Albspirit

Media/News/Publishing

Fadil Maloku: “Kombi kosovar” është kryekëput tezë proserbe!

(Meqë, shefit të diplomacisë serbe Ivica Daçiqit nuk i paska reagu askush, përveç Kryetarit të Parlamentit të Kosovës Z. Glauk Konjuvca, le të shërbej ky shkrim si kundërpërgjigje ndaj tij dhe gjithë atyre që “simulojnë” artificialisht këtë tezë tipike proserbe… (mjerisht!) edhe në Kosovë!)

 

  1. Kohëve të fundit ka marrë sërish përmasa goxha alarmuese debati rreth identitetit kombëtar dhe atij shtetëror të Kosovës. Ajo që mund të hetohet është se ende nuk është bërë asnjë analizë e thukët shkencore nga perspektiva apo nga këndvështrimi sociologjik, që e konsiderojë lëmin me kompetencë lidhur me këtë problematikë sa të rëndësishme aq edhe të rrezikshme në kohën kur shoqëria kosovare është duke u ballafaquar me katrahurën e definimit të saj si shtet normal dhe demokratik i shek. XXI. Për këtë arsye do mundohem të shkoqis pikat kyçe të këtij debati. Para se të hyjmë në këtë problem, më duhet të sugjeroj se nuk e kam ndërmend të nisem nga paradigma e njohur popullore, se: “nëse një budalla e hedh një gur në bunar, njëqind të mençur nuk mund ta nxjerrin atë”, por nga nevoja dhe domosdoshmëri e shpjegimit të dioptrisë shkencore sociologjike që asnjëherë nuk i është bërë atij gjer tani në Kosovë. Me fjalë të tjera etnicitetet, grupet etnike dhe identitetet etnike (si në nivele organizative si sub-bashkësi ashtu edhe në nivele të identitetit kolektiv si sub-etni) kanë një aftësi te çuditshme si të themi të mbijetimit dhe të transformimit edhe në kohërat e sodit.
  2. Shembull më të mirë për këtë proces se Amerikën sot për sot nuk kemi. Kur të shikojmë procesin e zhvillimit të shqiptarëve të Kosovës në këto njëqind (pra pas aneksimit që i bëhet nga ana e Serbisë në vitin 1912) e fundit, si identitet i ndarë ku rrebeshi i ndikimeve dhe ndërvarësisë ishte evident gjatë tërë kësaj periudhe, kuptojmë që ky proces “i ndikimit” (më shumë!) dhe “i marrjes” (me pak!) është në të vërtetë pak a shumë dashtë e pa dashtë ne tani një proces i një natyre me pretendime dalluese. Por jo edhe aq sa tani (nëse i adresohemi botëkuptimit të sotëm perëndimor mbi kombin) të fillojmë procesin e promovimit të kombeve të reja (!?), ashtu siç po trumbeton dikush për interesa të pa identifikuara akoma. Në anën tjetër, meqë po i adresohemi dioptrisë shkencore sociologjike lidhur me këtë problematikë shtrohen disa pyetje shumë të rëndësishme lidhur me këtë proces të “dhënie marrjes shekullore”, pastaj diskursin e “ushtrimit të ndërvarësisë” si edhe procesin e “amalgimit kulturor”? Përgjigja në të gjitha këto pyetje është një Jo e madhe?! Po ashtu, duhet vënë edhe një distingsion shkencor në mes asaj që shquhet si etni dhe asaj që shquhet si komb, në mënyrë që të mos krijojmë stereotipin e paqenë për njerin apo tjetrin koncept sot. Duke u nisur kështu nga këto para dispozitat elementare shkencore sociologjike ne më lehtë e kemi diagnostifikimin e identitetit dhe paradigmave rreth tij, që sot djallëzisht keqpërdoren nga jokompetentët për qëllime personale, grupore e klanore. Është e ditur që njerëzit janë krijuar prej një “burri dhe një gruaje dhe ndarjet në fise dhe popuj janë rezultat i para llogarive të ndasisë në njerëz të devotshëm dhe këqij”.
