James Rubin: UÇK ishte partnerja e SHBA-së, bashkë ndaluam gjenocidin dhe sollëm paqen
Nga Lirim Mehmetaj
Nga Prishtina e deri në Tiranë krejt çfarë mendoja ishte si ta bëj pyetjen perfekte. Mu mundësua ta intervistoja James Rubin dhe shanse të tilla për një gazetar vijnë shumë rrallë, ose asnjëherë.
I njohur si “dora e djathtë” e Madeleine Albright, ish-sekretares amerikane të shtetit në kohën e luftës në Kosovë dhe kryezëdhënës i Departamentit të Shtetit, James Rubin, për shqiptarët ishte zëri i vetë Amerikës.
Çfarë do bënte Amerika, nënkuptonte çfarë do bëhet me shqiptarët dhe çfarë e ka ndërmend të bëjë Amerika, e tregonte James Rubin. Prandaj, sa herë fliste ai në vitin 1999 të gjithë ngrinin.
Përtej rëndësisë së funksioneve të tij politike Rubin është edhe vetë gazetar dhe i aftë të diktojë një pyetje të artikuluar mirë.
Ai dallon kureshtjen origjinale të profesionistit që ndërton pyetje si shqetësime të hapura nga togfjalëshet e pakuptimta të amatorit që krijon fraza me fund të mbyllur.
Doja ta pyesja për gjithçka, prandaj formuloja pyetje të gjata me plotë nën-pyetje brenda, pastaj e dija se ato mund të tingëllojnë të bezdisshme dhe të përçarta dhe i shkurtoja pyetjet, por më ngjanin se po i shndërroj në shumë të përgjithshme dhe përgjigjet s’do t’i kem specifike.
Gjithë rruga shkoi kështu, njëfarë autoseminari çfarë është pyetje e mire dhe çfarë jo.
Kur mbërrita tek holli i hotel Plazza në Tiranë dhe bëmë pajisjet gati për intervistë, u njoftova se duhet të pres edhe pak, meqë për momentin zotëri Rubin është me një mik.
S’rrija dot ulur, prandaj pyeta një nga kamerierët se mos ka idenë se në cilën pjesë të restorantit po qëndron James Rubin. Të paktën ta shihja se është më të vërtetë aty.
“Është i ulur te tavolinat jashtë, në tavernë, bashkë me zotëri Baton Haxhiun”, më tha kamerieri.
Unë isha i interesuar për intervistën, por Rubin ishte më i interesuar të zgjaste muhabetin me mikun e tij. S’ishin parë prej 11 vjetësh, qysh nga hera e fundit kur Rubin ishte në Kosovë.
Gjithë kohën e rezervuar për intervistën dhe shumë më tepër se aq, Rubin e kaloi duke biseduar me Batonin dhe duke pirë cigare. Kur iu bashkova, Rubin më tha se me Batonin njihen tash e një jetë dhe janë nga ata shokët që takohen rrallë, por biseda u vazhdon aty ku e lënë herën e fundit që janë takuar – qoftë edhe para 10 vjetësh.
Ishin njoftuar në kohëra që nuk harrohen, aq më pak të harrohen lidhjet e krijuara në ato kohëra.
U bëra edhe unë pjesë e bisedës në një moment kur pikërisht po revokoheshin ato vite të veçanta për të dy. Një miqësi e ngjizur në kohë lufte e bën të pashmangshme që sa herë rikthehesh të gjeneza e miqësisë të rikthehesh edhe te vetë lufta.
Megjithatë, kanë kaluar dy dekada, kaq shumë gjëra janë shkundur.
Amerika dikur bombardoi Serbinë, sot ambasadori amerikan në Serbi Christopher Hill, kërkon falje për atë bombardim.
Kjo kërkimfalje u përmend edhe në bisedë.
Nga çfarë tha Rubin, kuptova se Hill mund të ketë kërkuar falje, por “veprimet e NATO-s përfundimisht shpëtuan jetë të panumërta dhe parandaluan një gjenocid të mundshëm”. Kështu na tha Rubin, por duke kërkuar që kur ta analizojmë atë që thotë Hill, ta kemi parasysh kontekstin.
