussy Riot.
Një vit më pas, u largua nga Rusia. Dhjetë vitet e fundit ai ka vazhduar ta kundërshtojë Putinin nga mërgimi, por në Rusi figura e tij e ka humbur gradualisht popullaritetin. Gjithsesi ai mbetet një nga intelektualët më të rëndësishëm rusë në botë, mendimi i të cilit ndiqet gjerësisht veçanërisht në Perëndim.
Vitin e kaluar, menjëherë pas pushtimit rus të Ukrainës, ai shkroi në Twitter: “Mënyra e vetme për t’i dhënë fund kësaj lufte, është rrëzimi i regjimit të Putinit përmes kolapsit të ekonomisë ruse dhe humbjes në Ukrainë. Çdo opsion tjetër do të thotë shtyrje deri në krizën tjetër”. / “Il Post” – Bota.al