  3. Maks Weber, që konsistohet njëherë përnjëherë sociologu i parë që ka arritur të jap shpjegime tipike sociologjike lidhur me marrëdhëniet e bashkësive etnike, në vepren e tij të njohur “Ekonomia dhe Shoqëria”, diagnostifikon tri entitete kryesore (racën, etninë dhe kombin) që lozin rol të theksuar në procesin e ndërtimit të procesit të identitetit. Për Weberin, elementi kryesor që entitetin e racës e dallon nga ai i etnisë është se raca është në një farë mënyre si tërësi historike bazamentin e saj e gjurmon kryesisht nga prejardhja apo etimologjia e vetë vetes kolektive, gjersa etnia këtë e bën në bazë të perspektivës së vetë subjektive. Sa i përket kombit, Weber mendon që edhe kjo kategori sociologjike sikurse etnia është e bazuar kryesisht në të besuarit e jetës së përbashkët, por me një dallim elokuent që kombi si pasion të mëvetësuar ka të ngulitur kërkesën për fuqi politike. Është e vërtetë që sot përpjekjet për t’u pajtuar vetëm me një definicion për kombin është absurd i llojit të vet! Aq më tepër që me definicione të teorise marksiste e sidomos të asaj staliniste të përkufizohen dhe të shpjegohen proceset aktuale moderniste lidhur me këtë kategori tejet dinamike dhe pak a shumë të postuar në plan të dytë në rrethanat e ndërtimit të një rendi të ri botëror, apo të një procesi që po identifikohet si proces i globalizimit. Pra, tentimi që të mbrohet vetëm shpjegimi politik mbi kombin qoftë edhe ai sociologjik që sot njihet si më kompetenti, në një farë mënyre është i pamjaftueshëm në sorollatjen që disa kinseintelektualë kosovarë bëjnë përpjekje për të gjetur formula të reja lidhur me procesin e gjoja formimit të kombit të ri kosovar në kushtet dhe rrethanat e një procesi të kundërt që është duke ndodhur në këtë shekull në botë. Ai proces është procesi i globalizimit, që në këtë rast nuk është objekt i analizës sonë. Duke iu adresuar këtij procesi të ri që për synim objektiv ka margjinalizimin e identiteteve kombëtare (sidomos të atyre që kanë probleme dhe dilema rreth historikut të tyre) si identitete (të dëshmuara gjer tani) më të zhdërvjellëta për të mbijetuar ndjenja e “solidaritetit kolektiv”, kujtojmë që ideja e formimit të identitetit kombëtar të Kosovës apo cilit do identitet të ri sot kombëtar tjetër është në kundërshtim të procesit të idesë së universalizmit. Por, jo idesë së universalizmit që ka pretendim të unifikojë të gjitha kombet dhe shtetet në një identitet dhe shtet të vetëm, ashtu siç mendojnë edhe disa teoricienë të sotëm (Imanuel Wallerstein, p.sh), por të universalizmit të vlerave (kuptohet është fjala për ato perëndimore) për të gjitha kulturat dhe civilizimet e sotme në botë.