Vetë ai shtoi se “ndjehet krenar” për çfarë ka ndodhur.
“Isha krenar që punoja për Sekretaren Albright gjatë kësaj kohe kritike”, tregonte derisa tymoste me një intensitet që Batoni konstatoi ta ketë pasur gjithmonë.
Rubin vazhdoi edhe pak të flas për shefen e tij Albright.
“Udhëheqja e saj ishte e rëndësishme në ndalimin e persekutimit të kosovarëve dhe mposhtjen e agresionit serb”, tha.
Duke e zgjeruar më pas se “politika jonë ndaj Serbisë-Kosovës ishte diçka që e di se edhe senatori i atëhershëm Biden e mbështeti fuqishëm”.
Pas bisedave për Prishtinën plot gjallëri, për Kosovën e zhvilluar, për kënaqësinë e Rubin-it se realiteti kosovar sot ia vërtetoi profetsinë e para 20 vjetësh se ky vend do zhvillohej, Batoni përbiroi një temë më pak të këndshme – Gjykatën Speciale.
“Nuk dua të hyj në çështje gjyqësore”, vrapoi të thoshte Rubin, “por sa i përket çështjes së UÇK-së në vitet 1998/1999, ne e konsideronim UÇK-në si partnere në bisedimet e paqes dhe Hashim Thaçi përfaqësonte UÇK-në”.
Si atëherë edhe sot tha se e vlerëson shumë që “Thaçi ra dakord me Marrëveshjen e Ramboulliet”.
“Ishte një vendim i guximshëm”, kujtoi Rubin, duke e pranuar se “ai nuk mori gjithçka që donte, por ia mundësoi Perëndimit të bashkohej dhe të pengonte forcat ushtarake serbe të masakronin mijëra e mijëra kosovarë”.
Në një moment Jimmy (siç i drejtohej Batoni) nënvizoi se “e konsideroj marrëdhënien tonë me ta (UÇK-në) si vendimtare për të sjellë paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë”.
SHBA-të e NATO mund ta ketë pasur fuqinë e jashtëzakonshme por, “pa vendimet e tyre dhe partneritetin e tyre, kjo nuk do të kishte ndodhur kurrë”.
Për Rubin këtë s’e ndryshon dot gjë, qoftë dhe një gjykatë që akuzon UÇK-në për “ndërmarrje të përbashkët kriminale”.
Për të, “historia s’mund të rishkruhet”. Sepse, e tha më shumë se një herë, “historia e asaj kohe është shumë e qartë”.
“Sllobodan Millosheviç-i dhe vartësit e tij shfrytëzuan autoritetin mbi forcat ushtarake serbe për të masakruar kosovarët dhe kërcënuar se do të masakrojë dhjetëra mijëra të tjerë”.
“Këto janë faktet”, tha Rubin, kjo është historia.
Dhe pak para se të vendoste për ta ndezur një tjetër cigare, këmbënguli se “historia do të shënojë se UÇK-ja dhe Shtetet e Bashkuara ishin partnerë në parandalimin e një gjenocidi” Pikë.
Biseda u zgjerua edhe në shumë tema të tjera: Kosova e Serbia dhe marrëveshja e tyre për normalizim, Rusia-Kina dhe rreziqet specifike nga të dyja, në forma të ndryshme, por me qëllime të njëjta.
Përdorja e Serbisë si satelit për të shpërndarë “dezinformatat helmuese” të dizajnuara për përçarje në Ballkan.
Lufta në Ukrainë dhe fokusi amerikan. Vëmendja për aktorë të tretë problematikë si Irani, veçanërisht sulmi kibernetik ndaj Shqipërisë.
Për të gjitha këto doja ta pyesja edhe unë, por koha u konsumua. Gjithë ambasadorët amerikanë të Ballkanit po e prisnin. Më vonë kishin një mbledhi së bashku diku në Tiranë.
“Intervistën s’e bëjmë dot”, më tha, por më premtoi se “do e bëjmë një ditë tjetër”.
“Jimmy gjithmonë i mban premtimet”, më siguroi Batoni.
Ashtu ndodhi.
Me James Rubin, pas takimit ne Tirane
Intervistën e realizuam disa ditë më vonë, por përmes telefonit. Rubin tashmë ishte kthyer në SHBA nga vizita e gjatë që pati në Ballkanin Perëndimor në pozitën e re për Amerikën – luftën me dezinformatat ruse dhe kineze.
Më doli dhe më mirë, sepse veçse kisha perspektivën e tij nga biseda në të cilën isha më shumë vrojtues me pjesëmarrje sesa kontribuues në përmbajtje.
E pyeta për të gjitha temat që u shpalosën atë ditë në Tiranë, me bindjen se për një pjesë të tyre s’do më përgjigjej zyrtarisht në telefon.
Për befasinë time, James Rubin u përgjigj në të gjitha.
Kjo është intervista ime e veçantë me mikun e mikut tim, James Rubin:
Albanian Post: Zotri Rubin, në kohën e luftës në Kosovës ju keni qenë Ndihmëssekretar i Shtetit amerikan dhe një person shumë i involvuar në proces. Për angazhimin tuaj, Kosova iu ka ndarë në vitin 2013 “Medaljen Presidenciale të Meritave për angazhimin e tij për çlirimin e Kosovës”. Keni vizituar Kosovën shkurtimisht pas një kohe, cila është përshtypja juaj e përgjithshme për zhvillimin e shtetit të Kosovës dhe situatën aktuale në Kosovë?
James Rubin: Isha vërtetë i kënaqur të shihja se si Prishtina është transformuar në një qytet të gjallëruar dhe modern. Derisa vozitesh nëpër qytet, Prishtina ngjan si çdo kryeqytet tjetër evropian me kafenetë e veta, dyqanet e muzetë. Vizitova një restorant në qytet që shërbente vetëm ushqime oganike dhe ishte një nga vaktet më të mira që kam ngrënë këto kohët e fundit.
Rrugët nëpër të cilat lëvizëm me makinë ishin të rrafshëta e të gjera. Një transformim goxha i madh nga vitet 90-ta dhe një matës i mirë i zhvillimit të shpejtë të Kosovës. Është vërtetë vështirë të kesh një vizion që sheh 20 vjet në të ardhmen, por edhe para 20 vjetësh, e besoja se nëse ua japim shansin kosovarëve, ata do ta transformojnë vendin e tyre; tani, duhet shfrytëzuar ky transformim dhe të vazhdohet me zellshmëri për pranim në BE dhe NATO.
Albanian Post: Ju jeni caktuar në një detyrë të re, tashmë jeni përgjegjës i Qendrës Globale të Angazhimit dhe quheni “I dërguar special”. Angazhimi juaj është luftimi i dezinformatave që vijnë nga Kina dhe Rusia. Siç e dini, një nga qendrat e dezinformatave ruse është Serbia. Atje është hapur edhe televizioni propagandistik Russia Today. Përse keni vendosur që pikërisht Serbinë të mos e vizitoni në këtë vizitë tuajën në Ballkanin Perëndimor?
James Rubin: Siç e dëgjova në vazhdimësi gjatë këtij udhëtimi që pata, Serbia është një qendër për dezinformimin dhe manipulimin e informacionit që përhapet në të gjithë Ballkanin. Helmi që del nga Serbia ka një kënd të Rusisë dhe Kinës ndaj tij dhe është e rëndësishme që kjo të ekspozohet. Për shembull, ndërsa RT dhe Sputnik nuk transmetojnë më në BE dhe SHBA, ata vazhdojnë të përhapin gënjeshtra në Serbi dhe si rrjedhojë në rajon.