  4. Në literaturën perëndimore (edhe më saktësisht atë amerikane në Enciklopedine Amerikane të Grupeve Etnike) shprehja etni (We are all ethnic) ka pushuar së identifikuari statusit i te huajit dhe sot ai ka të bëjë me të gjitha grupet etnike që atje jetojnë, pa kurrfarë dallimi as të racës, as të gjinisë, as të përkatësisë fetare e aq më pak të asaj kombëtare. Në literaturën lindore, ky koncept paragjykohet dhe herë merr edhe konotime të një stereotipi djallëzor që bëhet pengese serioze për procesin e integrimit rajonal dhe atij global. Dobësia e shkencave të sotme shoqërore, duke përfshi këtu edhe sociologjinë qendron në faktin se nuk ka ende ndonjë pajtim apo koncensus të përbashkët rreth kritereve për të definuar specifikat normuese dhe dalluese të identitetit etnik nga kategoritë e tjera të identitetit kolektiv (atij fetar, politik, familjar, klasor,etj) në mënyrë që të arrihet edhe definimi i kombit si identitet i ri. Në këtë drejtim edhe për një kohë të gjatë në shekullin tonë do të fuqizohet edhe më tej identiteti dhe përkatësia etnike e njerëzve, pa marr parasysh trendin e frymës së re globalizuese. Sepse, përse shtrohet pyetja bie fjala njerëzit më me endje japin përgjigje të këtij tipi: ”kur isha ateist” (tash po ndjehem si besimtar), “kur isha fshatar” (tash po ndjehem si qytetar), “kur isha komunist” (tash po ndjehem si humanist) apo “kur isha nacionalist” (tash po ndjehem si kozmopolit), “kur isha punëtor krahu” (tash po ndjehem si zotëri), ”kur isha ministër” (tash po ndjehem si i pafuqishem) ,etj. se sa të tipit p.sh. “derisa isha shqiptar (tash po ndjehem si kosovar)”, “derisa isha serb (tash po ndjehem si kroat)”, “derisa isha kroat (tash po ndjehem si boshnjak)”, “derisa isha rom (tash po ndjehem si shqiptar)”, etj?! Për arsye se identiteti etnik nuk është diçka që kavërdiset shpejt dhe lehtë, por është një proces qindravjeçar që vazhdon të mbijetojë akoma me paradigmën e së kaluarës të tanishmes dhe të ardhmes së përbashkët, për të cilën askund dhe asnjëherë nuk është pyetur askush.
  5. Shikuar me një dioptri të kësisojt diskursin e dinamikës së përkatësisë etnike dhe asaj kombëtare, gjykoj që shqiptarët e Kosovës do të duhej të insistonin në ndërtimin e një shoqërie me identitet kombëtar qytetar, por nëse aludimi është që Kosova në këtë fazë të emancipimit të vet duhet të ndërtojë veçantinë e saj: politike, ekonomike e shtetërore (por jo edhe etnike dhe kombëtare), atëhere duhet të fuqizojë identitetin e saj shtetëror, i cili si domosdoshmëri të vetën do të avancojë vetë vetiu edhe identitetin kombëtar. Është budallallëk dhe naivitet jo vetëm shkencor por para së gjithash edhe intelektual e sidomos politik, të absolutizosh nevojën dhe domosdoshmërinë e krijimit të kombit kosovar, kur të kihet parasysh që ky proces nuk është as dëshirë e as urdhëresë që bëhet për qejfe dhe inate të dikujt!? Arsyet janë të shumta, por ne po përmendim njerin i cili për kushtet dhe rrethanat nëpër të cilin po kalojnë pothuajse të gjitha shoqëritë e sotit, është tejet i rëndësishëm e që është identifikuar si tendencë e unifikimit të vlerave, apo proces i globalizimit.
  6. Pra, shikuar me dioptrine sociologjike koncepti i kombit në Ballkan është ende një kategori shoqërore që identifikohet më së shumti me shtetin dhe kompetencat e tij. Të provosh të bësh një distingsion në mes këtyre dy koncepteve apo kategorive sociologjike, nuk është edhe gjithaq lehtë edhe për shkak se në mes këtyre dy kategorive në rrethanat e një si të themi “vonese historike” të realizimit të synimeve për identitet shtetëror (siç është rasti i Bosnjës, Maqedonisë, Kosovës, etj.) nuk ekziston ndonjë vijë demarkacioni dalluese. Thënë më thjesht, një grup etnik që pak a shumë bëhet i vetëdijshëm për vetë veten e vetë nuk është e thënë të përkufizohet si komb. Në anën tjetër, të shumtën e rasteve është e kuptueshme që prejardhja apo etimologjia