Megjithatë, qëllimi i udhëtimit tim në Ballkanin Perëndimor ishte të vizitoja dy partnerë të rinj të NATO-s që po përpiqen të bëjnë pjesën e tyre, si anëtarë të përgjegjshëm të NATO-s, për të luftuar manipulimin e informacionit të huaj dhe dezinformimin brenda vendeve të tyre dhe rajonit. Ne duam të krijojmë një partneritet me Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe – edhe pse nuk është ende anëtare e NATO-s – Kosovën.
Duke punuar së bashku, me partnerë që janë të gatshëm, në Ballkanin Perëndimor, ne mund të pakësojmë efektet e dezinformatave që vijnë nga Serbia. Sidoqoftë, lejimi i përçuesve të dezinformatave nga Serbia është diçka që SHBA-të duhet ta luftojë.
Albanian Post: Shqetësimi real i SHBA-ve është ai i ndikimit rus dhe kinez në rajon, por duke luftuar këto, ka edhe përfshirje të palëve të treta, si rasti i Iranit me sulmet kibernetike në Shqipëri. Si do të veprojnë SHBA-të për të mos e humbur vëmendjen në këtë aspekt?
James Rubin: Është e vërtetë se tani pushtimi i Ukrainës nga Rusia është prioritet për SHBA-në. Ndikimi keqdashës i Kinës në nivel global, duke përfshirë edhe Ballkanin, është gjithashtu një prioritet. Fatkeqësisht, ka aktorë të tjerë autoritarë në botë dhe ne duhet t’u kushtojmë vëmendje edhe atyre, përfshirë Iranin. Nuk ka alternativë veçse të gjitha veprimet keqdashëse, përfshirë sulmet kibernetike, të trajtohen me seriozitetin që meritojnë, sepse pavarësisht nëse vjen nga Rusia, Kina, Irani apo një regjim tjetër autoritar, qëllimi i tyre i dëshiruar është të minojnë rendin ndërkombëtar të bazuar në rregullat tona.
Gjëja më e rëndësishme që mund të bëjmë sa na takon neve – si amerikanë dhe si shqiptarë – është të punojmë së bashku si partnerë në përpjekje për të mbrojtur institucionet tona.
Albanian Post: Me 27 shkurt Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për normalizim raportesh derisa me 18 mars janë pajtuar për një aneks implementimi. Cili është mendimi juaj për këtë marrëveshje – a e ka ajo potencialin për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe a besoni se do të mund të implementohet ashtu siç është pajtuar?
James Rubin: Fakti që u arrit një marrëveshje është një hap pozitiv. Përgëzojmë presidentin Vuçiç dhe kryeministrin Kurti për marrjen e vendimeve të vështira për të arritur këtë marrëveshje. Tani, ata do të duhet të marrin vendime akoma edhe më të vështira për të përmbushur detyrimet e tyre sipas Marrëveshjes Themelore që do të sigurojë mundësi të konsiderueshme për njerëzit e të dy vendeve dhe do të përshpejtojë rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Zbatimi është pjesa kritike. Ky është standardi me të cilin do të gjykohet suksesi i marrëveshjes.
Albanian Post: Bombardimi i Serbisë nga NATO erdhi pas refuzimit të palës serbe për të nënshkruar Marrëveshjen e Rambujes dhe vazhdimin e masakrave në Kosovës e përndjekjes së shqiptarëve nga shtëpitë e tyre për të kryer spastrim etnik. Por, në përvjetorin e fundit të bombardimeve këtë 24 mars, ambasadori amerikan në Serbi Chris Hill, i kërkoi falje popullit serb. Përse duhet NATO të kërkojë falje për një aksion që ka rezultuar me vendosjen e paqes dhe dhënien fund të luftës?
James Rubin: Jam në dijeni se ambasadori Hill me sa duket ka shprehur ndjenja të tilla në Twitter, në mars. Por konteksti është i rëndësishëm.
Duke folur për SHBA-në në atë kohë, ne besuam se veprimet e NATO-s përfundimisht shpëtuan jetë të panumërta dhe parandaluan një gjenocid të mundshëm. Isha krenare që punoja për Sekretaren Albright gjatë kësaj kohe kritike. Udhëheqja e saj ishte e rëndësishme në ndalimin e persekutimit të kosovarëve dhe mposhtjen e agresionit serb. Politika jonë ndaj Serbisë-Kosovës ishte diçka që e di se edhe senatori i atëhershëm Biden e mbështeti fuqishëm. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se lidershipi i Serbisë në atë kohë zgjodhi të mos e nënshkruajë marrëveshjen – dhe kjo është diçka që ata duhet ta shpjegojnë se pse zgjodhën atë rrugë, sepse nënshkrimi i Marrëveshjes në Ramboulliet do t’u kishte dhënë atyre një rol më të madh në Kosovë sesa që e kanë tani.
Albanian Post: Në luftën e fundit në Kosovë, partneri i NATO-s ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Aktualisht, krerët e UÇK-së po akuzohen për “Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale”, dhe Prokuroria i akuzon ata se me UÇK-në kanë pasur qëllim kriminal kundrejt kundërshtarëve politik. Avokatja e njërit prej të akuzuarve i ka thënë Prokurorisë se nëse UÇK-ja ishte ndërmarrje e përbashkët kriminale atëherë NATO paska mbështetur këtë ndërmarrje. Ju e njihni atë kohë, çka ishte UÇK-ja në vitet 1998/99 për ju?
James Rubin: Nuk dua të hyj në çështje gjyqësore, por sa i përket çështjes së UÇK-së në vitet 1998/1999, ne e konsideronim UÇK-në si partnere në bisedimet e paqes dhe Hashim Thaçi përfaqësonte UÇK-në. Thaçi ra dakord me Marrëveshjet e Ramboulliet. Ishte një vendim i guximshëm. Ai nuk mori gjithçka që donte, por ia mundësoi Perëndimit të bashkohej dhe të pengonte forcat ushtarake serbe të masakronin mijëra e mijëra kosovarë.
Më vonë, Thaçi vazhdoi dhe u qëndroi zotimeve të tij ndaj nesh duke rënë dakord për demobilizimin e UÇK-së – edhe pasi ata e kishin fituar luftën. Ata mbajtën të gjitha premtimet për të cilat kishin rënë dakord me Shteteve të Bashkuara. Unë e konsideroj marrëdhënien tonë me ta si vendimtare për të sjellë paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë. Pa vendimet e tyre dhe partneritetin e tyre, kjo nuk do të kishte ndodhur kurrë.
Albanian Post: Shkrime në mediume prestigjioze si për shembull Guardian kanë shkruar se me Gjykatën Speciale po bëhet një rishkrim i historisë – varësisht çfarë vendimi merret nga Gjykata në fund të procesit, a po rishkruhet historia?
James Rubin: Nuk do të komentoj procesin gjyqësor, por nuk mendoj se historia mund të rishkruhet. Historia e asaj kohe është shumë e qartë. Sllobodan Millosheviç-i dhe vartësit e tij shfrytëzuan autoritetin mbi forcat ushtarake serbe për të masakruar kosovarët dhe kërcënuar se do të masakrojë dhjetëra mijëra të tjerë. Këto janë faktet.
A është e vërtetë se në një situatë lufte, individë kosovarë mund të kenë kryer akte që Shtetet e Bashkuara s’i mbështesin? Sigurisht, kjo është e vërtetë; por kjo zbehet në krahasim me atë që po ndodhte në atë kohë nga politikat shtypëse të Millosheviç-it ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe kjo është diçka që nuk mund të rishkruhet dot.
NATO ndërhyri për të mbrojtur kosovarët nga një masakër që u shkaktua nga qeveria serbe. Nuk besoj se Millosheviçi ka folur për të gjithë popullin serb. Ka shumë serbë që e refuzuan Millosheviçin atëherë dhe tani. Por, Historia do të shënojë se UÇK-ja dhe Shtetet e Bashkuara ishin partnerë në parandalimin e një gjenocidi.
29 Prill 2023.