e kombeve pason pas konstelacionit etnik apo etnisë. Zakonisht sot në shkencën e sociologjisë bashkëkohore identifikohen disa elemente që e fuqizojnë diskursin e etnisë: emërimi i përbashkët i “esencës” së bashkësisë: miti mbi prejardhjen e rrënjës së përbashkët : kujtesa e përbashkët për të kaluarën e njohur dhe rinjohur përmes heronjve dhe ngjarjeve historike: shumësia e elementeve kulturore (duke përfshirë këtu: gjuhën, religjionin, traditën, etnopsikologjinë, etj.): lidhja emocionale dhe simbolike me rrënjën: dhe: ndjenja e solidaritetit (Dirkemian organik). Etnia apo etniciteti, me sa mund të kuptohet me gjuhën e argumenteve sociologjike mund të përkufizohet si grupim shoqëror që ka të përbashkët ndjenjën e prejardhjes gjenetike, atë të mbamendjes historike, ndërlidhjes kulturore dhe sidomos ndjenjës së solidaritetit të përbashkët në rast të ndonjë kërcënimi shfarosës. Pra, etnia asocon apo është në koherencë me gjendjen para shtetërore apo para afirmuese sui generis, që kultivon disa karakteristika të përbashkëta siç janë ato: të gjuhës, kulturës, traditës, religjionit. Është e ditur shkencërisht se identiteti kombëtar sikurse edhe ai politik i një kombi shpeshherë ngatërrohen me ndjenjën e patriotizmit, për çka edhe shpeshherë vihet në dilemë i tërë procesi i formimit të identitetit shtet-komb. Në esencë, patriotizmi dhe identiteti kombëtar dallohen mes veti aq sa ne dëshirojmë. Identiteti kombëtar, në një mënyrë është një pikëpamje vetanake e një kombi mbi vetë veten, pra krijimit dhe kreativitetit të një botëkuptimi dhe imazhi të secilit prej nesh për vetë veten tonë. Identiteti kombëtar, është e natyrshme që nuk është diçka i dhënë një herë e përgjithmonë në historikun e qenësimit të një kombi. Ai në të vërtetë është një zgjedhje, ku secili komb në historinë e vet ka apo disponon me njerëz, ngjarje, etj. që paraqesin një spektër të tërë të qëndrimeve politike, botëkuptimeve dhe bindjeve politike, momente të këndshme dhe të pakëndshme, duke filluar nga ato intelektuale, shoviniste, fashiste, ideologjike, nacionaliste, etj.
  7. Po ashtu, secila periudhë kohore më tërë trashëgiminë e vet të shumëllojtë, në një farë mënyre zgjedh njerëzit (aktorët historikë) dhe ngjarjet mbi të cilët ndërtohet një identitet i caktuar (sot p.sh. tendencat që identiteti kombëtar të ndërlidhet dhe ndërtohet me kohën dhe emrin e Skënderbeut?!) janë sa e pakuptueshme aq edhe naive në ditët e sotme. Po qese i adresohemi historisë sonë më të re kombëtare shqiptare hetojmë që procesi i formimit të botëkuptimit mbi identitetin shqiptar është mbarësuar më së voni nga gjithë popujt e Ballkanit. Shkaku dihet, ai i adresohet historisë dhe rrethanave në të cilat u gjend ai në kohën e pushtimit otoman. Shikuar nga kjo perspektivë, kuptojmë edhe arsyet e kësaj vonese të (pa)arsyeshme dhe se interes i vetëm kombëtar i tanishëm i Kosovës është identiteti evropian të cilin ne duhet ta ndërtojmë me xhelozinë shumë më të madhe se gjer tani. Për ta ilustruar rëndësinë e rolit të identitetit të ri qytetar (evropian) Kosovar të shërbehemi me një studim të botuar së voni në The New York Times, mbi “jetën intime” (inner life) amerikane. Anketues, ishin amerikanë të përkatësive të ndryshme etnike e racore, por me nënshtetësi amerikane, të cilëve u janë parashtruar shumë pyetje lidhur me jetën e tyre private për: spiritualitetin, identitetin, seksualitetin, etj. Mes tjerash ata janë pyetur: A pajtoheni me qëndrimin…” Fakti që jam amerikan (being an American) dëshmon më së miri se kush jam”. Nga të gjithë të anketuarit, 91% prej tyre janë deklaruar se akordohen me konstatimin e lartshënuar, që dëshmon një fakt që qytetari i sotëm amerikan e çmon lartë identitetin e tij të qënit pjesëtar i kombit amerikan. Gjykoj që edhe qytetari i Kosovës mund të ketë ndonje dileme të kësaj natyre, nesër për identitetin (evropian) kosovar?!
Please follow and like us: